BRINJËT E DIPLOMACISË

Pak ditë para se Wikileaks të nxirrte në shesh dokumentet diplomatike, Ministri i Jashtëm i Italisë, Franko Fratini, u shpreh: “Do të jetë 11 shtatori i diplomacisë”. A thua të ketë pasur të drejtë?

Që diplomacia e shekullit tonë e ka humbur sharmin që ka pasur ta zëmë dy tre shekuj, por edhe disa dhjetëvjeçarë më parë, nuk ka pikë dyshimi. Në epokën e celularit dhe të internetit, mjafton një videokonferencë mes liderësh për ta nxjerrë “jashtë përdorimi” rolin e kujtdo ambasadori, pavarësisht nga titulli “i jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë”. Thuhet se dikur Gedafi pati propozuar, sipas gjasës në mënyrë provokuese, që t’i hiqnin ambasadat nëpër botë, meqë telefoni, faksi e të tjera mjete komunikuese moderne, i nxirrnin ato jashtë loje në mënyrë “të natyrshme”, sikurse robotët i mënjanonin punëtorët në linjën klasike të prodhimit.

Kam frikë se pohimin e Fratinit e kisha keqkuptuar në fillim. Prisja zbulime të padëgjuara, sekrete të pathëna, prapaskena shekspiriane, konspiracione galaktike. Tani që po botohen “të palarat” e diplomacisë ndërkombëtare është fare e qartë se shumë ta palara nuk ishin. Siç thotë edhe Umberto Eko, analizat e diplomatëve ngjasojmë më shumë me citime gazetash, ndonjëherë me pasqyra shtypi, si të thuash asgjë të paditur më parë. Pra nga pikëpamja e sekretit nuk po duket ndonjë atentat i hatashëm, madje 11 shtatori as duhet përmendur.

Goditja ndaj diplomacisë, ndoshta duhet parë kundrejt prestigjit të saj, sidomos në ndikimin që do të ketë botimi i Wikileaks në praktikat e ardhshme diplomatike. Pavarësisht provokimeve ekstravagante të Gedafit, por edhe kërkesave për tejdukshmëri demokratike nga opinioni, diplomacia e ka ruajtur një farë prestigji në arenën ndërkombëtare. Imagjinari i ndërtuar në shekuj, mes kasnecësh me kuaj, letra me bojë simpatike, telegrafë të shifruar, pritje ambasadash me frak, anekdota historike me personalitete, kujtime magjepsëse me mbretër, lojëra shtetesh me kompas, shpallje teatrale luftërash, etj. e ka një themel të njëmendtë edhe pse të tronditur nga interneti i sotëm. Mirëpo, pasi i lexuam raportimet diplomatike, ai tis misteri që i rrethonte ambasadat sikur vjen e fashitet, e pas kangjellave hijerënda merr formë gradualisht një zyrë shtetërore si shumë të tjera. Pritjet me shandanë e shampanjë shndërrohen në rituale të mërzitshme, raportet top secret në artikuj gossip, kureshtja në zhgënjim.

Wikileaks bëri vërtet një operacion asimetrik për sa i përket informacionit, sepse njëkohësisht i duheshin nxjerrë zorrët e barkut edhe diplomacive të vendeve të tjera, në rast se ka një farë koherence nga ata që konsiderohen ithtarë të lirisë. Mirëpo, dëmin e censurimit preventiv do ta pësojë e gjithë diplomacia planetare. Jam i bindur se edhe diplomatët shqiptarë, tash e tutje, do ta mendojnë mirë fjalën para se ta hapin gojën. Me rrezikun për ta parë veten pas disa muajsh o vitesh në Wikileaks-in e radhës nuk bëhet shaka. Normalisht, të gjithë diplomatët, ose punonjësit e shërbimeve sekrete, e dinë që pas disa dhjetëvjeçarësh fjalët apo konfidencat e tyre mund të botohen diku nga historianët, por kësaj radhe koha është shumë e shkurtër, madje proceset për të cilat flitet janë ende në zhvillim e sipër.

Tejdukshmëria absolute është e pamundur, pasi shërbimet sekrete quhen të tilla sepse duhet të jenë sekrete, kurse diplomacive u jepet detyra të negociojnë marrëdhëniet midis vendeve, çka do të thotë shpeshherë që sekreti është conditio sine qua non për arritjen e rezultateve. Madje, praktika botërore tregon se kur duan ta hedhin në erë ndonjë tryezë marrëveshjeje, dikush shkon e ua pëshpërit “sekretet” televizionit të parë që gjen aty afër. Problemi është se në publik të gjitha palët duhet të dalin fitimtarë, për t’u përligjur përballë opinioneve përkatëse. Sekretet e dala jo vetëm prishin atmosferën e domosdoshme të besimit, por i tregojnë publikut vetëm pjesë të së tërës, duke ia tjetërsuar perceptimin e çështjes.

Tani që i pamë zyrtarët nga vrima e çelësit, tani që rrëmuam në sirtarët e tyre, jemi disi më të qetë, sepse shohim tek ta të vdekshëm normalë. Ndoshta qetësi përzier me zhgënjim, njëlloj si fans-at që shohin rrudhën e parë në fytyrën e pop star-it të adhuruar. Mit që bie, frikë që davaritet. Po vetë miti si do të reagojë kur t’i thonë se nuk është më mit? Do të hyjë në depresion? Do të bëhet më njerëzor? Do t’i lërë në gardërobë frakun dhe papijonin, kostumin dhe kravatën?

Këtej e tutje mund të shkohet drejt një ripërmasimi të figurave diplomatike, ndoshta të diplomacisë vetë, por kryesisht për faj të mbivlerësimit të mëparshëm. Po Shqipëria do të bëjë përjashtim? Ka mundësi, për sa kohë mesazhet diplomatike shihen si të vërteta absolute dhe jo si shprehje të interesave të caktuara politike të një periudhe të caktuar, kur nuk janë gjykime të thjeshta personale. Këtu hyn në lojë si ksenofilia ashtu edhe mosbesimi tek institucionet vendore; si kompleksi i inferioritet ashtu edhe sindroma “dum babën”. Të gjitha të shpjegueshme, të gjitha të kuptueshme. Në krahun e brendshëm, pra lidhur me diplomacinë shqiptare, duket se gjërat janë edhe më të ndërlikuara, për sa kohë hyjnë në lojë faktorë që ia tredhin rolin diplomatëve, kur këta nuk janë viktima të vetvetes.

Wikileaks ia theu brinjët diplomacisë duke ia nxjerrë sekretet? Rolin e vet diplomacia nuk e përligj me sekretin, anipse ky është i domosdoshëm për punën, pra për administrimin e negociatave dhe të informacionit. Umberto Eko, duke pasur parasysh pasigurinë e komunikimeve moderne, mendon se informacioni tash e tutje do të përcillet me metodat e dikurshme, të vjetra por të besueshme. Me fjalë të tjera, do të ketë një kthim mbrapa. Mund të ndodhë, por shpejtësia e informacionit, e pretenduar nga globalizmi, i detyron të gjithë të rrezikojnë për hir të rendimentit. Këtu duhet peshuar rreziku, pra nëse ia vlen barra qiranë të përdorësh mjetet moderne të komunikimit.

Ndoshta sekreti më i madh është të mos kesh sekrete. Mënyra më e mirë e mbajtjes së sekretit është ta përhapësh atë kudo, në trajta të ndryshme, të copëzuar, të jetërsuar. Shqipëria p.sh. duket si vend pa sekrete, çdo gjë dihet, për çdo gjë (për)flitet. Problemi më i madh është të dallosh konfidencën nga thashethemi, të vërtetën nga gënjeshtra, udhëzimin nga depistimi. Këtu Shqipëria ngjason me shumë vende, edhe pse duket në pararojë. Por ndoshta kjo është detyra e diplomacisë: të kërkojë gjilpërën në mullar, të gjejë të vërtetën në bare e revista vipash, të integrojë informacionin zyrtar me atë të rrugës. E vështirë? Patjetër. Në këtë pikë edhe një analist i mirë është diplomat i mirë (dhe e kundërta), meqë i end elementet e pjesshme për të parë figurën e plotë.

Në filmin e njohur The Sum of All Fears (2002), bazuar në librin me të njëjtin titull të Tom Clancy-t, drejtori i shërbimeve sekrete William Cabot (Morgan Freeman), i jep një mësim të bukur analistit të ri Jack Ryan (Ben Affleck), duke i vërtetuar se puna e tyre e njëmendtë është mbajtja hapur e kanaleve të komunikimit me palën tjetër. Këto kanale komunikimi nuk kanë asgjë të mbinatyrshme, por janë të domosdoshme për të gjetur ekuilibrin e marrëdhënieve. Kush kërkon në arkivat e Wikileaks konspiracione për romane planetare, në përgjithësi do të dështojë, ngaqë të shumtën e rasteve do të gjejë materiale që i shërbejnë kanalit për ta mbajtur të grasatuar e në funksionim. Në rast nevoje, kuptohet.

 

[Botuar tek Peizazhe të Fjalës – 9 dhjetor 2010]

Advertisements
%d bloggers like this: