GRA TË SHQIPËRISË. MIDIS MIGRIMIT, TRADITËS DHE MODERNITETIT

Sapo ka dalë nga shtypi libri Donne d’Albania. Tra migrazione, tradizione e modernità (Gra të Shqipërisë. Midis migrimit, traditës dhe modernitetit), një libër i shtëpisë botuese Com Nuovi Tempi, përgatitur nga unë dhe drejtori i revistës Confronti (www.confronti.net), Claudio Paravati.

Është libri i parë që flet për gratë e vajzat shqiptare në Itali e për rolin e tyre në vendin ku kanë mërguar e në atdhe. Një projekt i realizuar nga gratë e për gratë që flet për zhvillimin, përfshirjen sociale dhe luftën për të drejtat.

Gra të botës akademike, të angazhuara në shoqata e politikë, në administratë publike dhe në ndërmjetësim kulturor, profesioniste, sipërmarrëse, gazetare, artiste, shkrimtare, emigrante të brezit të parë e vajza të lindura në Itali, ofrojnë reflektimet, analizat e dëshmitë e tyre. Zëra të ndryshëm për të folur rreth të shkuarës, të tashmes e ëndrrat e të ardhmes, për të trajtuar sukseset, sfidat dhe problemet.

Si ishte situata e grave shqiptare para e gjatë periudhës totalitare? Çfarë ndryshoi me rënien e regjimit? Çfarë ndodhi pas valëve të para të emigrimit të viteve 1990? Sa janë shqiptaret në Itali e me çfarë merren? Ç’pasoja ka pasur procesi i migrimit mbi ato vetë, mbi shoqërinë e vendit që lanë dhe shoqërinë e vendit pritës? Janë këto e shumë të tjera, pyetjet që gjejnë përgjigje në faqet e Donne d’Albania. Tra migrazione, tradizione e modernità, një libër i vyer për vetë gratë, për të gjithë ata që merren me çështje kulturore, sociale dhe migratore. Ky botim synon fillimin i një procesi njohjeje e reflektimi për situatën e grave dhe vajzave shqiptare në Shqipëri e Itali.

Një libër i nevojshëm për të gjithë ata që kanë dëshirë ta njohin e ta kuptojnë më mirë këtë botë të larmishme, të rëndësishme dhe magjepsëse të grave e vajzave shqiptare.

Libri mund të porositet pranë revistës Confronti duke shkruar me e-mail në adresën info@confronti.net ose tek libraritë Adrion në Shqipëri.

 

Advertisements
%d bloggers like this: