KONKRETISHT

– Politika shtetërore për diasporën –

 

Thembra e Akilit e politikës shtetërore për diasporën qëndron vetëm tek një fjalë: konkretisht. Në qoftë se pyetjet bëhen duke përdorur këtë ndajfolje, në rastin më të mirë, si përgjigje mund të merren belbëzime të pakuptueshme ose fjalë të mëdha, por në thelb boshe. Mund ta fillonim me një pyetje madhore: çfarë është bërë konkretisht për diasporën, ose në lidhje me diasporën, këto vitet e fundit? Pra çfarë masash e veprimesh konkrete janë bërë në drejtim të diasporës? Si gjithnjë, rreziku është që një pyetjeje të thjeshtë autoritetet t’i përgjigjen me dokumente vullnetmira e strategji shumëvjeçare, të hartuara me mjeshtëri, por që konkretisht, pra nga pikëpamja konkrete, nuk kanë shumë vlerë.

Le të marrim panelet e porsabotuara të Samitit të Dytë, që do të zhvillohet së shpejti në Tiranë, dhe t’i shndërrojmë në pyetje. Duket si lojë, por nuk është e tillë. Titulli i panelit të parë është: “Vota si e Drejtë! Politika e Re Shtetërore për Diasporën. Diaspora dhe të drejtat e saj në vendlindje”. Shumë bukur. Çfarë është bërë konkretisht për votën e emigrantëve shqiptarë? Konkretisht, cila është politika e re shtetërore për diasporën, në ndryshim me pak vite më parë, dhe cilat janë të drejtat e diasporës në vendlindje? Paneli i dytë i kushtohet kësaj teme: “Zhvillimi Ekonomik i Qëndrueshëm. Ekonomia, Remitancat, Sipërmarrja. Vendlindja dhe Diaspora”. Mirë. Çfarë është bërë konkretisht në lëmin e zhvillimit ekonomik, gjithnjë në raport me diasporën, duke pasur parasysh rëndësinë e remitancave dhe të investimeve? Paneli i tretë ka të bëjë me kulturën e tingëllon më shumë si slogan: “Identiteti Shqiptar. E ardhmja fillon nga Diaspora! Arsimi, Kultura, Arti dhe filantropia si cilësi komunitare”. Pyetja në këtë pikë do të ishte kjo: çfarë është bërë konkretisht për identitetin shqiptar, për kulturën dhe artin për shqiptarët e diasporës? Paneli i fundit i Samitit të Dytë të diasporës ka të bëjë me turizmin e agroturizmin: “Ftesë nga Shtëpia juaj. Turizëm, Agroturizëm”. Dakord. Prapë, çfarë është realizuar konkretisht në fushën e turizmit e agroturizmit në lidhje me diasporën?

Politika shqiptare nuk ka mbetur kurrë pa fjalë, nuk do t’i linte pa përgjigje pyetjet e mësipërme. Pa dashur të mohojmë përpjekjet e deritanishme, qofshin në nivel studimor apo propagandistik, përsëri saktësimi i dytë do të ishte ky: “Është fjala konkretisht…”, në kuptimin që çfarë është bërë për votën e emigrantëve? Është miratuar ndonjë ligj i posaçëm? A ka ndonjë projekt ligj në diskutim e sipër? Nuk duhet të harrojmë se për votën e emigrantëve flitet që në fillimet e emigracionit dhe ende nuk është gjetur një zgjidhje. Po në lëmin ekonomik? Si do të tërhiqen investimet nga diaspora? Si do t’u jepet edhe më shumë vlerë remitancave? Çfarë masash janë marrë në këtë drejtim? Në lëmin e kulturës, artit e të identitetit çfarë aktivitetesh janë zhvilluar në diasporë? Sa kurse të gjuhës shqipe janë financuar nga shteti shqiptar? Sa biblioteka të librit shqip janë dhuruar? Sa e në ç’mënyrë janë ndihmuar shoqatat, që bëjnë një punë të admirueshme vullnetare në diasporë, pikërisht për të kultivuar identitetin shqiptar? Është fjala për ndihmën konkrete të shtetit shqiptar, jo për kontributet në kuadrin e programeve të financuara e të zbatuara në bashkëpunim me organizata të huaja e ndërkombëtare.

Rreziku që i kanoset politikës shtetërore për diasporën është pikërisht hendeku midis fjalëve dhe veprave. Ky rrezik dukej qartë që në Samitin e parë, por që nuk kishte një pikë krahasimi të mëparshëm, sepse ishte hera e parë që zhvillohej. Meqë ra fjala, programit të Samitit të Dytë të Diasporës i mungon pikërisht një panel hyrës ku të analizohet se çfarë është bërë nga Samiti i parë deri më sot. Konkretisht. Metodologjia mund të bazohej tek analiza e dokumentit përmbyllës dhe e punës së zhvilluar deri më sot. Me fjalë të tjera, çfarë u premtua e çfarë u realizua këto dy vjet; çfarë u arrit e çfarë u la pa bërë. Përndryshe Samitet duken sikur fillojnë gjithnjë nga e para, si për të marrë e fituar kohë, me deklarata, njoftime e panele të bukura. Diaspora meriton seriozitet e sinqeritet.

Përshtypja e shumëkujt është se diaspora nga një anë është kthyer në një skenë ku ushtrohet rregullisht retorika e politikës shqiptare, shpeshherë me ngjyresa kombëtariste; nga ana tjetër diaspora është konceptuar si një sektor për t’u mbushur me organizma e struktura ku deri tani, pavarësisht nga cilësia personale e individëve, puna më e madhe ka qenë ajo e kuadrit me emërimet dhe rolet e ndryshme.

Në fakt, fjalët më të mira për rolin e jashtëzakonshëm të diasporës për atdheun e për vendet ku ata jetojnë nuk i thonë më emigrantët shqiptarë, por përfaqësuesit e shtetit, që me zotësi i kanë përvetësuar konceptet më pozitive për diasporën dhe e shpërndajnë fjalën nëpërmjet ligjëratave të panumërta publike dhe strategjive e planeve të veprimit të ekspozuara më së miri. Mirëpo, këtu kemi të bëjmë vetëm me fjalë e retorikë, për sa kohë institucioneve u kërkohen zgjidhje problemesh e jo deklamime parimesh. Po kështu, ngritja e infrastrukturës ligjore për të rregulluar marrëdhëniet midis shtetit shqiptar e diasporës do të kishte qenë krejt normale sikur të mos kishte mbetur vetëm në lëmin e krijimit të këshillave, agjencive, fondeve, qendrave, etj. – ndonjëherë në mënyrë të diskutueshme – por të vijonte me veprimtari konkrete në të mirë të Shqipërisë e diasporës, natyrisht duke e përfshirë këtë të fundit.

Mospërputhja midis fjalëve dhe veprave, pra në përgjithësi mungesa e koherencës midis asaj që thuhet e asaj që bëhet, është patologji e vjetër e politikës. Mirëpo në fushën e diasporës kërkohet konkretësi e shpejtë, sepse mirëbesimin, vullnetin e mirë, dashurinë për atdheun dhe dëshirën për pjesëmarrje në zhvillimet e vendit, emigrantët kanë kohë që e dëshmojnë, por jo vetëm me fjalë, por edhe me vepra. Madje pa marrë rrogë nga askush, përkundrazi. Do të ishte mirë të paguheshin me të njëjtën monedhë simbolike, pra me koherencë, përndryshe pritja e gjatë dhe zhgënjimi do të kenë pa dyshim efekt negativ. Shqipëria nuk mund t’ia lejojë vetes luksin që të mos e përfshijë diasporën në zhvillimet e vendit.

 

%d bloggers like this: