Imigracioni shqiptar në Itali (L’immigrazione albanese in Italia)

Të dhëna, përsiatje, emocione

Imigracioni është një nga temat me të cilat është më e lehtë të biesh në kurthin e stereotipave; ato të frikës, që e paraqesin imigracionin si një kërcënim, dhe ato të përkundërta, që ushqehen nga një optimizëm i përgjithshëm. Vetë nocioni i “imigrantit” shndërrohet kështu në një stereotip, duke harruar se imigrantët janë njerëz që vijnë nga vende të ndryshme, që kanë kultura të ndryshme, gjuhë të ndryshme, dhe një mënyrë të ndryshme për të jetuar praninë e tyre në Itali. Libri “Imigracioni shqiptar në Itali” ofron rastin për të reflektuar lidhur me tema shumë aktuale, që kanë të bëjnë me imigrantët dhe natyrisht me shoqëritë nga ku nisen e ku mbërrijnë. Ndryshimet epokale të ndodhura në vendet perëndimore kërkojnë një përqasje dhe një përgjigje strukturore ndaj problematikave të reja, midis të cilave spikat pa dyshim imigracioni. Dukuri komplekse që duhet kuptuar para se të administrohet. Të flasësh për integrim, shtetësi, mbrojtje, të drejta, detyra, multikulturalizëm, solidaritet, dinjitet, mundësi, globalizim, identitet, ndryshmëri, punë, flukse, politika, do të thotë të pranosh sidat e modernitetit dhe të përballosh problemet e së tashmes e të ardhmes.Rando Devole, L’immigrazione albanese in Italia, Agrilavoro ed., Roma 2006, Isbn: 88-88110-22-4, f. 311.

Librin mund ta gjeni në të gjitha libraritë Adrion në Tiranë.Pjesë nga dy recensione të librit:

“Përmbledhje shkrimesh” i rri ngushtë si përkufizim librit të ri të Rando Devoles. Të dhëna, përsiatje e emocione, është nëntitulli i zgjedhur nga autori e që këtu gjetja e një kategorie përkufizimi do ta vinte një bibliotekar të kruante kokën: nëse të dhënat statistikore nuk mund të mungojnë në një libër që merret me dukurinë e imigracionit, dhe nëse përsiatja është formë e njohur e kategorizimit të një shkrimi, nuk është aspak i tillë emocioni, kategori shpirtërore. Por është pikërisht ky përjetim emotiv i drejtpërdrejtë i autorit i shprehur në një pjesë të madhe të shkrimeve edhe me elementë tregimtarie, që e bën librin e Devoles një libër “ndryshe” nga ato që deri më tani janë rrekur të japin fytyrën e komunitetit. Një komunitet, ai shqiptar, që Devole e njeh më së miri. Si sociolog e si gazetar i impenjuar prej vitesh, e sidomos si shqiptar, Devole është i avantazhuar në përftesën e imazhit të vërtetë të shqiptarëve në Itali, pasi arrin të shohë nga brenda mekanizmat e komunitetit, ato që e kanë vënë në punë e ato që e kanë ngadalësuar, ato që i japin jetë e ato që i marrin frymën, ato që shfaqen e ato që janë. Një trajtim organik, në gërshetim shkrimesh të ndryshëm në formë e në tematikë por funksionalë në mbërritjen e qëllimit: dhënien e një dimensioni historik të emigracionit dhe pranisë së shqiptarëve në Itali. Studimi statistikor që hap librin, i vetëm në llojin e tij, i dendur me të dhëna të papërpunuara më parë, e botuar për herë të parë, mund të lexohet si një parathënie e asaj që vjen më pas: artikujt e ndryshëm, të pasqyruar në formën origjinale në kohën kur janë shkruar ndërthurin vështrimin sociologjik me atë antropologjik, psikologjik e kulturor të shqiptarëve. E natyrisht, emocionin, përjetimin, pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të autorit në ndonjë artikull si “Flirt në autobuzin 409”.
Lexuesit e librit janë si shqiptarët ashtu edhe italianët. Të parët për ta njohur më mirë vetveten (e bashkësinë) si dhe marrëdhëniet me të tjerët, të dytët për të njohur një realitet të përfolur, por në thelb të panjohur. Libri i Devoles është ndoshta i vetmi në llojin e vet të pallojshëm, që arrin të japë një fytyrë të emigracionit shqiptar të parë nga një shqiptar vëzhgues i mprehtë. R. Sejko “Bota shqiptare”

* * *

Libër që duhet lexuar ky i Rando Devoles, shqiptar i ardhur student në Romë, para se të hapeshin kufijtë. Libri në fakt – përmbledhje shkrimesh të botuara e të pabotuara – rrëfen emocionet, pasionin qytetar, përsiatjet dhe ndjenjat që autori rreket t’ua përcjellë bashkëqytetarëve të vet, në atdhe e në Itali, në dritën e studimeve të tij ridoroze por edhe të aftësisë së tij vëzhguese e të ndjenjave të tij, në kapërcyell të dashurisë për vendin e origjinës dhe vendin e mbërritjes. Objekti i librit është natyrisht gjendja e ndërlikuar e imigrantëve ose më mirë e humanitetit shqiptar në “Bel Paese”, siç i pëlqen ta quajë Italinë. Për ta bërë Devole përdor një instrument origjinal: një kalim të vazhdueshëm, të sigurtë, delikat të kufirit tradicional midis esesë dhe narrativës. Me rezultate pa dyshim efikase e në shumë pjesë plot kënaqësi. Një libër që e sheh fenomenin e imigracionit nga brenda. G. Bianchi “Fai Proposte”.

 

Për kopje të librit shkruaji autorit.

Leave a comment