GЁZUAR SMS

Urimet me SMS vijnё kryesisht nё trajtё orteku. Dy janё mё kryesorёt. Orteku i parё e ul vrapin andej nga fundi i vitit, tjetri me fillimin e vitit tё ri. Siç mund tё përfytyrohet lehtë, dallga e parё e SMS-ve merr forcë nga urimet e Krishtlindjeve, dallga e dytё e gjen energjinё tek urimet e vitit tё ri.

Karakteri fetar i SMS-ve tё Krishtlindjeve shkon e puqet diku me karakterin laik tё urimeve tё vitit tё ri. Pёr pak ditё urimet vijnё bashkё, duke krijuar njё grupim tё tretё ndёrkategorial: “Gёzuar Krishtlindjet e Vitin e Ri”,  ose mё pёrgjithёsisht “Gёzuar festat”. Kёto tё fundit janё urime “politikisht korrekte”, pasi nuk mund tё akuzohen pёr diskriminime ose keqkuptime fetare. Statistikisht, orteku i parё me SMS shprehet pёrgjithёsisht nё gjuhё tё huaj, çka tregon se tё huajt u japin mё rёndёsi Krishtlindjeve se sa Vitit tё Ri. Vala e dytё ёshtё kryesisht nё shqip, plot e pёrplot me folje nё dёshirore, ku forma foljore “qoftё” ngatёrrohet me emrin “qofte”, ngaqё nё celular “ё”-ja pothuajse nuk ekziston: “Qofte ky viti i ri…”. Por ngatёrresa ёshtё jo aq e rastёsishme pёrderisa era e qofteve kundërmon gjithё shtёpinё.

SMS-tё me urime, përjashto numrin standard tё shkronjave, nuk janё si mesazhet e tjera gjatё vitit. Janё mё formale e kanё mё pak lidhje me pёrditshmёrinё. Por pasi i lexojmё SMS-tё, çfarё duhet tё bёjmё me to? Pyetje e ligjshme pёr sa kohё nuk tё arrijnё mё shumё se katёr SMS urimesh. Kur janё pak mund t’u pёrgjigjesh, emёr mё emёr, por kur janё lumenj nuk i bёn dot ballё vёrshimit tё pandalshёm. Ja disa “kёshilla” se si mund t’i trajtojmё, duke pёrfituar, dyndjet e SMS-ve gjatё festave:

– Lexojini me kujdes SMS-tё, njё pёr njё, dhe pёrgjigjuni edhe ju me SMS tё pёrsonalizuara me emёr, ose mё mirё me shkurtime emri. Kjo do t’ju marrё kohё deri vitin e ardhshёm, por nuk ka zgjidhje tjetёr nёse doni tё mbesni njeri me ndjenja tё sinqerta.

– Lexojini dhe fshijini pa u pёrgjigjur. Kjo ёshtё mёnyra mё e mirё pёr tё kursyer kohё, por rrezikoni tё dukeni i paedukatё. Pёr fat tё keq, SMS-tё nuk mund tё trajtohen si e-mailet, ku mund tё futёsh ose funksionin “bllokim spam”, ose “pёrgjigje automatike” e llojit “Nuk jam i pranishёm, dёrgomёni SMS nga viti qё vjen”.

– Prisni deri afёr festave, zgjidhni SMS-nё mё tё bukur qё ju kanё dёrguar deri nё atё çast, kopjojeni e pastaj dёrgojuani tё gjithё atyre qё gjenden nё rubrikёn tuaj telefonike, pёrveç autorit origjinal: mund t’ju kёrkojё tё drejtat.

– Pёrzgjidhni SMS-tё me urimet mё tё bukura dhe vijini mёnjanё si zairetё pёr vitin e ardhshёm. Mund t’i pёrdorni, ose mund tё krijoni njё faqe internet me shёrbimin e urimeve SMS, dy qindarka njё urim: mund tё jetё biznes me perspektivё.

– Vini mёnjanё SMS-tё qё ju drejtohen me emёr. Zakonisht SMS-tё me urime nisen me parti prej 50 njёsish. I njёjti tekst pёr shumё marrёs, e njёjta letёr pёr shumё adresa. SMS-tё me emёr e kanё domethёnien brenda, kur nuk kanё dёrgues inteligjent, ose dёrgues me smartphone qё i fut emrat automatikisht, duke ruajtur tekstin origjinal.

– Mblidhni tё gjitha SMS-tё dhe studiojini. Shkrimi i SMS-ve ёshtё art i vёrtetё, anipse urimet janё bёrё pёr SMS-tё ose e kundёrta, SMS-tё janё krijuar pёr urimet. Nuk ёshtё e lehtё tё shprehesh me pak shkronja, pёrndryshe rrezikon tё kalosh nё mesazhin e dytё dhe tarifa dyfishohet.

– Inventarizoni tё gjitha SMS-tё, pёr tё parё sa prej tyre nuk do t’ju shkruajnё vitin e ardhshëm. Mund tё dalloni miqtё nga kinse miqtё.

– Kategorizojini mesazhet sipas grupmoshave, gjinive dhe shtetёsive. Mund tё dalin pёrfundime interesante nё lёmin sociologjik, por edhe pёr pёrcaktimin e kompanisё mё tё mirё telefonike qё ofron SMS-tё mё tё lira. Ndonjёherё njerёzit mesazhohen (jo masazhohen) pёr tё shfrytёzuar paketat me oferta SMS, jo se i ka marrё malli pёr urime.

– Koleksiononi SMS-tё qё ju vijnё. Nё qoftё se ka koleksionues fluturash, pullash, kartolinash, pёrse mos tё ketё edhe koleksionues SMS-ёsh? Njё ditё mund tё vlejnё njё grusht me parà. Njё anonim i sotёm mund tё jetё i famshёm nesёr. Njё militant i sotёm mund tё jetё ministёr nesёr.

– Shikoni me vёmendje prurjet e SMS-ve. Kur shterojnё domethёnё qё festat kanё pёrfunduar. Nё kёtё rast nuk keni absolutisht nevojё pёr kalendar.

– Shqyrtoni lidhjen midis SMS-ve dhe emotikoneve. Nuk ёshtё aq e pafajshme. Ka nga ata qё komentojnё çdo gjё me emotikon :-), ose emotikojnё çdo koment. Vini re pёrputhjen e ndjenjave, urimet mund tё shoqёrohen edhe me emotikone me lotё :-(.

– Krahasoni tё gjitha SMS-tё e ardhura nё celularin tuaj me ato tё njё mikut tuaj. Do tё zbuloni gjёra interesante. Psh. qё mesazhet janё klone anonime, ose qё tё tuat janё tё papersonalizuara, kurse mikut i drejtohen me emёr.

– Pasuroni rubrikёn tuaj telefonike. Breshёria me SMS ёshtё rasti mё i mirё pёr tё plotёsuar rubrikёn tuaj tё dёmtuar ose tё papёrfunduar. Nё SMS-tё e urimeve do tё gjeni numra celularёsh qё kishit humbur ose fshirё gabimisht, ose thjesht “miq” qё nuk i kujtonit qё nga SMS-ja e kaluar, e vitit tё kaluar.

– Mёsoni gjuhёn e ardhshme me SMS-tё e sotme. Aktualisht nёpёrmjet SMS-ve njerёzit dashurohen, ndahen, flirtojnё, shahen, kёrcёnohen, pajtohen,… Nesёr SMS-tё mund tё pёrbёjnё standardin e komunikimit, me prurje ose jo dialektore. Nё tё ardhmen edhe vetё Parlamenti mund tё funksionojё me SMS, ndoshta edhe seks mund tё bёhet me mesazhe celularёsh. Gatiteni qё tani tё ardhmen tuaj, mund tё jeni deputetё ose Don Zhuanё.

Pra urimet me SMS, qё ju vijnё nga çdo cep i globit, nuk e kanё vlerёn e vet vetёm tek dёshirat e pёrcjella. Pak rёndёsi ka se tashmё e kemi harruar se ç’do tё thotё akronimi SMS, sikurse USB, apo PPSH. Rёndёsi ka çfarё kuptimesh i japim ne akronimit SMS (Shume mesazhe standard? Si mesazhe soliste? Smesazhe soj e sorollop? Sikurse mesazhet soliste? Sikundёr mesazhe skolastike? Smesazhe sidokudo? Silur mesazhi skandaloz? Sinjal mesazhi simptomatik? Smesazh special? Spikat mesazhi spitullaq? Sulm mesazhesh spekulluese?Suazё mesazhesh sqaruese? Syth mesazhi surbull? Shёrbim mesazhesh snob?).

Tek e fundit ne sms-ojmё, pra jemi. Nga ana tjetёr, mes zhurmёs sё tingujve qё lajmёrojnё mesazhin nё celular, ne komunikojmё mё shumё me ata qё nuk na dёrgojnё tё tilla; se mungesa flet detyrimisht edhe pёr praninё. Por pastaj celulari bosh, pa SMS, do tё ishte i padurueshёm.

 

[Botuar tek Peizazhe të Fjalës – 26 dhjetor 2010]

Advertisements
%d bloggers like this: