Dituria më përndjek, por unë jam më i shpejtë

1401 fjalë (jo dhe aq) të urta

Zgjodhi dhe i përktheu Rando Devole

“Ju lutem, mos i merrni seriozisht, janë vetëm të vërteta” R.D.

 

Parathënia shkruar nga Visar Zhiti

COPËZA MENÇURIE KUNDËR COPËZIMIT TË MENÇURISË

(1001 porosira sëprapthi)

Diktaturat i pëlqejnë shumë këshillat, aq sa t’i japin me dhunë e frushullimë si kamzhikët e xhelatit mbi shpinën e lakuriqtë të viktimës prej dite. Dhe vërtet, në një kohë të padrejtë, pasojat e këshillave u ngjajnë vragave të një masakre të ftohur apo brirëve të zbukuruar të djallit. (Prandaj dhe paradoksalisht “zëri” u bë hokatar: … gjysmë i dehur e gjysmë fshehurazi mërmëriti se këshilla ka dy veta të domosdoshëm që s’duhet ta zbatojnë, së pari ai që e thotë e së dyti, sidomos ai që e dëgjon). Dhe kështu u shpik antikëshilla si rebelim, si dëshirë për ndreqje, si prishje e një monotonie zvetënuese, apo thjeshtë si një aspirinë për dhimbjet e mendimit.

Fuqia e saj u madhua, nga parodia kaloi në antiroman e antikomedi me emrat e mëdhenj të Xhoisit, Eliotit, Joneskut dhe me çmitizimet kafkiane, me kubizmin e Pikasos, me muzikën konkrete e deri tek e folura “kundra” në rrugë.

Sepse shoqëria që ka nevojë për këshilla është në krizë, për të mos thënë është tejet e mbrapshtë, ku shpallen pafund slloganet çikatriçe të diktatorëve që e (ç)edukojnë popullin jo vetëm si të punojë, si të vishet, si të buzëqeshë, por dhe si të vdesë – heroikisht për asgjënë e politizuar. (Dhe s’ka mjaftuar kjo, por janë marrë në ndihmë dhe idiotësitë e diktatorëve sllavo-aziatikë për të bërë sa më shpejt vetëtimthi wash brain e gjindjes). Çdo vit të ishte ’84 oruelliane plot me “Pallatet e ëndrrave” të Kadaresë tonë.

Kështu kritika dhe mosaprovimi deri në desidencë, qoftë dhe me veten, është emancipim, prosperitet, ekologji e mendjes. Përndryshe, në një çmendinë, ai që fillon të dyshojë në çmendurinë e vet, ka filluar shërimin.

Bota boton shpesh libra me senteca cinike ku marrëzia e skajshme hyn në kufijtë e mençurisë së zgjedhur. Tallja është e trishtueshme, prej realitetit natyrisht, realitetit të fjalëve, të rënduara me disiplinën ushtarake të ideve. Në to ka dhe hare lolosh, shtirje për të mos ngjarë i mençur, kur ajo, mençuria, përbën rrezik, të paktën të keqkuptimeve, ka dhelpëri, hetim, përvojë, etje për qortim (të parët tanë me këtë fjalë kuptonin korrigjimin), ka sarkazëm, humor të zi, absurd dhe dashuri patjetër.

Te ne janë botuar këshilla që, vërtet, kanë ndihmuar në krijimin e moralit dhe ndërgjegjes kolektive, dhe tani, të kundruara nga larg, kanë hijerëndësinë e tempujve me emrat e gdhendura në ar të rilindasve, me të cilët diktatura abuzoi së tepërmi.

Për herë të parë përgatit për botim sentencat cinike sociologu i ri Rando Devole. I mblodhi ato nga disa botime të suksesshme që i kanë qëmtuar “thëniet” nga autorët anonimë deri te më të shquarit. Të përkthyera me një shqipe korrekte e të zhdërvjellët, ashtu së bashku, në një antologji të mençurisë e të përvojës, të sfidës, por dhe të humorit, ato sjellin vezullime të çuditshme, që ashtu të pakta, të duket sikur mund t’i rrotullosh ndër duar si gurë të çmuar e të përftosh përthyerje nga më befasueset të dritës së realitetit. Ndonjëherë u ngjajnë suzhetëve të tregimit, skedave të akteve, kanë detajin e poezisë, ritmin, të papriturën anekdodike, tragjizmin, politikë, qëndrim filozofik, tuafllëk, moral, estetikë, etikë, të bëjnë të qeshësh me zë, kanë kritikë të problemeve familjare e më gjerë, sociologji, delir, prekin sisteme, socializmin e pathemeltë dhe demokracinë e keqpërdorur, u intereson toleranca, shkrimtari, kombi, vdekja, lindja, etj. etj. Saqë ke qejf t’i kesh me vete si libër xhepi për t’i shfletuar mërmëritshëm në udhëtimet e tua.

Ndonjëherë të duket se pikërisht këto sentenca kanë gjetur “thembrën e Akilit” dhe aq janë, të vogla sa thembra, gjurmë të jetës, pa u marrë me hollësi të tjera. (Sepse Akili është i tëri thembër tani).

Nëse një klasik i shkencës tha se përjashtimet forcojnë ligjet, mua më pëlqen të shtoj se ligjet forcojnë përjashtimet.

Gjithë këto sentenca përjashtimesh këtu, cinike, të renditura sipas një alfabeti ngjarjesh kaotike, që dhe në mos qofshin njëmijë e një, kanë joshjen antimisterioze, aspak prej përrallash të natës, por ftohtësinë e esëllt e të shkurtër të agut, dritën ikanake të çastit shekullor diogjenik. I ngjajnë një mozaiku, brejtur nën ujrat e përvojës, me deformime e turbullira, dhe, si të tilla, përbëjnë një ndihmë për të mos qenë naiv permanent, por të guxosh të mendosh ndryshe, në mënyrë pluraliste (që Faik Konica e pranonte edhe brenda një koke), të japin ngazëllimin e gjetjeve, të cilat më parë s’do të mund të botoheshin dot si të dëmshme, sepse çstandartizojnë. U ngjajnë fjalëkryqeve ku të josh jo ecuria e gjetjes, por ajo çka gjen, pësimi, ndoshta i papësuar ose e anasjellta.

Sidoqoftë pranimi i këtij libri është si një lloj testi i lirisë së mendimit të atij që i lexon…

Visar Zhiti, Romë, fundshekulli.

Aforizma nga përmbledhja 1401 fjalë (jo dhe aq) të urta

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: