PËRTEJ BATUTËS

Takimi i fundit midis kryeministrave të Shqipërisë dhe Italisë, jemi të bindur të gjithë, do të kishte kaluar pa u vënë re sikur Berluskoni të mos e kishte bërë batutën, tashmë mjerisht të famshme, për femrat shqiptare.

Për ata që nuk e dinë, po kujtojmë se gjatë konferencës për shtyp pas takimit dypalësh, Berluskoni bëri disa batuta tejet të diskutueshme, midis të cilave la shenjë të veçantë ajo për femrat e bukura shqiptare, që u tha në çastin kur Berisha po fliste për ndalimin e trafikut njerëzor midis dy brigjeve të Adriatikut. Sipas batutës së Berluskonit mund të bëhej përjashtim për vajzat e bukura. Gjithsesi, për shkak vështirësish objektive në përdorimin e thonjëzave, por edhe për amatorët e citimit të drejtpërdrejtë, ju sugjerojmë imazhet televizive qarkulluese në internet.

Shënimet e mëposhtme nuk mëtojnë të jenë shteruese, por thjesht një orvatje për të bërë bilancin e parë të një “incidenti” që shkon përtej fushës diplomatike apo mediatike.

Lajmi i kësaj batute u dha menjëherë nga pothuajse të gjitha mediat kryesore italiane. Pjesa më e madhe e tyre përqendroheshin, pak shumë, tek batuta tipike berluskoniane. Përse vallë? Në përgjithësi mund të rreshtohen katër arsye kryesore madhore:

  1. Berluskoni ka një galeri të pasur me batuta të cilat, sipas pikëvështrimit, mund të konsiderohen pavend ose të goditura, me shije të hidhur ose të këndshme, në caqet e simpatisë ose të shëmtisë. Mediat janë të prirura t’i rendisin në kohë këto batuta edhe për të nënvizuar një farë koherence të profilit berluskonian;
  2. Mediat italiane, si shumë të tjera në botë, janë të marrosura pas fishekzjarrëve rreth lajmit dhe jo lajmit vetë. Kjo për të rritur numrin e lexuesve, por edhe për shkak të procesit të ndërlikuar, deri diku të induktuar qëllimisht, të tabloidizimit të informacionit;
  3. Korniza e madhe ku mund të futet lajmi, nga pikëvështrimi i mediave aktuale, përbëhet nga raporti i Berluskonit me femrat. Ky raport është shndërruar edhe në skandal pas ndarjes me gruan dhe disa marrëdhënie të përfolura jashtëmartesore të manjatit italian.
  4. Korniza më e ngushtë ka të bëjë, së fundi, me hetimin e prokurorisë italiane që prek – gjithnjë sipas mediave – edhe disa skandale të autoriteteve të mbrojtjes civile (që varet nga Kryeministria) me prostituta dhe ryshfete.

Vëmendja e mediave shqiptare është më e lehtë për t’u shpjeguar, sepse duhet parë kryesisht si reagim ndaj batutës në vetvete e më pas si vijim-shtojcë e mediave italiane. Konteksti, për të cilin fola më lart, nuk kishte se si të ndikonte mediat shqiptare. Nuk duhet harruar se elementi politiko-editorial ekziston edhe tek masmediat italiane, ku më shumë e ku më pak, çka i kushtëzon detyrimisht në dhënien e lajmit. Mirëpo, pati qëndrime në hapësirën mediatike shqiptare, që i kaluan kufijtë e normales, sepse për batutën e Berluskonit i kërkuan llogari Berishës, që në rastin konkret mund të konsiderohet deri palë e lënduar, gjithsesi jo bashkëfajtor. Teorikisht, Berisha do të kishte shumë të drejtë të nxehej me batutën e mësipërme, sepse si kryeministër përfaqëson jashtë shtetit edhe femrat shqiptare, sepse po fliste seriozisht kur homologu ia ktheu me shaka (d.m.th. ia prishi muhabetin), sepse do të kishte me siguri preferuar që mediat të flisnin për marrëdhëniet midis dy vendeve se sa për batutën.

Gazetat shqiptare informuan gjithashtu për deklaratat e mëpasshme të Berishës lidhur me batutën e Berluskonit. Fjalët e kryeministrit shqiptar, ashtu siç mund të parashikohej fare mirë dhe siç është logjike në marrëdhëniet ndërkombëtare, i bënin bisht problemit kryesor dhe ishin në thelb justifikuese. Çdo reagim tjetër i Berishës, përveç heshtjes, nuk do të kishte pasur kuptim.

Reagimi i një grupi intelektualësh shqiptarë, protagonistë në jetën shoqërore italiane e më gjerë, m’u duk dinjitoz e i goditur. Edhe pse këto mjete nuk janë gjithnjë të efektshme, duhet pranuar se letra e hapur e ka domethënien dhe legjitimitetin e vet, sidomos kur heshtja bëhet mbizotëruese e zhurmuese. Zërat në shkretëtirë mund të duken absurde, por bëhen të domosdoshme kur shkretëtira është prej indiference ose e ndërtuar artificialisht.

Megjithatë, reagimet ndaj batutës së Berluskonit, ose me mirë ndaj batutave të tij, e kanë përherë një kleçkë, sepse ecin në terren të llumtë plot gropa thithëse. E  jo gjithnjë, jehona e merituar mediatike përkthehet në arritje objektivi. Gjithsesi, rreziku i parë ka të bëjë me perceptimin politik. Berluskoni është një nga ato personazhe që kanë funksionin e ujëndarëses në politikë e shoqëri, sipas motos “ose me mua, ose kundër meje”. Vetë pozicionimi ndaj Berluskonit, madje ndaj një fjalie të tij, perceptohet si pozicionim politik. Kuptohet që ky lloj perceptimi është i shtrembëruar, sepse qytetari mund edhe ta votojë sipas programit, por pastaj të revoltohet për ndonjë batutë të tij. Berluskoni, si të thuash, i skajëzon shqisat dhe ndjenjat e opinionit publik, duke e zbrazur hapësirën e qendrës dhe duke e mpirë ndjenjën e masës. Pra çdo reagim ndaj Berluskonit, përfshirë letra e hapur e intelektualëve shqiptarë, mund të shikohet nga këndvështrimi politik, madje si paragjykim politik ndaj tij. E nuk është se qëndrime të tilla nuk ka pasur ndonjëherë.

Për shkak të klimës kulturore që është krijuar këto vite në Itali, batutat e tij të diskutueshme relativizohen deri në atë pikë saqë reagimet mund të dalin huq, në mos blof. Ndikon, pa dyshim, edhe trajta prej shakaje që marrin batutat e mësipërme. A mund t’i përgjigjesh seriozisht diçkaje që është thënë me shaka? Edhe mundet, por rrezikon të të thonë që s’kupton shakanë. Rasti më flagrant ka qenë cilësori “abbronzato” me të cilin Berluskoni e quajti Obamën, Presidentin e porsazgjedhur të SHBA-së. Polemika pati sa të duash, por shpjegimi i Berluskonit, sipas të cilit termi i fajësuar ishte në thelb kompliment, duket se i “bindi” autoritetet amerikane, sikundër opozitën dhe shoqatat e të drejtave të njeriut, të cilat u akuzuan për antiberluskonizëm dykacidhesh.

Shembuj batutash e xhestesh mund të jepen edhe më. Problemi është se të gjitha janë në cak, në kufi të bonsensit, çka i bën të diskutueshme, por të rrezikshme në kundërveprim, sepse të çekuilibrojnë e të ekspozojnë më shumë seç duhet. Është e vërtetë se batuta të tilla e bëjnë të detyrueshme përgjigjen, po aq sa është e vërtetë se përgjigjet tingëllojnë shpeshherë të tepërta, retorike, madje pa vend. Ka raste që reagimet duken fillimisht të drejta, për të marrë më pas pamjen e topit që zbrazet për të vrarë një mizë.

Përse vallë ndodh ky fenomen? Për karakterin e batutës, së pari. Duke qenë në borderline, ajo është gati e pakapshme, e pafokusueshme, me fjalë popullore të rrëshqet nga duart si ngjalë kënete. Vetë shakaja nuk e pranon reagimin serioz. Shumë shumë, shokut mund t’i thuhet të mos bëjë shaka pa vend, ose pa kripë, por jo gjithnjë mundësohet ky reagim. Përndryshe, ka rrezik të të marrin për leshko. Por a mund të rrihet pa reaguar ndaj batutave të tilla si ajo e mësipërme për femrat shqiptare? Jo, nuk rrihet, sepse shkon e prek jo vetëm nerva të zbuluara personale, por edhe ndjeshmëri kolektive. Madje, nuk rrihet pa folur sepse detyrimisht përshoqërimet të çojnë tek imazhi që ka perëndimi në përgjithësi, e italianët në veçanti, për shqiptarët e shqiptaret. Mirëpo, nuk mund të mohojmë faktin se Berluskoni e tha me shaka, duke qeshur. Pamjet flasin qartë. Madje unë jam i sigurtë që e tha me shaka, sepse nuk ka ndërmend ta bëjë realisht seleksionimin estetik të femrave shqiptare që hyjnë në Itali.

Ka një farë rasenjimi që ka kllapuar opinionin publik italian me barsoletat e batutat e Berluskonit, ndoshta me vetë berluskonizmin. Kjo përbën temë më vete, por lidhur me batutën mund të kishin reaguar edhe femrat italiane, ndoshta të të gjithë botës, meqë në themel të saj mund të fshihet fare mirë një koncept maskilist, seksist, maçist e utilitarist i femrës, që e shikon femrën thjesht si objekt dëfrimi. Ka mundësi të jetë kështu, por mund të më thonë, në fund të fundit, se ishte thjesht shaka e dështuar, pa vendin e pa kohën e duhur. Si të thuash, një nga ato shakatë që themi mes shokësh në bar e që nuk bëjnë për të qeshur. Ndoshta s’bëjnë për të qeshur, por as në bankën e të akuzuarve nuk të çojnë dot. Tek e fundit, mund të shtojnë akoma, nuk është hera e parë që bën batuta të tilla, as mahitet vetëm me shqiptarët. Personazhi është i tillë: miqësor, shakatar, i përzemërt, informal. Ndoshta jemi ne shqiptarët pak të sertë, pasi trashëgojmë nga e kaluara ngurtësi e komplekse. Me siguri kështu thonë. Gabojnë ndoshta?

Është afërmendsh, madje të vjen natyrshëm ta prekësh plagën sociale të prostitucionit, sepse batuta e mësipërme atje të çon, hallkë pas hallke, përshoqërim pas përshoqërimi. Mirëpo, ne shqiptarët kemi vuajtur shumë nga kjo plagë, ndaj edhe na dhemb kur bëhet mahi me këto gjëra, ndaj edhe jemi dakord me reagimin e intelektualëve shqiptarë në Itali. Megjithatë, nuk di ç’t’i thuash atij që të kujton se Berluskoni nuk është për trafikimin e njerëzve dhe se i ka luftuar skafistët. Faktet flasin qartë, trafikimi është luftuar, përndryshe kanali i Otrantos nuk do të ishte kaq i zbrazët si tani.

Situata paraqitet disi e ndërlikuar e viskoze, ndoshta pa zgjidhje imediate. Edhe në këtë pikë nuk mungojnë analogjitë me realitetin shqiptar, sikurse nuk mungojnë shenjat e qarta të berluskonizmit në Shqipëri. Gjithsesi, e vetmja mënyrë për të dalë nga kjo gjendje e vështirë është rikthimi i diskursit publik në qerthullin e duhur socio-semantik. Tërheqja e lumenjve kuptimorë në shtretërit e tyre të natyrshëm…, kjo do ta shpëtonte ligjëratën publike nga përmbytjet e kodeve subversive dhe stileve të harbuara. Përndryshe, tabutë janë joshëse për transgresivët, madje mahnitëse për turmat kur rrëzohen me rrapëllimë, ndoshta gajasëse e zbavitëse kur ngacmohen me art, aq më tepër nga lart, nga ku tabutë ruhen zakonisht me fanatizëm e nuk goditen kurrë; por rregullat bashkërisht të njohura i përkasin një universi tjetër, respektimi i të cilave duhet të jetë i natyrshëm, edhe pse i paimponueshëm me forcë. Vetëm në një hapësirë kulturore të patjetërsuar e të pandotur, vetëm në një mjedis ekologjik komunikimi, si batutat ashtu edhe reagimet do të merrnin ato ngjyra që kanë; si rrjedhim, do të mjaftonte vetëm një fëmijë për ta parë mbretin lakuriq, ose të vërtetën.

 

[Botuar tek Peizazhe të Fjalës 17 shkurt 2010]