BORË TË BARDHA

Fjalori e quan rrobalarëse, ose makinë larëse, por ne popullorçe i kemi thënë gjithnjë lavatriçe. E emërtuar me term të huazuar ose jo, rrobalarësja nuk është objekt çfarëdo. Së pari, nuk duhet harruar se është elektroshtëpiake, pra një objekt që ndërvepron intensivisht me njeriun dhe mjedisin e tij. Rrobalarësja qëndron në udhëkryq të disa fushave semantike: ajo lidhet me familjen, punën, modernitetin, gruan. Ta shohësh historinë tonë sociale nga dritarja e rrumbullakët e rrobalarëses, e këtij syri konkav shtëpiak, do të ishte përnjëmend interesante.

Sendet flasin. Ne nuk jemi të ndërgjegjshëm, e harrojmë gjithnjë, por sendet flasin. Thonë shumë gjëra për ne; dhe nuk e bëjnë vetëm varëset, enët prej argjile, apo bizhuteritë e tjera të lashtësisë që mbushin muzetë e gjithë botës. Ka sende që, edhe pse bëjnë pjesë në jetën tonë të tanishme, e përshkruajnë shkëlqyeshëm përditshmërinë tonë komplekse.

Nuk mund të flasësh për rrobalarësen në Shqipëri pa kujtuar gratë shqiptare, sepse rrobalarësja zëvendësoi pjesërisht e kryesisht punën femërore. Mirëpo zëvendësimi mekanik i punës fizike rrëfen shumë pak, po të mos merret parasysh konteksti i rrobalarjes. Para se kjo elektroshtëpiake të trokiste në dyert tona, ose më saktë para se të lindte si objekt, larja e rrobave bëhej pranë lumit, kroit, ujit të rrjedhshëm në përgjithësi. Ose në bahçe, para shtëpisë, me ndihmën e govatave dhe enëve të tjera për mbajtjen e ujit. Ishte ndër çastet më domethënëse të shoqërizimit femëror: gratë flisnin për problemet e tyre, të fisit, të fshatit, të qytetit, etj. Zierja e teshave, hedhja e hirit, nderja e çarçafëve, shoqëroheshin me diskutime, shkëmbime mendimesh, thashetheme, çka i bënte gratë pjesëmarrëse në diskursin publik.

Në Shqipëri, ardhja e lavatriçes nuk koincidoi plotësisht me tërheqjen e rrobalarjes si proces brenda katër mureve të shtëpisë. Urbanizimi, ndërtimet e reja, industrializimi i dhjetëvjeçarëve të parë të pasluftës, i kishin syrgjynosur prej kohësh legenët dhe govatat në banjat e ngushta të apartamenteve. Hiri kishte filluar të zëvendësohej nga pluhuri larës, zjarri i drurit nga furnela me vajguri, kopshti nga muret e banjës. Me fjalë të tjera, procesi i “privatizimit” të procesit larjes së rrobave kishte nisur prej kohësh. Lavanderitë publike në Shqipëri kanë mbetur gjithnjë në kuadrin e shërbimeve publike: kopshte fëmijësh, spitale, etj. pa prekur sferën e familjeve. Gjithsesi, teshat e lara të bardha si bora kanë përshenjuar gjithnjë pastërti e prestigj social.

Përhapja e rrobalarëseve në vendin tonë nuk mund të krahasohet me të njëjtin proces që u verifikua në vende të tjera. Kryesisht për faj të sistemit ekonomik të pasluftës, makinat larëse nuk patën përhapje masive, siç ndodhi në ekonomitë e tregut. Rrobalarëset që hynë fillimisht në Shqipëri, prodhoheshin në lindje dhe jepeshin me autorizim, për shkak të numrit të kufizuar. Fakti që këto elektroshtëpiake prodhoheshin jashtë shtetit, por edhe mungesa e një konkurrence tregtare, e penguan përhapjen e gjerë të tyre. Kjo nuk e pengoi megjithatë regjimin ta “shiste” futjen e rrobalarëseve në familjet shqiptare si arritje të pushtetit popullor dhe të emancipimit femëror.

Lavatriçja, çeke apo bullgare, automatike apo gjysmëautomatike, nuk është objekt “i ftohtë” nga pikëpamja sociale. Para së gjithash, bëhet fjalë për një elektroshtëpiake femërore. Ndryshe nga frigoriferi ose televizori, rrobalarësja është perceptuar nga shoqëria si elektroshtëpiake femërore, pak a shumë si mjet pune femërore, madje si përzgjatuese e saj. Në qoftë se rrobalarësja ka ndikuar ndjeshëm mbi marrëdhëniet gjinore në vendet perëndimore, veprimi i saj në këtë drejtim duhet verifikuar me kujdes në realitetin shqiptar. Sepse veprimi potencialisht demokratizues i rrobalarëses, meqë eliminonte pjesërisht lodhjen fizike femërore dhe i jepte kohë të lirë gruas, ka rezultuar i reduktuar në Shqipëri, për shkak se hyrja e lavatriçes nuk u përshoqërua nga lëvizje sociale kolektive nga poshtë si feminizmi.

Përhapja e rrobalarëseve në Shqipëri e kaloi karakterin simbolik vetëm në vitet nëntëdhjetë. Pothuajse të gjitha familjet shqiptare u vërsulën drejt tregut për të plotësuar kuadrin e pajisjeve shtëpiake, së bashku me frigoriferin dhe televizorin. Që ardhja e lavatriçes ndikoi në përditshmërinë e grave shqiptare nuk ka pikë dyshimi. Përgjithësisht femrat e mbajnë mend mirë blerjen e rrobalarëses, çka tregon se kjo ka ndikuar (relativisht) në rehatinë e saj. Mirëpo përhapja jo gjithnjë është sinonim i përdorimit, sidomos në Shqipëri. Rrobalarësja ka një veçanti nga elektroshtëpiaket e tjera: është dyfish e lidhur me shërbimet publike. Ndërsa televizori dhe frigoriferi kanë nevojë vetëm për energji elektrike, rrobalarëses i duhet edhe ujë. Energjia dhe uji: dy elemente me pakicë në universin shqiptar.

Sot rrobalarësja nuk mungon në inventarët e shtëpive shqiptare, kryesisht në qytet. Nuk mund të mohohet kontributi i saj për lirinë e gruas dhe karakterin modern të saj, edhe pse kulturorisht kjo elektroshtëpiake mbetet kryesisht në funksion të femrës, pra me një ndarje thjesht konvencionale, si e tillë absolutisht e diskutueshme. Përballë butonave të rrobalarëses maskilizmi shqiptar ka pak mundësi për të gjetur alibi. Po të mos ishte për fazën e dytë, për nderjen e rrobave në tel, pra përballë njerëzve, shumë macho shqiptarë do ta kishin pranuar si punë. Sepse në thelb numrat e butonave të rrobalarëses nuk është se ndryshojnë nga telekomanda e televizorit.

Prania e rrobalarëses në shtëpitë shqiptare përshenjon si familjet me shumë anëtarë ashtu edhe familjet moderne. Vetë shtëpia e mobiluar nuk mund të kuptohet sot pa rrobalarëse, edhe pse shpeshherë nuk ndizet për shkak të mungesë së dritave dhe ujit të rrjedhshëm. Është çështje kulturore. Në lavanderi shkojnë kategoritë “e përkohshme”, “pa rrënjë”, si ushtarët apo studentët. Në këtë kuptim rrobalarësja ka “privatizuar“ proceset e dikurshme publike, i ka ndarë, veçuar nëpër hapësira personale, grupimet e hershme buzë përroit ose përreth kazanit me ujë të zier. Rrobalarësja si objekt, ndryshon thelbësisht nga televizori; ky i fundit rezulton me kahun nga brenda jashtë, në kuptimin që përdoret për të parë realitetin jashtë mureve shtëpiake (edhe pse pasivisht), kurse lavatriçja e kyç përfundimisht larjen publike të rrobave në mjediset e shtëpisë. Prandaj na duket kaq të çuditshme disa skena filmash amerikane ku në lavanderitë publike, të pajisura së fundi edhe me lidhje interneti, njerëzit njihen, komunikojnë, dashurohen.

Çdo pyetje mund të marrë përgjigje. Rrobalarëset janë përgjithësisht të bardha sepse duhet të përshenjojnë pastërtinë, zbukurohen me centro e dantella sepse duhen shtëpijëzuar, konsiderohen estetikisht e funksionalisht femërore sepse perceptohen të lidhura me veprimtarinë e gruas. Madje edhe pyetja se përse i nënvleftësojmë disa objekte, ose funksionin e tyre social, ose aftësinë e tyre për të na pasqyruar, objekte që i shohim dhe i përdorim përditë, e ka një përgjigje. Madje shumë përgjigje.

 

[Botuar tek Peizazhe të Fjalës – 26 nëntor 2007]

Advertisements
%d bloggers like this: