NA NDAU VOTA

Votimi familjar është dukuri e dëmshme, sepse e minon nga brenda procesin zgjedhor duke ia kushtëzuar zgjedhjen qytetarëve. Nga ana tjetër, përballë kutisë së votimit, riprodhohen forma negative të trysnisë sociale, duke e mohuar lirinë individuale, si p.sh. patriarkalizmi. Demokracia, pra, e ka domosdoshmëri luftën ndaj votimit familjar, i cili e deformon vullnetin e zgjedhësve.

Mirëpo cilat janë mënyrat më të mira për ta eliminuar këtë dukuri në shoqërinë shqiptare? Mësuam nga shtypi se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi projektvendimin për “Fushatën e edukimit të zgjedhësve në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore 2011”. Gjithnjë sipas shtypit, KQZ ka vendosur t’i shpallë luftë të hapur votimit familjar, duke i detyruar burrat e gratë të rrinë veçmas në qendrën e votimit. Nga lajmet e djeshme në televizion dhe nga ato të sotmet në shtyp nuk kuptohet mirë nëse ndarja do të jetë në radhë (burrat veç e gratë veç), apo vetëm në çastin kur personi futet në kabinë elektorale.

Për ndarjen e radhës sipas gjinive kemi folur prej kohësh. Madje kemi kujtuar edhe radhët e dikurshme gjatë regjimit totalitar: nga dyqani i bulmetit deri tek zyra e pensionit. Nuk mund të mohohet se rikthimi i radhës në Shqipërinë pa viza së paku krijon habi. Ende nuk dihet me saktësi nëse KQZ-ja e ka formalizuar me shkrim këtë propozim. Hollësi nenesh nuk njoh, por logjika më thotë se mjaftojnë rregullat e sotme për ta luftuar dukurinë e votimit familjar. Rregullat e votimit nuk lejojnë që në kabinë të futen disa vetë njëherësh, përveç rasteve të pranuara nga ligji. Në qoftë se është kështu, atëherë ç’nevojë ka që ndarja e burrit me gruan të bëhet që tek dera? Apo do të bëhet që tek porta kryesore? Nuk është e qartë. Në këtë pikë gazetarët duhet të na shpjegonin më tepër, meqë faqja e internetit të KQZ-së, nuk na thotë asgjë të re, të paktën deri në këto çaste që po shkruajmë.

Ka diçka mekanike në këtë vendim, që është më lehtë ta perceptosh se sa ta shpjegosh, e gatuar ndoshta në zyrat e hirta të aparatçikëve të organizmave ndërkombëtare, qendrave studimore, ose OJQ-ve me projekte parashumë. Ndoshta po i bie kot në qafë, por e kam zor ta besoj se shqiptarët e KQZ-së nuk e dikan se ndarja gjinore në dy radhë nuk e shmang dukurinë e votimit familjar. Përkundrazi, e rikrijon ndarjen gjinore edhe nga pikëpamja figurative, deri atje ku nuk është e nevojshme, për ta rikonfirmuar e rijetësuar publikisht. Nga ana tjetër, ndikimi i burrit ndaj gruas mund të ushtrohet edhe pa praninë fizike; sepse “dhuna” psikike dhe “imponimi i votës” i ka rrënjët thellë e nuk shkulet vetëm në çastet para kutisë së votimit, apo përballë komisionit mbrojtës zgjedhor. Autoriteti patriarkal, në shumicën e rasteve, është i përbrendësuar nga gratë e të tjerët, si rrjedhim vepron edhe pas perdes së kabinës.

Kush e njeh sadopak Shqipërinë e di fare mirë se votimi familjar nuk është i shpërndarë njëtrajtshëm në të gjithë territorin e vendit. Projektvendimi i KQZ-së, për të cilin shpresoj të ketë debate të gjera, duket se kërkon një recetë të gjithanshme, duke harruar se në disa zona votimi familjar nuk ekziston fare, ose ekziston në masë të vogël. Duhet pranuar, gjithashtu, se përballë problemeve që ka sot jeta demokratike në vend, çështja e votimit familjar merr përparësi vetëm përballë ndonjë OJF-je suedeze, që skandalizohet edhe për më pak. Nuk them se nuk duhet luftuar, por zgjidhja automatike, formula e vlefshme për të gjithë territorin, shkon e merr trajta groteske. Përfytyroni për një çast se ç’kuptim do të kishte për një çift modern tiranas (të kurorëzuar, bashkëjetues, të fejuar) t’i ndaje përballë qendrës së votimit. A nuk do të mjaftonte që të futeshin veçmas në kabinën e votimit? Njëri pas tjetrit? Në distancë sigurie?

Karakteri hidraulik i këtij mekanizmi zgjedhor shkon e piqet me shijen anadollake të ndarjes gjinore. Ndërsa e para rreket të zbatojë shabllon udhëzime me standard perëndimor, e dyta sikur e talebanizon panoramën sociale të Shqipërisë. Radhët sipas gjinive mbijetojnë ende në përditshmërinë shqiptare, por janë rralluar disi vitet e fundit. Nuk është natyrisht e keqja më e madhe, por që të propozohen si terapi për një proces zgjedhor të drejtë duket ca si tepër. Importimi akritik dhe artificial i  praktikave sociale nga jashtë, ia jep vërtet luksin pamor simotrave shqiptareve, që ndoshta përfundojnë edhe në raporte lavdëruese ndërkombëtare, por në thelb nuk e zgjidhin problemin e votimit familjar.

Tek e fundit, tha dikush, unë do të votoj gjithnjë atë që më sugjeron gruaja. Çka tregon se votimi familjar ka aspekte të papritura, që duhen analizuar me themel; e që gjithsesi nuk mund të zgjidhen me një të prerë gjinore, sidomos në këto kohë moderne që po jetojmë, plot kundërshti e dritëhije.

 

[Botuar tek Peizazhe të Fjalës 19 shkurt 2011]

Advertisements
%d bloggers like this: