“PIRAMIDA E PEZULLT”

“Piramida e pezullt” është një reportazh i shkurtër që flet për ndërtesën e Tiranës ku dikur ishte Muzeu i diktatorit shqiptar Enver Hoxha. E përuruar në fund të viteve 1980, pak vite pas vdekjes së tij, shfaqet sot krejt e braktisur, ndonëse nuk kanë munguar në kohën e pluralizmit orvatje për ripërdorim, ristrukturim, në mos për shkatërrim.

Reportazhi duket sikur hyn në aktualitetin shqiptar, i përbërë nga debate të ndezura për përdorimin e hapësirës publike, urbanistikën e re e për trajtimin e trashëgimisë historike. Megjithatë, është leximi metaforik që mbizotëron menjëherë, pas lojës me kontraste fillestare nëpërmjet pamjeve kuptimplote.

Gjendja e trishtuar e Piramidës së braktisur rrëfen shumë për një popull ende në kërkim të vetvetes. “Historia nuk duhet fshirë, por duhet kujtuar”: një gabim i bërë shpesh në të kaluarën, që nuk është shndërruar kurrë në mësim. Në fakt, gabimet mund të jenë edhe thesare, për ata që dinë t’’i pranojnë e të mos i përsërisin më.

Mos vallë kemi të bëjmë me një proces të thjeshtë? Absolutisht jo. Është pak si ngjitja sipër Piramidës: e vështirë, e parehatshme, impenjative, plot me të panjohura e me dështime të mundshme. Duhet jo vetëm njohje, por edhe angazhim i përbashkët, midis brezash e miqsh, të huaj e shqiptarë. Së bashku.

Sharmi i reportazhit “Piramida e pezullt” qëndron pikërisht tek vështrimi i dyfishtë, i brendshëm e i jashtëm, në forcën e saj simbolike e në ritmin në rritje që evokon një sfidë të madhe. Të bësh llogaritë me të kaluarën tënde është përnjëmend e mundimshme dhe marramendëse. Por ia vlen barra qiranë. Perëndimi mahnitës i së nesërmes është vërtet i mrekullueshëm.

Të bësh llogaritë me të kaluarën është çliruese.

 

Advertisements
%d bloggers like this: