SI PIRAMIDA DHE TEATRI

nga Dardo Veleno

Pasi shkarraviti diçka mbi letër, e mbylli ngadalë stilografin elegant dhe e futi në xhepin e sipërm. Dukej sikur diçka i kishte ardhur ndër mend. Njeriu përballë po priste me padurim të dëgjonte diçka. Me ton bindës, pothuajse pedagogjik, iu drejtua: “Nuk di si t’jua shpjegoj, por ndoshta aktualiteti i politikës shqiptare na ndihmon”.

Tjetri bëri me kokë në shenjë pohimi e pritjeje. “E ke parasysh të ashtuquajturën Piramidë në Tiranë? Po, tamam, ish muzeu i diktatorit Enver Hoxha. Pak vite më parë edhe ai ka qenë në qendër të polemikave. Një pjesë donin ta prishnin, një pjesë donin ta ruanin”.

“E mbaj mend”, pëshpëriti pothuajse pa zë njeriu përballë.

“E pra, debati zgjati me muaj të tërë, ku u përfshinë arkitektë, urbanistë, intelektualë, inxhinierë, ish të persekutuar, ish komunistë, e natyrisht popull i thjeshtë. Të gjithë iu futën aq me zjarr e pasion debatit sa harruan përse kishte vajtur puna deri aty. Pak vetë e pikasën teknikën e vjetër të pushtetit. Para se t’i vërë kazmën një objekti, për arsye fitimi, pushteti e braktis atë, duke ia zbrazur kuptimin e funksionin. Në këtë mënyrë ai delegjitimohet para opinionit publik e mund të zëvendësohet me çdolloj kulle apo ndërtese moderne. Ndërkohë, njerëzit hutohen pas çikërrimave, shashkave ose rendin pas synimeve dytësore”.

Bashkëbiseduesi ndiqte me vëmendje, por sytë kërkonin ende shpjegim.

“Nëse ju kujtohet – vijoi gjithnjë me zë autoritar – pas vitit 1991 muzeu i diktatorit shqiptar u shndërrua në qendër konferencash e panairesh, për t’u bërë më pas qendra ndërkombëtare e kulturës. Mirëpo degradimi shihej nga të gjitha anët, si brenda ashtu edhe jashtë. Fëmijët duke rrëshqitur mbi mermerin e piramidës, xhamat e thyer e të palarë duke pozuar paturpësisht për turistët e habitur. Pushteti e çon deri në mjerim situatën, pastaj ndërhyn, madje duket si çlirimtar, por ndërkohë i ka bërë hesapet e veta”.

“Më falni, por nuk ju kuptoj”, mori guxim njeriu përballë duke ia ngulitur sytë kapakut të stilografit, që dukej edhe më i bukur në sfondin e bardhë.

“Nuk më kuptoni? Ja merrni shembullin e fundit të teatrit kombëtar, gjithnjë figurativisht. Ndaj tij ka pasur me vite mungesë vëmendjeje, fondesh, meremetimesh. Ndërtesa fillimisht, por edhe funksioni i saj artistik e social, me kalimin e viteve vjen e amortizohet, atrofizohet, për t’u vyshkur përballë syve të kryeqytetit. Qytetarëve në fillim ua vret shikimin, por pastaj mësohen e në fund mërziten me atë pamje, ndaj çdo lloj propozimi me vitrina farfuritëse mund t’ua prishë mendjen. Në rast se një objekt, mjet, ose institucion, nuk përdoret siç duhet ose asfare, nuk vlen më, e humb vlerën, madje është e vështirë të rehabilitohet. Si rrjedhim, vjen një moment dhe të interesuarit duan ta shohin të ndryshuar. Me pak fjalë, objektet, sendet, organet, institucionet, duhen përdorur më së miri, sipas funksionit e qëllimit të tyre, përndryshe…”.

Njeriu përballë kishte kohë që tregonte haptazi padurim dhe një farë sikleti të paidentifikueshëm. Pikërisht për të dalë nga ajo situatë e ndërpreu bashkëbiseduesin: “Më falni, vërtet nuk ju kuptoj”, tha me zë të mekur, gati duke iu marrë goja. “Jua shpjegova hallin, që nuk është i vogël. Jam i suksesshëm në fushën time, punoj njëzetë orë në ditë, biznesi më ecën mirë, pare kam boll e më shumë do të fitoj, por… Ç’hyn këtu piramida dhe teatri, unë kam ardhur tek ju si specialist androlog, për problemin tim, ngaqë nuk më… për impotencën pra”.

“Hyn, hyn, që ç’ke me të”, ia ktheu me qetësi, duke nxjerrë përsëri stilografin nga xhepi i bluzës së bardhë.

 

 

[rubrika Humor/Satirë]