ÇFARË KE QË MË SHIKON

Lajmi është mëse i rëndomtë, nga pikëpamja e kronikës së zezë. Dy shqiptarë në Margera të Italisë, afër Venecias, zihen keqas me një djalosh italian. Por ku qëndron e veçantja e këtij lajmi?

Tek titulli, në radhë të parë. Gazeta italiane “Il Gazzettino” e titullon kështu lajmin: “E sulmojnë dy shqiptarë në Margera: trevizanin e ‘shpëton’ e fejuara”. Ky lajm nuk lë hapësirë për dyshime të mundshme, që në fillim. Deklarohet faji, viktima e fajtorët, madje edhe pasaporta e tyre. Në sentencë ka edhe nuanca rozë. Viktima shpëtohet nga e fejuara; si të thuash, dashuria (sidomos ajo mes një grupi të caktuar) triumfon mbi gjithshka. Në fakt shpëtimi është në thonjëza, sepse shpëtimin e vërtetë e kryen forcat e rendit.

Në lajm mësohet shumë pak. Një djalë nga Trevizo paska qenë me të fejuarën. Dy shqiptarët e kanë rrahur, sepse njëri prej e tyre e ndjente veten të vështruar. Nuk dihet nga kush. Ndërsa italiani mbrohej nga goditjet e shqiptarëve, e fejuara mori në telefon policinë, e cila me ndërhyrjen e saj i identifikoi shqiptarët. Inicialet e këtyre nuk tregojnë shumë, përveç moshës së re. Mbetet e pashlyer, si gjithnjë në këto lajme, kombësia e keqbërësve. Janë shqiptarë.

Komentet e deritanishme tregojnë diçka më shumë, ndoshta për publikun, ose pjese të tij, për të cilin shkruhen këto lajme. “Rrini në shtëpinë tuaj“, thotë Blackmore. “Vazhdojnë të hyjnë qen e mace nga të gjitha shtetet më të këqija si Shqipëria dhe Rumani (sepse është e pamohueshme qe kriminelët më të këqij vijnë pikërisht nga këto dy kombe)“, shkruan Giorgioud. Lakonik si i pari Antonio: “Këta më mirë të rrinë në shtëpi, shporruni“. Si provë se arsyeja njerëzore nuk ka vdekur vijnë fjalët e njërit: “’Çfarë ke që më shikon? T’i thyej hundët!’ e kam dëgjuar 30 vjet më parë nga djem italianë si unë e jo nga shqiptarë“.

Ka nga ata si Massimo që e pikturon me bojëra pesimiste realitetin e Margerës, madje me varg fjalësh të renditura me qëllim: “Qyteti duhet kontrolluar nga ushtarët. Ka shqiptarë, afrikanë, drogë, seks, prostitucion, çdo gjë”. Schwarzkopf nuk është në humor, ndaj mendon se “ata që vijnë nga Lindja e Evropës nuk e kanë sensin e humorit”. Më i gjatë në të shprehur është Alex, por thelbi është ky: “Nga vendi i shqiponjave ka plot që vijnë si grabitqarë, por mjaft më, nuk duhet të mbjellin frikë e dhunë, përndryshe…“. Nuk dihet nëse ironik, provokator, apo thjesht arsyetues komenti i Karlos: “Ç’donte ai trevizani në një qytet tjetër? Të ikin të gjithë imigrantët, edhe trevizanët“. IO duket më sociologjik: “Nuk ka të bëjë me vështrimin, është sjellje tipike e këtyre njerëzve… dhe preteksti më i thjeshtë”. Rdz duket i lodhur: “Në rregulla ose jo, le të shkojnë në Shqipëri të shfryjnë dhunën e tyre: jemi ngopur vërtet me këto ngjarje”.

Nuk mëtoj të nxjerr përfundime nga disa komente, sipas gjasës të skajshme, por nga klima ekzistuese ndaj imigrantëve në Itali, diçka tregojnë. Mëtoj diçka më shumë nga gazetarët. Këta jo vetëm që duhet të heqin dorë nga etnizimi i kronikës së zezë, por edhe duhet t’i zbrazin lajmet në përgjithësi nga ngarkesat ideologjike. Tipat e llojit “Çar ke që m’shef ashtu?”, ose ”che c’hai da guardà”, të denjë për traktate sociologjie, i gjen si në Kombinat të Tiranës, ashtu edhe në Tor Bella Monaca të Romës. Ma ha mendja edhe në rrethinat e Nju Jorkut apo të Parisit. Ndoshta edhe në qendër.

Unë i dalloj nga larg sherrtarët, ndaj e hedh vështrimin gjetiu, për të shmangur kryqëzime sysh e ndërlikime të mundshme. E di që fajin e kanë ata, e di që nuk duhet të jetë ashtu. Por parapëlqej të shikoj gjetiu. Nuk e kam nga frika, e kam nga përvoja. Veçse, kur më ndodhi mua, askush nuk shkroi në gazetë, aq më pak duke përdorur tituj si: “Një kombinatas kërcënohet nga dy italianë“, ose “Sulmohet nga dy tiranas: kombinatsi shpëton për qime”. Komente, jo që jo.

Të shkalluar ka kudo. T’u japësh ngjyresa të ndryshme tregon se qëllimi është diku tjetër. Edhe mua, në këtë moment që po shkruaj në internet kafe, po më shikon pak si shumë një tip i çuditshëm me kapele. Ka gjysmë ore që s’m’i heq sytë. Edhe mua më vjen t’i them: “Çuno, ke ndonjë gjë? Çfar ke që m’shef ashtu?”, por e mbaj veten. Rreziku është që të më thotë: “Mos je Pishaku? Sa paske ndryshuar!”.

 

[Botuar tek Peizazhe të Fjalës – 31 maj 2010]

Advertisements
%d bloggers like this: