PERËNDIA E MIGRANTËVE

Përvoja fetare e imigrantëve përbën pa dyshim një përmasë pak të eksploruar e ndonjëherë të keqkuptuar. Vënia e saj në qendër të tre kërkimeve shkencore është meritë e autorëve dhe kuratorëve të vëllimit “Il Dio dei migranti. Pluralismo, conflitto, integrazione” (Perëndia e migrantëve. Pluralizëm, konflikt, integrim) përgatitur nga Maurizio Ambrosini, Paolo Naso, Claudio Paravati (shtëpia botuese Il Mulino, 2019). Studimet për imamët e xhamive italiane, për ortodoksët rumunë e për fytyrat e ndryshme të krishterimit midis imigrantëve përfaqësojnë një hap përpara në rrugëtimin njohës të një shoqërie shumëkulturore e shumetnike si ajo italiane.

Tema është me gjithë mend e rëndësishme, sepse të dish se si i përjetojnë imigrantët përvojat e veta fetare, si i konceptojnë përkatësitë dhe si i ndërtojnë lidhjet midis praktikës fetare e integrimit do të thotë të njohësh shoqërinë aktuale. Studiuesit prej kohësh kanë vënë re se feja shkon përtej besimeve dhe përkatësive, ngaqë shndërrohet në hapësirë të pjesëmarrjes qytetare, jetës komunitare, mobilizimit, solidaritetit, por edhe në hapësirë të integrimit, të ruajtjes së identitetit kulturor e të mbrojtjes sociale.

Feja dhe institucionet e saj kanë një impakt të ndjeshëm mbi jetën e migrantëve, duke filluar nga përgatitja e udhëtimit migrator e deri në vendin e mbërritjes. Ndonjëherë ndodh që një institucion fetar bëhet për migrantin familje e zgjeruar dhe vend ku kultivohen miqësitë, praktikisht një vend mikpritës e solidar për t’u mbrojtur nga vetmia, mungesa e marrëdhënieve, çrrënjosja dhe vështirësitë e jetës së përditshme. Përveç kësaj, në përmasën e dukurisë fetare zhvillohen lidhjet transkombëtare jo më pak të rëndësishme.

Natyrisht ka edhe aspekte kritike, si “tundimet e vetëmjaftueshmërisë sektare” që gjenden brenda çdo përvoje fetare, por kjo tendencë përforcohet atje ku mungojnë politika njohëse të pranisë së tyre e të rolit të bashkësive besimtare.

Kërkimet e ndryshme të vëllimit “Il Dio dei migranti” (Perëndia e migrantëve) shpien në përfundime interesante. Për sa u përket imamëve, është e qartë se konteksti italian ndihmon në brumosjen e një figure me karakteristika specifike, por importimi i imamëve që u përkasin traditave të ndryshme rrezikon të shkaktojë efekte mospranimi e në kundërshtim me strategjinë e ndërtimit të islamit “italian”. Ka rëndësi parësore profili sasior e cilësor i imamëve që përshkruhet më së miri në libër, midis të cilëve imami ndërmjetës, imami që bëhet vetë i tillë dhe imami teolog.

Shumë tema të tjera trajtohen në libër: sfida e radikalizimit islamik, hapësira publike dhe format e ndërveprimit midis komuniteteve e institucioneve, imamët e së ardhmes, funksioni “priftëror” i përvoja personale, Maurizio Ambrosini, Paolo Naso, Claudio Paravatimamëve, sistemi i mirëqenies sociale fetare në disa bashkësi ortodokse, veprimtaria ortodokse rumune, marrëdhëniet me aktorët e territorit, krishterimi plural i imigrantëve në Milano.

Studimi nxjerr në pah se kishat e krishtera bëhen për migrantët vende shumëfunksionale, ku gjejnë përgjigje jo vetëm kërkesat shpirtërore, por edhe ato të përditshme dhe praktike, që kanë të bëjnë me mbështetjen e asistencën.

Përveç kësaj, analiza e institucioneve e agregimeve fetare mundëson përcaktimin e disa tendencave në vijim e sipër: pjesëmarrje nga poshtë, izomorfizëm institucional, angazhim social, reziliencë, ripërpunim kulturor. Me fjalë të tjera vërehen aspekte si pjesëmarrja vullnetare, veprimtaria komunitare, raste shoqërizimi, kontrolli i territorit, shkëmbime elementesh organizative me shoqërinë pritëse, pasioni komunitar, riprodhimi i identitetit të vet etniko-kulturor, rikuperimi i traditave, promovimi i ndjenjës së komunitetit. Shpesh qendrat fetare “karakterizohen si vende-ura, me një fytyrë të drejtuar nga kujtesa e lidhja me kontekstet e prejardhjes, dhe një fytyrë tjetër që shikon drejt së ardhmes e integrimit në shoqërinë bujtëse”.

Pjesëmarrja fetare lejon ripërpunimin përzgjedhës të elementeve kulturore, që përcaktohen sërish, pra nuk bëhet fjalë vetëm për një riprodhim të kodeve kulturore atavike. Nga një anë riafirmohet lidhja me vendin e origjinës, nga tjetra rindërtohet identiteti në kontekst të ri. Pra, bashkësitë fetare bëhen për imigrantët vende ku mund të sintonizohen nga pikëpamja identitare e kulturore, si me të shkuarën ashtu edhe me të ardhmen.

Libri “Il Dio dei migranti. Pluralismo, conflitto, integrazione” (Perëndia e migrantëve. Pluralizëm, konflikt, integrim) hedh dritë mbi aspekte të imigracionit ende pak të njohura e në të njëjtën kohë ngre probleme thelbësore që kanë të bëjnë me integrimin e imigrantëve, kohezionin social e si rrjedhim me të ardhmen e shoqërisë sonë.

 

Rando Devole

 

P.S. Recensionin në italisht, botuar në revistën FaiProposte (shkurt 2019) mund ta lexoni duke klikuar këtu.

%d bloggers like this: