GJUHA DHE PAKICAT GJUHËSORE

Për seminarin me titull “Gjuha e pakicat gjuhësore: shqipja dhe arbërishtja”, që u zhvillua në Romë, më 22 shkurt 2016, mund të thuhen vetëm fjalë të mira, si nga pikëpamja e temës së gjetur, ashtu edhe për nga cilësia e panelit të folësve.

Pritshmëria e krijuar u vërtetua edhe nga pjesëmarrja e shumë njerëzve – midis të cilëve edhe shkruesi i këtyre radhëve -, që e ndoqën me shumë vëmendje nismën.

Pas përshëndetjeve institucionale, moderatorja dhe ideatorja e seminarit Gerarta Zheji Ballo (Ambasada shqiptare në Romë), ia dha fjalën Luigi Berlinguer, ish Ministër i Arsimit dhe jurist i njohur. Personaliteti italian rrëfeu që në fillim se gjuha e nënës së tij ishte gjuha sarde. Pastaj u ndal tek ligji italian për pakicat gjuhësore dhe karakterin e tij barazues. Sipas Berlinguerit, plurilinguizmi është problem moral, ngaqë është element lirie, sepse “një shtet totalitar imponon uniformitetin gjuhësor”, fshin të ndryshmin, demokracinë, lirinë.

Lingua e minoranze linguistiche-l'albanese e l'arbëreshKur foli për arbëreshët, politikani italian, midis të tjerash, tha se “arbëreshët janë bërë më italianë se italianët vetë”, sepse kanë marrë pjesë në ndërtimin e kombit tonë dhe kanë pasur një protagonizëm të jashtëzakonshëm; madje kanë marrë pjesë në italianitet me shpirt vetëmohimi.

Arbëreshët, nënvizoi Berlinguer, kanë të drejtën ta mësojnë mirë gjuhën e nënës. E këtu futen një sërë problemesh operative, sikurse është rritja e financimeve nga ana e qeverisë. Pastaj aktivitetet duhet të strukturohen, prandaj edhe duhen elemente nxitjeje në këtë drejtim. Së fundi, trajtoi rëndësinë e mësimdhënies.

Nga ana e tij, Domenico Morelli, studiues arbëresh dhe njëkohësisht President i Confemili (Komiteti kombëtar federativ i pakicave gjuhësore të Italisë), falënderoi organizatorët në emrin personal, por edhe të organizatës që, prej më shumë se 25 vjetësh, punon për të krijuar solidaritet midis komuniteteve gjuhësore në Itali, për mbrojtjen e interesave të përbashkëta.

Morelli foli për lidhjet gjuhësore kulturore identitare midis arbëreshëve dhe Shqipërisë. “Këto lidhje – u shpreh ai – janë mbajtur të gjalla nga komuniteti arbëresh në Itali, që gjatë shekujve ka themeluar shpesh qendra jetike të përpunimit kulturor, të cilat i kanë dhënë kontribute thelbësore si kulturës së mëmëdheut të origjinës, ashtu edhe kulturës italiane”. Sipas Morellit, për Italinë, pluralizmi i përvojave kulturore minoritare nuk përbën aspak faktor të fragmentimit e të shpërbërjes. Përkundrazi, ky pluralizëm ka përbërë dhe përbën burim stimujsh origjinalë, duke përfaqësuar një pjesë të rëndësishme të ndërthurjes të vetë identitetit kombëtar.

Neni 6 i Kushtetutës Italiane, i cili i mbron me ligje të posaçme pakicat gjuhësore, u zbatua vetëm në fund të viteve 1990, kur Italia miratoi një ligj (nr. 482/1999) për të mbrojtur bashkësitë me gjuhë minoritare. Për mendimin e Morellit, kjo u arrit falë bashkëpunimit të shoqatave, veprimtarisë së studiuesve dhe aktivistëve. Në këtë kuadër, ka pasur një rol të rëndësishëm edhe krahina e Kalabrisë, që ka përgatitur një sërë projektesh për promovimin e kulturës e të gjuhës së pakicave.

Fondet e ligjit janë përdorur për realizimin e sporteleve gjuhësore, kurseve të formimit, projekteve në lëmin e toponomastikës, nismave kulturore, etj. Nismat e ndryshme, gjithsesi, kanë stimuluar zhvillimin e marrëdhënieve e të partnershipit me shoqata, ente, organizma, duke realizuar marrëdhënie dialogu e ballafaqimi me realitete të tjera.

Morelli nuk shprehu dyshime për bilancin e ligjit 482/1999, të cilin e konsideroi “mjaft pozitiv”, sepse ka shtuar kërkesën për përdorimin e gjuhës minoritare dhe ka përforcuar bashkëpunimin midis shoqatave. Nga ana tjetër ai përmendi  dokumentin e Këshillit për pikat kritike të mbrojtjes së pakicave gjuhësore, duke filluar nga sistemi i financimit e shpërndarja e fondeve. Këtu, relatori shpjegoi edhe ecurinë e fondeve për entet vendore dhe reduktimin e tyre. “Ky reduktim fondesh nuk lejon sigurimin e financimit të projekteve të programuara nga entet vendore, duke i anuluar objektivat e ligjit e angazhimet ndërkombëtare të nënshkruara nga Italia”. Për fonde ka nevojë shkolla, përgatitja e mësuesve, aktivitetet e shoqatave. Përveç kësaj, duhet të shtohen marrëdhëniet ndërkufitare me Shqipërinë në kuadrin e BE-së, çka do t’i forconte më tej lidhjet kulturore.

Në përfundim, profesori arbëresh vuri në dukje se arbëreshët kanë organe shtypi në shqip, kurse për gjuhën, veprimtari formimi. Mirëpo, ndërsa “martesat e përziera shumëfishohen, nuk duket se po realizohet takimi e përforcimi i ndërsjellë midis ngulmimeve të vjetra dhe migracioneve të reja nga Shqipëria”. Me sens realist, Morelli tha se arbëreshët për arsye ekonomike janë bërë emigrantë, kështu që fshatrat arbëreshe po boshatisen. Pastaj citoi shkrimtarin e mirënjohur Karmine Abate, sipas të cilit “nuk është se po zhduket gjuha, po zhduken njerëzit”.

“U takon italo-shqiptarëve ta përcaktojnë e ta ripërcaktojnë vazhdimisht vetveten, në marrëdhënie e në kundërshti si me kulturën mazhoritare (italiane), ashtu edhe me atë të origjinës (shqiptare), duke u bërë Arbëreshë”, nënvizoi Morelli *.

Në vijim të seminarit e mori fjalën Ardian Ndreca (Universiteti Papnor Urbanian), i cili foli për “një problem që shoqëron gjuhën shqipe nga gjysma e dytë e shek. XX, që ka të bëjë me uniformitetin gjuhësor”. Gjuha shqipe ka dy dialekte, toskë e gegë, dhe në Kongresin e 1972-it lindi gjuha shqipe standarde. Fillimisht si gjuhë e imponuar, për qëllime administrative, nën ndikimin e politikës, e nuk u paraqit si sintezë e mirë. “Më 1972, si një sintezë e dy dialekteve, lind një gjuhë që abuzivisht quhej gjuhë letrare, sepse ishte vetëm gjuhë standarde”. Kjo sintezë, pak e improvizuar, sepse e bërë me nxitim, kishte filluar që më 1918, me Komisinë Letrare. Çka doli në fund ishte një gjuhë që humbiste shumë si pasojë e një detyrimi strukturor.  Një nga humbjet ishte infinitivi. “Të gjithë të huajt që duan të mësojnë shqipen kanë probleme në përbërjen e foljeve. Fjalorët e japin infinitivin me vetën e parë të dëftores”.

Kjo sintezë e varfëroi gjuhën dhe ka dëmtuar edhe afrimin e shqiptarëve vetë, u shpreh Ndreca. Kanë kaluar rreth katër dhjetëvjeçarë. Situata gjeopolitike ka ndryshuar, sepse Kosova flet natyrisht shqip, por si dialekt është gegë. Gjysma e Shqipërisë, ajo gjeografike, flet pjesërisht dialektin gegë. Të dëbosh nga komuniteti një dialekt kaq të rëndësishëm, elemente të rëndësishme, ka çuar në varfërim. Dokumenti i parë shqiptar është shkruar në gegërisht.

Referuesi u kujtoi të pranishmëve se nuk kanë munguar në kohë autorë që kanë kultivuar gegërishten: Koliqi që jepte mësim në Itali, Martin Camaj nga ana tjetër… “Pas uniformitetit gjuhësor nuk ishte më e mundur të shkruhej në gegërisht. Gjuha është diçka shumë e rëndësishme për t’ua lënë në dorë vetëm politikanëve, por edhe glotologëve. Gjuha shqipe është e të gjithë shqiptarëve. Urojmë një sintezë të re, që të përqafojë më shumë elemente që vijnë nga gegërishtja, që ta pasurojë shqipen; gegërishtja pa toskërishten, është si toskërishtja pa gegërishten”.

Ndreca shprehu bindjen se ekziston një vullnet për ndryshim, se janë bërë hapa, por duhet kohë. Gjuha nuk mund të uniformohet me urdhra që vijnë nga instancat politike. Gjuha është diçka e gjallë e unifikohet duke u njohur, duke shkëmbyer, duke promovuar letërsinë nga të dy dialektet. “Unë e shkruaj shumë mirë standardin, theksoi Ndreca, por zgjodha të shkruaj e të botoj në dialektin gegë prej shumë vitesh”. Pasuria e gjuhës kalon nga dy dialektet, jo vetëm nga njëri. Gjuha nuk mund të reduktohet në gjuhën e burokratëve. Gjuha quhet e nënës, tha Ndreca, sepse rrjedh nga ajo që na jep qumësht, që së bashku me qumështin na jep edhe aftësinë e të folurit. E gjuha e nënës, e të gjithëve, është shumë e bukur.

Në fund e mori fjalën Edmond Çali (Universiteti i Napolit “L’Orientale”), i cili foli për historinë e universitetit të njohur dhe për katedrën e gjuhës shqipe pranë tij. Çali u ndal gjithashtu tek aktivitetet dhe kërkimi shkencor, që zhvillohet pranë katedrës së shqipes dhe marrëdhëniet kulturore të kësaj katedre me botën shqiptare (Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë të Tiranës dhe Universitetin e Prishtinës).

Më tej, studiuesi shqiptar trajtoi praninë e arbëreshëve dhe trysninë e tyre për të pasur një katedër. Sepse që në vitet 1800 arbëreshët kishin organe shtypi si “Ylli arbëreshëvet”. Arbëreshët bënë peticione për të pasur një katedër në Universitetin L’Orientale të Napolit. Qëllimi ishte që atje të jepte mësim i madhi Jeronim De Rada, por për arsye të moshës, ose të tjera, ai nuk e mori atë vend.

Katedra nuk u hap menjëherë. Arbëreshët pohojnë se janë rreth 200 mijë në Itali. Më 1901 jepet për herë të parë mësimi i gjuhës shqipe. Për këtë detyrë thërritet Skiro, personazh shumë i rëndësishëm. Më tej vijojnë profesorë të tjerë, deri më sot, ku në Katedër jep mësim prof. Italo Costante Fortino.

Katedra e gjuhës shqipe në Napoli është e rëndësishme, sepse zhvillon punë kërkimore shkencore dhe mësimdhënie. Kjo u hap pas presionit që bënë italo-shqiptarët, por edhe sepse qeveria italiane në atë kohë dëshironte të hynte në Ballkan e donte persona të përgatitur për të përfaqësuar interesat italiane në gadishull.

Më pas studiuesi Edmond Çali foli për botimet kryesore të Katedrës së shqipes, in primisAtlanti Dialektologjik i gjuhës shqipe, por edhe vëllimet Albanistica.

Në çastet e fundit të fjalës së tij, Çali iu referua ndërhyrjes së Ardian Ndrecës, duke u shprehur se për temën e prekur prej tij “kam një mendim pak ndryshe”, sepse kishte diçka që nuk shkonte më 1972, “por sot për sot kam mendimin se para së gjithash duhet të konstatojmë në mënyrë shkencore në çfarë niveli gjendet gjuha shqipe. Sipas meje, problemi kryesor i gjuhës së sotme shqipe është studimi i munguar, si i standardit, si i gjuhës letrare që lexohet pak, ashtu edhe i dialekteve. Po ju flet dikush që gjysmën e veprave, që lexon në lëmin e filologjisë, i studion në edicione të botuara në dialekt para 1972 e të tjerat më pas”. Më tej studiuesi shqiptar tha: “Të shohim shkaqet përse kjo e bekuar gjuhë shqipe nuk shkruhet saktësisht as në telegramet e urimeve, që i dërgohen Atit të Shenjtë, të botuara në gazeta. Duhet të studiohen nga organet kompetente, që duhet të mbajnë parasysh të gjitha kontributet. Gjuhën e konceptoj si sistem, si strukturë të përcaktuar mirë, po gjithnjë në lëvizje. Por në gjuhë duhet të ndërhyjmë në mënyrë shkencore, sepse nëse e heqim zanoren “ë” ose bashkëtingëlloren “ç”, ne e shkatërrojmë gjuhën”.

Gjithsesi, Çali ra dakord me Ndrecën që çështja e gjuhës dhe e dialekteve duhet të trajtohet mbi baza shkencore e me kohën e duhur.

Dy ndërhyrje u bënë nga salla. Të dyja nga arbëreshë, që përshëndetën e paraqitën disa probleme të botës arbëreshe. Më pas fjalën e mori Luigi Berlinguer për ta përmbyllur seminarin. Fillimisht ai i bëri komplimentet Ambasadës për këtë nismë krejt të re. “Nga diskutimet e sotme, tha ai, del se duhet t’i kërkohet dy qeverive, italiane dhe shqiptare, që të përballohen me problemin. Fakti është se problemi i disa pakicave gjuhësore në Itali është i ndryshëm. Pakicën gjuhësore në Sardenja është e pamundur që ta çrrënjosësh. Ka emigracione, varfërim, por atje njerëzit flasin me njëri tjetrin. Po kështu friulanët, në zonat altoatezine (Alto Adixhe), etj. Sepse janë po ata. Këtu, nuk flitet për një pakicë kombëtare, por për një pakicë në territor. Sardët në Sardenjë janë mazhorancë në territorin e tyre”. Situata e arbëreshëve ka veçoritë e veta. Nga ana tjetër qendron forca disa shekullore e ruajtjes së gjuhës. Por modernizimi dhe revolucioni i sotëm mund ta fshijnë një pjesë të gjeografisë së përkatësisë shoqërore.

Ish Ministri italian tregoi se ka disa nisma brenda parlamentit në këtë drejtim. Duhet ta shmangim zhdukjen. Çështja është edhe ekonomike. Më pas tha me sinqeritet: “Sa për peshën që ka pasur dialekti gegë ose toskë, nuk mund të shprehem se nuk është zanati im. Nuk mund t’ju ndihmoj shumë”.

Më pas shtoi se qeveria duhet të ruajë e të rrisë financimet. Por ka edhe financime të tjera, që jepen nga Krahinat p.sh. që janë më të ndjeshme për disa problematika. Duhet që ndërhyrjet të koordinohen.

“Duhet të rrëfej një mëkat, tha Berlinguer. Jam sard, jetoj në Toskanë, në Itali. Kam jetuar gjithnjë me idenë se Gramshi ishte një sard i madh. Por dalëngadalë zbulova se Gramshi ishte transferuar në Ales, dhe i ati i tij Xhenaro kishte shkuar atje. Gramshi thotë: unë jam shqiptar por kultura ime është italiane. Pra Gramshi ishte sard rastësisht. Por jam shumë i kënaqur për këtë fakt, se kemi diçka të përbashkët me pakica të tjera gjuhësore”. Në fund, politikani italian i kujtoi sallës se ne nuk duhet të bëjmë vetëm konferenca, por duhet të bëjmë gjëra konkrete.

Siç dallohet edhe nga përshkrimi i mësipërm (detyrimisht sintetizues), nisma ishte shumë stimuluese. Jam i bindur se disa pyetje në mendje të auditorit kanë marrë përgjigje, por shumë të tjera kanë lindur ndërkohë, gjatë diskutimit, ose më pas. Temat janë vërtet të gjera, ndaj edhe kureshtja e dëgjuesve, duke filluar nga unë, nuk mund të shuhej. Fundja nuk mund të qortohet paneli se nuk e shteroi çështjen deri në fund. Një orë e gjysmë është vërtet pak për tema madhore si këto.

Një nga kureshtjet, që me siguri kanë pasur dëgjuesit, ishte përkufizimi i pakicës gjuhësore. Kjo do ta kishte ndihmuar panelin dhe auditorin të orientohej më mirë në debatin e krijuar. Çfarë mund të konsiderohet pakicë gjuhësore ka shumë rëndësi, sepse i njëjti fenomen jep, në raport me territorin, përgjigje të ndryshme. Kureshtja mund të shkonte deri tek raportet midis pakicave të ndryshme gjuhësore në Itali, sa për të kuptuar nëse fati i tyre është i përbashkët, apo problemet e sotme i takojnë vetëm pakicës sonë. Pakicat e ndryshme, si ndërveprojnë me vendet e origjinës? Kemi modele të cilave mund t’u referohemi për veprimtarinë e ardhshme? Këtu, kompetenca e kualifikuar e Morellit dhe e Berlinguerit, si përfaqësues i pakicave e arbëresh nga njëra anë dhe politikan me përvojë e sard nga ana tjetër, e kishin pa dyshim përgjigjen e saktë.

Në Itali ka pakica gjuhësore, midis të cilave edhe arbërishtja, po në Shqipëri sa pakica të tilla kemi? A mund ta konsiderojmë gegërishten pakicë gjuhësore? Nëse jo (sikurse mendoj edhe unë) atëherë duhej shpjeguar më mirë shtrimi i nismës. Ndërhyrja e Ndrecës, si kompetent në fushën e gegërishtes, ishte interesante, edhe pse disi jashtë kuadrit të nismës në fjalë. P.sh. Ndrecës mund t’i japësh veçse të drejtë kur thotë se politika e mirëfilltë nuk duhet t’i fusë hundët në punët e gjuhës. Nuk gabon, gjithashtu, kur shprehet se nga dialektet mund të vijnë prurje pasuruese për gjuhën shqipe. Mirëpo, nga diskutimi i tij lindin shumë pyetje. A thua është e vërtetë se të huajt hasin vështirësi në mësimin e gjuhës shqipe për arsye të infinitivit? Edhe sikur kjo të ishte e vërtetë, çka mbetet absolutisht për t’u vërtetuar nga specialistët e mësimdhënies, a mund të përbëjë kjo arsye të njëmendtë për të kërkuar ndryshimin e standardit?

Çështja e marrëdhënieve të dialekteve me standardin është vërtet intriguese, edhe pse shtysa fillestare në këtë drejtim sikur ka filluar të zbehet. Është e vërtetë se gjeografikisht pjesa më e madhe i përket dialektit gegë, por është po aq e vërtetë se standardi nuk mund të konceptohet si parlament, ku të përfaqësohen të gjitha variantet gjuhësore, për arsye thjesht sistemike e gjuhësore. Kosova vërtet flet dialektin gegë, por institucionet e saj kanë zgjedhur tashmë standardin shqip, çka mund të verifikohet kollaj duke ndjekur punimet e parlamentit, ose faqet zyrtare në internet të institucioneve kosovare.

Nga ana tjetër, dihet tashmë se dialekti gegë ka pasuri të jashtëzakonshme, që mund të shfrytëzohen edhe sot për pasurimin e gjuhës shqipe, ndaj edhe ka autorë që shkruajnë variante të gegërishtes. Pavarësisht se kjo kërkon aftësi të caktuara, sepse jo të gjithë gegët mund të shkruajnë gegërishte të bukur, mbeten gjithsesi për t’u lavdëruar, madje për t’u nxitur, përpjekjet e sotme për lëvrimin e dialektit gegë në letërsi e kulturë.

Që debati e ka sharmin e vet nuk ka pikë dyshimi, por rreziku i skajëzimit ideologjik dhe i amatorizmit gjuhësor është prapa derës në çdo moment, aq sa edhe ndonjë diskutim pas nismës në fjalë u reduktua me alternativën flakëruese e ambige të llojit “a je apo s’je për infinitivin gegë”, ndërkohë që debati duhet të zhvendoset në seli të tjera, më profesioniste, ku kërkohen baza shkencore të njëmendta, siç e tha edhe Edmond Çali në fjalën e vet.

Megjithatë, ndonjë nga pjesëmarrësit në konferencë me siguri ka ndjerë dëshirën të dëgjonte ndonjë përfaqësues të pakicave gjuhësore në Shqipëri, që të na fliste për situatën e atjeshme e të bënte ndonjë paralelizëm me situatën e arbëreshëve në Itali.

Kumtesa e Edmond Çalit ishte interesante dhe ngjalli me të drejtë kureshtjen e dëgjuesve. Megjithatë, për arsye kohore, disa aspekte mbetën jashtë trajtimit, si p.sh. roli i Katedrave të shqipes në Itali për mësimdhënien e gjuhës shqipe dhe për ripërtëritjen e identitetit të arbëreshëve. Por me interes do të kishte qenë edhe hulumtimi i ndërveprimit, nga pikëpamja gjuhësore, midis migrimeve të dikurshme dhe migrimeve të sotme. Mund të lindnin edhe pyetje elementare si p.sh. përse në katedrat shqipe në Itali mësohet standardi dhe jo arbërishtja, ose gegërishtja? Përvoja shumëvjeçare dhe ekspertiza e Çalit në mësimdhënie mund t’i kishte dhënë përgjigje edhe pyetjeve të tjera që kanë të bëjnë me vështirësitë e mësimit të shqipes jashtë shtetit.

Ndoshta janë larg temës, por edhe problemet aktuale të migracionit shqiptar në Itali e gjetiu, kërkojnë zgjidhje. (Meqë ra fjala, a përbëjnë pakicë gjuhësore migrantët e sotëm? Nëse jo, përse vallë?). Në qoftë se gjuha shqipe është bartësja kryesore e identitetit shqiptar, atëherë duhet të analizojmë se ç’po ndodh sot me brezat e rinj, të cilët po e harrojnë gjuhën e nënës, duke krijuar premisat e asimilimit total. Jo vetëm institucionet, por edhe vetë migrantët duhet të pyesin veten për rolin e gjuhës në identitetin e integrimin e tyre në shoqërinë e re.

Seminari “Gjuha e pakicat gjuhësore: shqipja dhe arbërishtja”, që u zhvillua në Romë, ishte me vlerë të padiskutueshme. Vetë pyetjet që lindën në sallë e në këtë shkrim dëshmojnë drejtpërdrejt interesin që ngjalli kjo nismë kulturore. E këto radhë duhet të konceptohen gjithashtu si vlerësim e nxitje për refleksione të mëtejshme. Tani nuk mbetet gjë tjetër veçse urimi që nisma të tjera të vijojnë, për t’i ndihmuar arbëreshët e shqiptarët të kuptojnë më mirë disa nga aspektet me të rëndësishme të kulturës së tyre.

 


Fjalimin e Domenico Morelli mund ta lexoni në origjinal këtu. Me këtë rast e falenderoj në emër të Peizazhe të fjalës për pëlqimin e botimit të kumtesës.

 

[Botuar fillimisht në blogun Peizazhe të Fjalës]

Advertisements
%d bloggers like this: