VËLLAI YNË ROM

Ferdi Berisha, rom malazez, fitoi edicionin e nëntë të Vëllait të Madh (Big Brother) në Itali. Ngjarja pati një jehonë mediatike të paparë ndonjëherë. Po përse vallë? Suksesi dhe rritja e shikuesve, veçanërisht këtë vit, nuk e shpjegojnë dot interesin e mediave për ndodhinë. Aq më i vështirë bëhet interpretimi kur jehona i kalon kufijtë shtetërorë italianë për të shkuar përtej Adriatikut: në Shqipëri.

Sipas një analize botuar në shtypin italian, me titull “Storia di un rom balcanico”, suksesi mediatik i fitores së Ferdi Berishës kishte të bënte me lidhjen e ngushtë të lajmit me historinë e rrëfyer për romin. Pra lajmi paraqitej si fundi i një narracioni, historie, tregimi. Kjo e bënte atë më joshës për publikun e gjerë televiziv, që është gjithnjë në kërkim të rrëfimeve plot emocion. Në fakt, historia e Ferdit ishte ideale për t’u rrëfyer, sepse i kishte të gjitha elementet e nevojshme: personazhi kryesor vinte nga larg (Mali i Zi), udhëtimi kishte qenë plot peripeci (me gomone), kishte pasur jetë të trazuar (familje e ndarë me probleme), ishte i ndryshëm (rom), ishte i integruar mirë (italishte e shkëlqyer) e kështu me radhë. Autorëve të emisionit nuk i mbetej gjë tjetër, veçse të shtonin në shtëpinë e Vëllait të Madh një love story(prapë histori), ndonjë intervistë mallëngjyese me nënën e motrën, ndonjë kacafytje me shëmbëlltyrë dueli me konkurrentët, për të sajuar në fund një nga gjellët më të mira televizive italiane. E në të vërtetë ashtu ndodhi. Triumfi final, me lule, drita, muzikë, vallëzime, duartrokitje, e shndërroi  përfundimisht Ferdin në hero përralle.

Ka qenë ndoshta magjia e përrallës që e nxiti shtypin shqiptar të merrej me ndodhinë televizive italiane. Artikulli i botuar tek Shekulli, me titull Një rom shqiptaro-malazez, fiton Big Brother-in italian, ishte përnjimend emblematik. Nëntitulli thelbësisht patetik: “Historia e 23-vjeçarit nga Podgorica. Por, deri më tani, nuk ka thënë kurrë që është shqiptar”. Në shtypin italian nuk është përmendur asnjëherë prejardhja shqiptare e Ferdit. Edhe kur ai vetë ka folur me të afërmit (asnjëherë në shqip) nuk është përmendur origjina shqiptare e tij. Dhënia me forcë e përkatësisë shqiptare është hipokrite kryekëput, sidomos po të kujtojmë se për vite shqiptarët janë përpjekur të distancohen nga romët që bënin krime të ndryshme në perëndim, dhe që mediat perëndimore ua citonin rregullisht përkatësinë shqiptare. E njëjta gjë po ndodh sot në Itali me rumunët, të cilët edhe në intervista televizive i kritikojnë hapur mediat që i shesin për rumunë, romët rumunë. Përveç formulës së famshme, sipas së cilës viktima një ditë transformohet në keqbërës, bie në sy hipokrizia lidhur me diskriminimin.

Nuk mund të mohohet se historia e romit malazez – po e quaj kështu përderisa nuk e ka deklaruar vetë shqiptarinë e tij – ka diçka të përbashkët me heroin modern imigrant. Ngjashmëria, disi e sforcuar, me historinë e Kledit shqiptar (prejardhje ballkanase, vuajtje, gomone, djalë i mirë, dashuri italiane, sukses televiziv) ndoshta është kapur pavetëdijshmërisht nga pseudogazetarët italianë, të cilët i përshoqëruan diku emrat e tyre, duke cituar deklaratën e Kledit për kënaqësinë që kishte provuar ditën e fitores së Ferdit. Për fat të mirë, përshoqërimet nuk u përpunuan më tej nga kolegët gazetarë shqiptarë, se puna do kishte shkuar deri atje sa ta nxirrnin kushëri me Kryeministrin shqiptar, për faj të mbiemrit, që më rezulton mjaft i përhapur në viset tona. Shpresoj që tani të mos plasë ndonjë incident diplomatik me Malin e Zi për përkatësinë e Ferdit.

Problemi nuk është nëse djaloshi Ferdi është apo jo me origjinë shqiptare; problemi është se si luajmë ne me prejardhjen e njerëzve. Me fjalë të thjeshta, kur dikush ka sukses është shqiptar, po qe humbës ka kombësi tjetër. Pasaportën shqiptare, përjashto biometriken, ka kohë që ua japim perandorëve romakë, papëve, sulltanëve, politikanëve, artistëve në mbarë botën. Po të merremi edhe me Ferdin, edhe pse djalë i mirë, po më duket vërtet tepër.

 

[Botuar tek Peizazhe të Fjalës – 1 maj 2009]

Advertisements
%d bloggers like this: