Fjala e vitit

Çdo fund viti bëhen bilance nga më të ndryshmet. Edhe sondazhet që hidhen në linjë, zakonisht në dhjetor, janë një farë analize vjetore. Sondazhet më të përhapura kanë të bëjnë me fjalët, ngjarjet ose emrat.

Mediat botërore na kanë mësuar me njeriun e vitit (më saktë do të ishte personazhi i vitit), çiftin e vitit, më të pasurin e vitit, këngëtari i vitit, e kështu me radhë. Këta shpallen pas anketimeve të të gjitha llojeve, nga intervistat në rrugë deri tek kliket në internet. Gjithsesi, më pak famë kanë sondazhet për fjalët e vitit.

Cila është fjala e vitit 2010? Ose më saktë cila është fjala e vitit në Shqipëri? Sepse fjalët qarkullojnë në një mjedis të caktuar, ndaj hapësira “gjeometrike”, qoftë globi vetë, duhet deklaruar që në fillim. A mund të renditen fjalët që aspirojnë për vend të parë si Fjala e Vitit 2010? Mundet, pse jo. E lehtë nuk është, sepse duhet vendosur cilat fjalë i duhen hedhur publikut për përzgjedhje. Fjalët më të përdorura, më mbresëlënëse, apo ato më kuptimplote? Vetëm në Shqipëri apo në hapësirën shqiptare? Listë shkencore, apo le të dalë si të dalë?

Po të kisha pasur mundësi e dëshirë, do të zgjidhja për anketim fjalët e mëposhtme (në rend alfabetik):

• BOTËRORI
• FLETËVOTIMET
• GJUHA SHQIPE
• GREVA
• INTEGRIMI
• KORRUPSIONI
• KRIZA
• MARTESA
• PËRMBYTJA
• PIRAMIDA
• RRËFIMET
• RRUGËT
• TRAFIKIMI
• TRAFIKU
• TURIZMI
• VIZAT
• ZGJEDHJET
• WIKILEAKS

Tani që e mbarova listën, kuptova që mund të jetë sa e pafundme aq edhe personale. Mund të shtohet, të përmirësohet, por edhe të personalizohet. Nga ana tjetër duket sikur çdo fjalë i përshoqërohet një personazhi të caktuar, çka mund të përbëjë sondazh brenda sondazhit. P.sh. vendosni pranë çdo fjale të mësipërme emrin e përveçëm që mendoni se i shkon për shtat. Është ca e vështirë. Për fjalët përmbytja, botërori, vizat, greva, fletëvotimet, trafikimi, wikileaks stilolapsi rrëshket vetë mbi letër, pa lodhje, nga Shkodra tek Dick Marty, nga Spanja tek Assange. Për të tjera duhet menduar. Rrëfimet? Ndoshta Maks Gjerazi. Martesa? Ndoshta Edi Rama (mos i del emri dy herë?). Ka gjithashtu fjalë që janë të vështira për t’i etiketuar, pra për t’i vënë një emër të përveçëm afër: zgjedhjet, integrimi, gjuha shqipe, etj.

Por lista e sondazhit mund të shihet edhe nga brenda. Përse vallë fjalët korrupsioni e kriza janë afër njër tjetrës? Vëzhgimi intralistor mund të gjejë lidhje të padukshme edhe midis fjalëve piramida e rrëfimet, ngjitur pashmangshmërisht mes tyre (nga Maksi?). Afërsi tjera janë tejet të kapshme e të interpretueshme. Dyshimi më i sinqertë i shikon të qëllimshme: kriza e martesa, përmbytja e piramida, piramida e rrëfimet, turizmi e vizat… Mbetet mister përse midis fjalëve rrugët e trafiku gjendet trafikimi. A thua vendoset çdo gjë nga rendi alfabetik? Apo është shikimi ai që hedh ura përshenjimesh atje ku humnerat kuptimore janë të pakalueshme?

Nuk e di cilën fjalë do të zgjidhnit ju, as cilën listë do të përgatisnit e me çfarë rendi. Personalisht do të zgjidhja fjalën fjalori, sepse i përmban të gjitha fjalët brenda, çka përbën edhe arsyen e përjashtimit nga lista.

Botuar fillimisht tek blogu Peizazhe të fjalës, më 1.1.2011

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: