NGA ISLAMI NË EUROPË TEK ISLAMI EUROPIAN

Në epokën e fake news, të histerive mediatike e të dukurive virale në internet është e vështirë të trajtosh tema delikate si islami dhe integrimi në vendet europiane, që duan para së gjithash kërkimin e së vërtetës, analiza të qeta e refleksione kompetente. Natyrisht, ndërlikimet e trashëguara dhe ato të sotmet nuk ndihmojnë aspak. Rreziku është që gjithçka të përfundojë në një debat që përzien në një enë lloj lloj përbërësish: politikë, socialë, kulturorë, mediatikë, me ndjenja kolektive, duke prodhuar një qull pashije e të hidhur në rastin më të mirë ose të pështirë e helmues në rastin më të keq.

Libri i botuar në italisht “Nga islami në Europë tek islami europian. Sfida e integrimit” (Dall’islam in Europa all’islam europeo. La sfida dell’integrazione), përgatitur nga Mostafa El Ayoubi e Claudio Paravati (Carocci, Romë 2018) ndjek një rrugëtim të ndryshëm në një përmasë të ndryshme e mbledh firma prestigjioze që merren me fenë, islamin, dialogun ndërkulturor e migracionin. Fija e kuqe që i përshkon të gjitha kontributet në libër është njohja që, nga një anë mbush një lakunë historike, e nga tjetra mundëson luftën ndaj paragjykimeve ndaj islamit. Por njohja duhet të jetë e ndërsjellë e duhet shoqëruar nga mirëkuptimi, që është edhe arti e aftësia intelektuale për të kuptuar e justifikuar Tjetrin në rrafshin shpirtëror e të ndjenjave, pa rënë në kurthin e strucit për të mos parë problemet që shtrohen në tryezë. Përveç kësaj, qasja korale e adoptuar nga kuratorët i ofron lexuesit çelësa të ndryshme leximi mbi raportin midis Europës e islamit, një argument jashtëzakonisht kompleks.

Tema e islamit në Europë midis të kaluarës e të tashmes (Franco Cardini) trajtohet duke folur për “islamin e moderuar”, shaminë e kokës, tiparet që bashkojnë, gjuhën politikisht korrekte, identitetin e islamit europian e duke pasur parasysh se identitetet janë në shumës e se “për nga natyra e tyre janë dinamike”. Për t’i kuptuar raportet midis Lindjes e Perëndimit (Mahmoud Salem Elsheikh) përshkruhet historia e arabëve, përhapja e gjuhës së Kuranit, rëndësia e shkencave, shkëmbimet kulturore midis botëve të ndryshme, për të dalë në përfundimin se duhet të kthehemi tek pasurimi i ndërsjellë midis qytetërimeve, duke u nisur nga shembulli i Spanjës dhe i Sicilisë.

Thelbësore pjesa që i kushtohet islamit në hapësirën publike italiane (Stefano Allievi), që i ofron lexuesit një panoramë të pasur të dhënash për islamin italian, për veçoritë e tij, midis të cilave stabiliteti, vijimësia, pluraliteti, fragmentimi, ndarja e shpërndarja në territor. I rëndësishëm pranimi i problemeve, që duhen përballur “pa druajtje politically correct“, por me qëllimin e zgjidhjes së tyre. Kuadri plotësohet nga statistikat e disponueshme për pakicat fetare në Itali (Massimo Introvigne e PierLuigi Zoccatelli).

Të flasësh për islamin e të mos prekësh çështjen e integrimit të imigrantëve (Maurizio Ambrosini) është e pamundur. Pas përshkrimit të modeleve kombëtare të integrimit qytetar – versioni aktual i një koncepti tejet të përdorur – kalohet tek integrimi si proces,  e tek racizmi i sotëm, që “ka pak të bëjë me çështjen racore në vetvete e me racizmin e vjetër pseudoshkencor”, por është më i lidhur me diferencializmin kulturor.

Njohja e përvojës fetare e të besimeve fetare mund të ishte një mënyrë për ta mbështetur islamin në Europë (Francesca Cadeddu) e kjo mund të realizohej duke e bërë sistemik studimin, mësimin e alfabetizimin fetar. E këtu hyn në lojë koncepti i lirisë fetare dhe i laicitetit (Elena Bein Ricco); i pari koincidon me të drejtën subjektive për zgjedhjen autonome në lëmin e fesë, pra liria e njerëzve për t’u identifikuar me besimet fetare të zgjedhura, përtej komuniteteve politike.

Vëllimi “Nga islami në Europë tek islami europian. Sfida e integrimit” i kushton hapësirë të veçantë islamit “italian” (Paolo Naso), por në kuadrin e marrëdhënieve midis shtetit italian e besimeve fetare. Me një excursus historik shumë interesant përshkruhet ajo që quhet “anomali islamike”, për të arritur tek procedura e njohjes informale e të dialogut të drejtpërdrejtë në kuadrin e një komisioni konsultues islamik italian. Rindërtimi i marrëdhënieve midis shoqatave islamike e institucioneve italiane, që kanë pësuar shpesh frenime e përshpejtime në vitet e fundit, është përnjëmend stimulues dhe i dobishëm për lexuesin. Nga kjo dosje kuptohet se kanali i komunikimit me botën islamike është mbajtur, se institucionet italiane kanë zgjedhur ballafaqimin për të luftuar radikalizmin islamist dhe se ekzistojnë hapësira procesesh unitare për përfaqësitë e ndryshme të islamit në Itali.

Por njohja e islamit në Europë kalon edhe nga rruga estetike e xhamive? Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje (Enzo Pace), fillimi gjendet tek konstatimi i ndërtimeve të xhamive në Europë, që janë gjithnjë e më të pranishme në hapësirën urbane europiane. Hartëzimi i xhamive në Europë dhe në disa vende europiane nuk përbën një gjeografi të plotë të vendeve të kulteve fetare, por bëhet fjalë gjithsesi për një përpjekje serioze, pa harruar se kjo prani ka qenë shkak për polemika të egra me karakter ideologjik e politik.

Jo vetëm godinat e kulteve, por edhe të dhënat statistikore tregojnë se myslimanët përbëjnë një element të rëndësishëm të demografisë europiane dhe se kjo prani është realitet tashmë i pakthyeshëm. Tema e myslimanëve dhe e integrimit (Karim Hannachi) nis nga ky konstatim, në pamje të parë banal, e vijon me përkatësinë identitare. Islami europian është një “proces në vijim, një dukuri komplekse, heterogjene, shumëformëshe, me përfundim të paparashikueshëm për shkak të shumëllojshmërisë së ndryshoreve”.

Është para syve fakti se islami është jashtëzakonisht i pranishëm në media, i përfaqësuar shpesh si një unicum monolit, e jo me faqet e nuancat e tij të panumërta. Në fakt, tema e islamit, midis realitetit e perceptimit (Karima Moual) nuk lihet pas dore. Madje, regjistrohet një farë largimi nga realiteti i fakteve, duke ia lënë vendin perceptimit negativ. Që këtej edhe zhdoganimi i vulgaritetit, i urrejtjes e i islamofobisë, krijimi i stereotipave, si ai i homo islamicus, e manipulimet në paraqitjen mediatike. Problemi është se obsesioni mediatik ndaj kësaj teme nuk lejon njohjen e vërtetë të kompleksitetit islamik.

Në libër nuk mund të mungonte sigurisht vëmendja ndaj shamisë së kokës, që midis detyrimit e ndalimit shtron pyetjen e pashmangshme për lirinë e grave (Marisa Iannucci). Natyrisht, duket argument i thjeshtë, por shamia islame është temë e ndërlikuar që duhet futur në kontekstin fetar, pra në përmasën historike, sociale e kulturore, me ndryshimin pasues të kuptimit të vet. Vëllimi bujt në faqet e veta referime interesante me karakter historik e fetar për shaminë, por edhe një përsiatje për diskriminimin e lidhur me shaminë pas narrativës negative për islamin, sikurse për lirinë e zgjedhjes nga ana e grave.

Shumë aktuale tema e islamit në burgjet italiane (Khalid Rhazzali), ku bashkëjetojnë prej kohësh persona të diferencuar nga pikëpamja fetare. Përpjekja e përshkrimit të realitetit të burgjeve lidhur me praninë myslimane, karakteristikat e islamit tek të burgosurit, fetarësia, hapësira e koha e praktikës fetare, është vërtet e lavdërueshme, sikundër paraqitja e përpjekjeve kundër aktiviteteve radikalizuese e rekrutuese të të burgosurve në favor të terrorizmit.

Në këtë pikë dukej funksional një kuadër i përgjithshëm për myslimanët në Europë, që gjenden midis radikalizimit e islamofobisë (Mostafa El Ayoubi). Është e vërtetë se Europës iu desh të përballonte një sërë sulmesh të tmerrshme terroriste me karakter xhihadist, sikurse është e vërtetë se diskutimi zhvendoset më pas tek imigracioni e siguria. Meqenëse pjesa më e madhe e atentateve janë bërë nga të rinj myslimanë të lindur në Europë, vëllimi reflekton për përmasën sociologjike e për kanalet e radikalizimit, si dhe për terrorizmin.  Nga ana tjetër vihet re një vërshim i islamofobisë dhe formave të saj. Megjithatë, duhet pranuar se qasja siguritare e adoptuar pas atentatit të Kullave binjake nuk ka funksionuar. Duhet të adoptohet një qasje gjeopolitike win win ndaj botës myslimane dhe një model përfshirës ndaj qytetarëve me besim mysliman, duke vlerësuar të drejtat e detyrat dhe duke favorizuar bashkëjetesën e paqen sociale.

Ndonëse e mirëkuptoj objektivin e librit, i orientuar më tepër ndaj temave të islamit e të integrimit, do të kishte qenë interesante të lexonim midis kontributeve të ndryshme të çmuara të vëllimit, një shkrim kushtuar pranive myslimane ne Ballkanin perëndimor dhe karakteristikat e tyre, sepse bëhet fjalë për vende që bëjnë pjesë plotësisht në Europë edhe pse nuk janë anëtare në Bashkimin Europian. Por ndoshta kjo vërejtje lind nga ndjeshmëri me karakter personal.

Megjithatë, libri “Nga islami në Europë tek islami europian. Sfida e integrimit”, kuruar nga Mostafa El Ayoubi e Claudio Paravati paraqitet i plotë, aktual e shumë stimulues për ata që duan t’i njohin aspektet e ndryshme të islamit në Europë, me një titull kuptimplotë. Vlera e librit qëndron pikërisht në procesin e njohjes që fillon me reflektimet e veta të thella – që shkojnë hapur kundër rrymës së sipërfaqshmërisë së sotme -, por pa lënë pas dore propozimet e ndryshme për të gjetur rrugëdalje nga situata aktuale. Është e tepërt të kujtojmë se bëhet fjalë për të ardhmen e shoqërisë sonë.

 

Rando Devole

 

P.S. Libri në fjalë gjendet edhe tek libraritë Adrion në Shqipëri.