FIJE QË LIDHEN

Kërkesat, mendimet, por edhe pritshmëria për bashkëpunimin midis shtetit shqiptar dhe diasporës së re, kanë kohë që enden tejembanë botës, kudo që jetojnë shqiptarët, por deri më sot nuk ka pasur ndonjë rast ku të ballafaqohen në mënyrë shteruese.

Edhe pse pa mëtime gjithëpërfshirëse, konferenca e Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin (IOM), e zhvilluar më 6 dhjetor 2010 në Tiranë, me titull “Bashkëpunimi mes Qeverisë dhe komuniteteve shqiptare / Diasporës së re për nismat e zhvillimit mes vendeve”, ishte tejet kuptimplotë dhe e dobishme. Merrnin pjesë përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, të shtetit shqiptar, të diasporës së re, diplomatë, ekspertë, studiues, etj. Çka e karakterizonte këtë nismë inteligjente ishte qasja objektive e konstruktive ndaj temës së zgjedhur, e shoqëruar me një vemendje të posaçme për burimet njerëzore, të lëna prej kohësh në harresë. Guri i parë i një themeli është gjithnjë pak, por i domosdoshëm për ndërtesën e ardhshme.

Para se të flitet për bashkëpunim midis shtetit shqiptar dhe emigrantëve jashtë shtetit, të quajtur konvencionalisht diasporë e re, lind pyetja nëse ata duhet të bashkëpunojnë dhe përse. Shpeshherë e marrim si të mirëqenë bashkëpunimin midis shqiptarëve në Shqipëri dhe atyre me banim jashtë shtetit, duke u nisur nga lidhja e natyrshme e tyre, por pa ia zbërthyer arsyet deri në fund. Tek e fundit në këtë botë ka diell për të gjithë dhe një copë qiell do të gjendet si për emigrantët ashtu edhe për institucionet shqiptare, pa i shtrënguar të bashkëpunojnë me forcë. Më harbutërisht mund të thuhet se emigrantët mund të bëjnë pa shtetin shqiptar, sikurse ky mund të bëjë pa qytetarët e vet nëpër botë. Si të thuash, mund të (mbi)jetojnë me ndonjë kokëçarje, por pa e çarë shumë kokën ndërsjelltazi. Por kjo indiferencë ia vlen vallë? Ua leverdis emigrantëve, shtetit, e shqiptarisë në përgjithësi, t’i qëndrojnë ftohtë njëri tjetrit?

Teorikisht është e mundur që shqiptarët të jetojnë për hesap të vet, diaspora në një anë dhe shteti nga ana tjetër. Në praktikë, duket ca më e vështirë. Në pamje të parë duket sikur kjo ka ndodhur gjatë viteve të regjimit totalitar, kur kufiri me diasporën ishte përnjimend i hekurt, dhe ndarja fizike përputhej me atë ideologjike, meqë mërgimtarët e dikurshëm, me disa përjashtime, shiheshin si armiq të betuar të diktaturës. Këta konsideroheshin përgjithësisht si të arratisur, bij kolaboracionistësh, diversantë potencialë, aleatë të armiqve të jashtëm. Megjithatë, edhe pse në trajtë negative, ekzistonte një lidhje mes shtetit shqiptar dhe diasporës së vjetër. Totalitarizmi rikarikohej vazhdimisht me polet e armiqve të jashtëm e të brendshëm, ku mërgimtarët e vjetër kishin një rol të posaçëm, ngaqë tiparet mimetizuese e aftësitë njohëse ua rrisnin rrezikshmërinë.

Filmi “Fije që priten” (1976), i realizuar në kohën e diktaturës, është emblematik për të shpjeguar marrëdhëniet e shtetit shqiptar me mërgimtarët e vjetër. Na ndihmon madje edhe vetë titulli që flet për fije që priten, pra për lidhje që shkëputen, edhe pse këtu kemi të bëjmë me ndërthurje të shërbimeve sekrete me të ikurit për arsye politike.  Në film, personazhi negativ është një shqiptar, ish kolaboracionist dhe i larguar jashtë shtetit, që shtiret si i huaj e kinse nuk e njeh shqipen. Agjenti i huaj, Sami Ameni (Reshat Arbana), zbret në aeroportin e Rinasit me një mision të caktuar: të hedhë në erë e një uzinë të madhe strategjike. Për këtë qëllim i duhet ndërlidhë agjentët e fjetur dhe të rekrutojë të rinj. Falë veprimtarisë kundërzbuluese të sigurimit të shtetit, plani i tyre dështon; Sami Amenit i “çirret maska” (pothuajse ad litteram, meqë pas syzeve të trasha fshihte një vrajë të së kaluarës) duke ia zbuluar identitetin. Shumë interesant kundërvënia e kësaj figure me të huajin, në shoqërinë e të cilit rrinte që në çastin e mbërritjes në Shqipëri. Ky i fundit, me dashurinë për popullin shqiptar, adhurimin për regjimin, naivitetin prej turisti fillestar, vihet në antitezë me djallëzinë e shqiptarit të rikthyer për qëllime të mbrapshta, çka krijon një nënndarje tjetër midis atyre që jetojnë përtej kufijve të Shqipërisë totalitare.

Sot, ndarja me thikë e shqiptarëve sipas kufijve nuk është e mundur. Aq më pak kjo mund të bëhet ideologjikisht, meqë Shqipëria po integrohet gjithnjë e më shumë në strukturat e vendeve demokratike. Megjithatë, shqiptarët mund të jetojnë jashtë vendit pa praninë e shtetit të vet. Përjashto disa nevoja elementare për dokumente të ndryshme, kjo ka ndodhur që në fillim të emigracionit. Shteti shqiptar, ja për pamundësi për t’i mbrojtur qytetarët e vet, ja për mungesë përvoje, ja për vështirësi objektive, i ka qëndruar larg qytetarëve të vet me banim jashtë, ose për të mos mohuar përpjekjet e bëra, prania e tij nuk është ndjerë sa duhet pranë tyre. Vullneti i mirë i institucioneve shqiptare për të bashkëpunuar me diasporën e re kërkon një shtysë e rimotivim të mëtejshëm. Gjithsesi, për hir të së vërtetës, duhet thënë se shteti shqiptar gjithashtu mund të ecë fare mirë pa praninë e emigracionit. Problemi është i kostos që duhet të paguajë tërësia shqiptare për bashkëpunimin e munguar.

Çdo emigrant është një dritare mbi botën. Kjo dritare mund të hapet nga të dyja anët: nga vendet pritëse, ku emigranti ka mërguar dhe nga vendlindja, nga ku emigranti është nisur. Të dyja palët veçse përfitojnë po ta çelin këtë dritare komunikimi. Nëpërmjet saj do të njohin realitete të reja, do të krijojnë lidhje të reja, do të ballafaqohen me ide të reja. Fakti që një e treta e popullsisë shqiptare gjendet jashtë shtetit tregon se Shqipëria, nëpërmjet qytetarëve të saj, ka kohë që është integruar në Europë e në strukturat perëndimore. Shumë shtete do ta kishin zili Shqipërinë që disponon një rrjet kaq të madh “aktivistësh të natyrshëm”, me fjalë të tjera përçues të (pa)vetëdijshëm të interesave shqiptare, ose kanale të përkryera komunikimi me botën. Potenciali i komunikimit që ofrojnë emigrantët, këto dritare nga ku shihet ose hyn drita e botës së zhvilluar, është i jashtëzakonshëm.

Nëse shteti shqiptar bashkëpunon me emigrantët, në rast se i ndihmon në rrugën e integrimit, pa harruar aspektin identitar, shteti ndihmon veten. Me terma ekonomike do të thuhej se bën investim afatgjatë por me përfitime të mëdha. Shqiptarët jashtë shtetit përbëjnë tashmë realitete të pamohueshme ekonomike dhe kulturore. Reduktimi i forcës së tyre vetëm në flukset e dërgesave në para përbën dritëshkurtësi. “Sharmi” i dërgesave varet si nga interesi i një sërë aktorësh ekonomikë, ashtu edhe nga mundësia për t’i vlerësuar kollaj prurjet në para nga pikëpamja sasiore. Natyrisht, nuk mund të lihet mënjanë efekti “cash” i dërgesave, ose tingulli i tyre simbolik prej monedhash në dorë, që ua tërheq detyrimisht vëmendjen operatorëve të interesuar, por edhe studiuesve të dukurisë së migracionit.

Jo të gjithë emigrantët janë sipërmarrës, por ekonomikisht të gjithë emigrantët, në një mënyrë ose një tjetër,  e mbajnë kokën mbrapa. Dikush ndihmon familjen, dikush ble shtëpi, dikush investon, dikush kalon pushimet. Edhe punëtori më i thjeshtë emigrant e ka tundimin për ta ftuar “pronarin” e vet për të investuar në Shqipëri. Kjo nuk do të thotë që të gjithë emigrantët do të kthehen, por shumica e tyre doemos e mendon kthimin. Nga pikëpamja kulturore mund të thuhet e njëjta gjë, për më tepër emigracioni shqiptar ka hyrë në rrugën e stabilizimit, çka shprehet edhe në disa aspekte të organizimit të tij. Urat e krijuara nga emigrantët janë shpeshherë të padukshme, sepse kanë këmbë e shtrat kulturor, por kjo s’do të thotë se nuk lidhin vende e kultura të ndryshme. Aktualisht, një pjesë e madhe e veprimtarive ekonomike e kulturore jashtë Shqipërisë, e kanë zanafillën tek emigracioni. Janë emigrantët ata që i promovojnë, në mënyrë direkte ose indirekte, edhe pse skenën mund ta marrë i ftuari nga Tirana.

Nga ana tjetër, emigrantëve u leverdis një shtet partner në strategjinë e përbashkët të zhvillimit të vendit. Prania e institucioneve shqiptare në mërgim i ndihmon emigrantët të integrohen e ta realizojnë më lehtë ëndrrën e tyre për një jetë më të mirë. Gjithashtu politikisht, legjitimiteti i institucioneve shqiptare vetëm se përforcohet nga bashkëpunimi me emigrantët, kurse këtyre u rritet autoriteti e prestigji kur në krah kanë një shtet që funksionon e që sheh larg. Dikush mund të pohojë se nga pikëpamja e drejtpërdrejtë politike emigrantët nuk kanë ndonjë peshë të madhe në vendet ku jetojnë; kjo vlen në të vërtetë vetëm nga ana numerike, në kuptimin që janë ende pak emigrantët që votojnë në vendet e huaja. Së pari, duhet thënë se ky numër votuesish nuk është aq i vogël, anipse nuk ka krijuar ende masë kritike për të kushtëzuar politikat e vendeve perëndimore. Së dyti, duhet nënvizuar se emigrantët po e ushtrojnë një farë roli politik, madje duke nxitur edhe takime me përfaqësues të vendlindjes.

Ka diçka fiziologjike, pra të pashmangshme, në lidhjet mes emigrantëve dhe vendlindjes së tyre. Ky predispozicion duhet inkurajuar, sepse është në të mirë të të gjithëve. Në këtë kuptim shteti shqiptar dhe diaspora e re “janë të dënuar” të kooperojnë mes tyre. Hendeku që krijohet nga largësia gjeografike me emigrantët nuk duhet shndërruar në largësi kulturore. Në qoftë se të interesuarit ndërgjegjësohen se nga bashkëpunimi vjen bashkëzhvillimi, atëherë hendeku vjen e ngushtësohet në mënyrë të natyrshme. E kur nuk është e mundur mbushja e tij, duhen hedhur themelet e urave. Atëhere edhe filmi hipotetik “Fije që lidhen”, do ta gjejë në realitet si regjizurën, ashtu edhe skenarin. Për një shqiptarì të hapur, pluraliste, moderne, përtej sindromës së rrethimit e rrezikut të shpërbërjes.

 

[Botuar tek Peizazhe të Fjalës – 13 dhjetor 2010]

Advertisements
%d bloggers like this: