INTEGRIMI SI PËRDITSHMËRI

– shqiptarët në Lacio dhe Romë –

Shqiptarët në Lacio dhe në kryeqytetin italian gjenden tashmë larg fazës së dikurshme të emergjencës, që evokon eksodet dramatike të shumë viteve më parë. Përvoja e shqiptarëve në krahinën qendrore italiane, pavarësisht problemeve specifike që kanë, tregon rrënjosje dhe integrim përgjithësisht pozitiv. Ky është fryt i normalizimit të statusit migrator të arritur në terren nga shqiptarët, domethënë në marrëdhëniet e punës, në shkolla, në pallate, pra në përditshmërinë e jetës.

Në këtë përfundim ka mbërritur Osservatorio Romano sulle Migrazioni, që sapo ka botuar raportin XIII, të përgatitur nga Idos, qendra studimore e kërkimore dhe Instituti i Studimeve Politike “S. Pio V”. Raporti, nëpërmjet analizës së studiuesit Antonio Ricci, përshkruan një sërë aspektesh interesante të pranisë së qytetarëve shqiptarë në Lacio e në Romë.

Pjesa më e madhe e shqiptarëve jetojnë në veri të Italisë, kurse Lacio zë vendin e gjashtë me 25.043 shqiptarë me leje qëndrimi të rregullt, baras me 5,7% të numrit të përgjithshëm.

Pjesa dërmuese e shqiptarëve jeton në qytetin e Romës, praktikisht dy të tretat (16.948 ose 67,7%) e komunitetit në krahinë jetojnë në kryeqytet. Më pas vijnë 3.433 shqiptarë në provincën e Frozinones (13,7%), 2.251 në Latina (9,0%), 1.541 në Viterbo (6,2%) e, në fund, 870 shqiptarë në provin­cën e Rietit (3,5%).

Përqindja e shqiptarëve në krahasim me shtetësitë e tjera nuk është e lartë: në nivel krahinor përbëjnë 6,2% e në Romë 4,9%. Përkundrazi, në Frozinone, prania e shqiptarëve është shumë e ndjeshme: 27,2% e të gjithë të huajve me leje qëndrim.

Që shqiptarët përbëjnë një komunitet me integrim të qëndrueshëm, e dëshmojnë edhe të dhënat e rezidencës. Rezidentët shqiptarë në Lacio janë 24.531, prej të cilëve 16.251 në Romë.

Si në të gjithë Italinë, flukset migratore nga Shqipëria kanë pasur fillimisht protagonistë meshkujt, më pas vijuan bashkimet familjare. Aktualisht në Lacio përqindja e meshkujve kap shifrën 51,6%. Familja shqiptare bazohet ende tek modelet tradicionale. Kjo shpjegon edhe përqindjen e lartë të të miturve Në Lacio numërohen (viti shkollor 2016/2017) 4.727 nxënës. Këtyre duhet t’i shtojmë 133 të mitur të pashoqëruar që gjenden në strukturat e pritjes në fillim të vitit 2018, një problem delikat ky, që paraqitet më i theksuar në krahina të tjera të Italisë.

Në universitetet e Lacios studiojnë 1.048 shqiptarë (620 në La Sapienza, 179 në Tor Vergata, 108 në Roma Tre, 28 në Cassino, 14 në Lumsa, etj.). Përveç këtyre janë studentët e regjistruar në universitetet telematike (gjithsej 71).

Nga fronti i punës, gjithnjë sipas Osservatorio Romano sulle Migrazioni, mund të thuhet se gjatë vitit 2016 në Lacio ka pasur 13.651 punëtorë, pjesa më e madhe e të cilëve në Romë (74,8%). Numri i grave që punojnë duket i kufizuar, kurse burrat shqiptarë punojnë kryesisht në ndërtim e bujqësi.

 

LACIO. Punonjësit shqiptarë sipas provincave (2016)

Punonjës Viterbo Rieti Roma Latina Frozinone Lacio
Numri 739 376 10.210 1.105 1.221 13.651
% 5,4 2,8 74,8 8,1 8,9 100,0

Burimi: Qendra studimore e kërkimore ldos. Përpunimi i të dhënave Inail

 

Vitet 2000 kanë shënuar rritjen e numrit të sipërmarrësve shqiptarë, që kanë shfrytëzuar njohjet e përfituara deri më sot në lëmin e punës, sikurse edhe aftësinë për t’u adaptuar në kontekstet e reja. Në fund të 2016-s, sipërmarrësit në krahinën në fjalë ishin 1.344, me një rritje nga viti 2008 deri 2016 prej 75,5%.

Komunat e brendshme në provincën e Romës kanë plot shqiptarë, kjo edhe për faktin se kushtet e banimit janë më ekonomike dhe shpeshherë janë të lidhura mirë me kryeqytetin nga pikëpamja e transportit.

 

Provinca e Romës. 10 komunat sipas shqiptarëve rezidentë (2010-2016)

Komunat 2010 2011 2012 2013 2014 2015 2016
Roma 5.924 4.595 5.017 6.716 7.243 7.220 7.163
Mentana 537 486 521 636 629 650 629
Fonte Nuova 409 432 490 494 580 577 599
Marino 458 363 401 440 512 533 541
Pomezia 355 247 267 335 344 358 343
Velletri 399 382 408 397 399 377 340
Fiano Romano 310 234 238 285 296 345 320
Guidonia Montecelio 240 215 288 297 273 291 291
Monterotondo 228 239 245 271 286 282 286
Albano Laziale 237 220 230 285 269 275 271
Lazio 14.421 12.259 13.242 15.894 16.581 16.379 16.251

Burimi: Qendra studimore e kërkimore ldos. Përpunimi i të dhënave Istat

 

Raporti i fundit i Osservatorio Romano sulle Migrazioni jep të dhëna interesante edhe për praninë e shqiptarëve sipas minibashkive të Romës, nga del qartë se shqiptarët janë të përqendruar kryesisht në periferi, saktësisht në jug-lindje të kryeqytetit italian.

Natyrisht, të dhënat e përpunuara nga Qendra studimore e kërkimore ldos, lidhur me praninë e qytetarëve shqiptarë, janë të dobishme si për institucionet italiane ashtu edhe për ato shqiptare, sikurse për shoqatat dhe sektorin e tretë që vepron në këtë krahinë.