MERITOKRACIA E TRURIT

Nuk ka dyshim se në Shqipëri është verifikuar një farë mitizimi i individëve “të suksesshëm” jashtë shtetit. Mediat shqiptare e kanë bombarduar opinionin publik me mijëra artikuj, emisione televizive, reportazhe, duke krijuar personazhe me konture mitike, shpesh të pikturuar si pionierë të shqiptarisë në botë.

Është e vërtetë se shqiptarëve u ofrohej kështu mundësia për t’i projektuar ëndrrat e veta tek personat e transformuar me art në personazhe (në thelb heronj të mirëfilltë), duke e pompuar artificialisht vetëvlerësimin kolektiv prej kohësh përtokë, por është po aq e vërtetë se atyre, në këtë mënyrë, u fshehej rëndësia e faktorit “bashkësi” në rritjen e individit. Me fjalë te tjera, suksesi i fizikanit ose mjekut shqiptar në Danimarkë, ose në Amerikë, varej jo vetëm  nga përgatitja profesionale e tij, por edhe nga vlerësimi i bashkësisë bujtëse, rregullat e së cilës i dhanë përfundimisht shansin që të vinte në pah aftësitë e veta.

Në baret shqiptare, rrihet rëndom gjoksi me emra shkencëtarësh dhe artistësh që “kanë çarë” jashtë shtetit, pa harruar citime antikiteti me perandorë romakë e papë gjithfarëlloj; veçse porsa përfundon efekti ngushëllimtar i frazave “kemi aftësi ne shqiptarët“ ose ca më keq “jemi racë e zgjuar“, mbetet vetëm shija e hidhur e realitetit: shumë pak njerëz të kualifikuar janë kthyer në Shqipëri. Në fakt, përjashto projektet e dështuara të Ojq-ve të zakonshme, duhet parë se përse Shqipëria nuk arrin t’i krijojë kushtet për tërheqjen e trurit e vet. Edhe pse, në epokën e globalizimit, togfjalëshi ”truri i vet“ stonon disi. Kimisti shqiptar, projektet e të cilit financohen nga laboratorët e një vendi tjetër, e për këtë arsye fitues i shumë çmimeve ndërkombëtare, edhe sikur të kthehej në atdhe, vështirë ta quash vetëm tru shqiptar, sepse rezultatet e tij varen nga shumë faktorë, duke filluar nga rrjeti dhe ekipi brenda të cilit ka punuar me vite. Pra konteksti ka rëndësinë e vet, edhe kur flasim për kthimin e mundshëm. Duhet të pranojmë se dashuria për atdheun e ka peshën e vet, sepse është ndjenjë objektive, por nuk është vendimtare në procesin e kthimit. P.sh. kimisti shqiptar kandidat për Nobel, nuk do të kthehej në Shqipëri po qe se kjo nuk do t’i vinte në dispozicion një laborator të hajrit, të paktën si ai që kishte kur punonte jashtë shtetit. Në rast të kundërt, në përfundim të ceremonive festive me flamurë valëvitës, himn të ekzekutuar live, telekamera televizive, shtrëngim duarsh me personalitete, fotografi me buzëqeshje statike, vjen vdekja e sigurt profesionale.

Çdo kthim është edhe nisje. Kthimi, në një kuptim të caktuar, përbën migrim të dyfishtë. Desha të them se integrimi në atdhe, pas vite mungese, nuk është aq i lehtë. Kjo ndodh për arsye objektive ose subjektive. Vendi i punës duhet fituar me mund e djersë. Tapetin e kuq nuk ta shtron kush, as të presin me brohoritje apo me lule. Pastaj, të gjithë e dinë se mediokriteti nuk i lë asnjë hapësirë inteligjencës. Aktualisht, ata që kanë marrë diploma ose kanë bërë specializime jashtë shtetit, duhet të kalojnë për njohjen e tyre nëpër duart e vrazhda të burokracisë. Kjo është e kuptueshme nga an njerëzore. Kjo është aq e vërtetë sa ekziston edhe kthimi përgjysmë, ose truri që kthehet në Shqipëri, por me pasaportë ose lejeqëndrim të huaj në xhep. Është një lloj valvule sigurie në rast dështimi, krejtësisht e ligjshme, por domethënëse për faktin se kthimi është vendim delikat e i pasigurt. Pa përmendur pastaj faktorët e tjerë që kanë të bëjnë me familjet.

Shteti shqiptar cilës kategori të trurit duhet t’i japë përparësi për kthim?Shqipërisë sot i lipsen inxhinierë të anijeve kozmike apo ekonomistë? Ekspert finance apo tregtie? Kimistë apo ekspertë letërsie? Juristë apo matematicienë? Përnjimend zgjedhje e vështirë, edhe për arsyen se jo çdo gjë që mësohet në perëndim vlen për realitetin shqiptar. Shembull? Inxhinieri i fluturimeve ndërplanetare, fizikani i antimateries, ose eksperti i sistemit fiskal italian, vështirë se do ta gjente veten në Shqipëri, duke pasur parasysh se profesioni i tij mund të ushtrohet më mirë në kontekste të tjera socioekonomike. Këto dilema nuk ndihmohen aspak nga politikat skizofrenike, që nga një anë bëjnë ç’është e mundur për ta nxitur emigracionin, nga tjetra përpunojnë programe për tërheqjen e trurit të emigruar.

Megjithatë, ka plot mënyra për ta vlerësuar trurin shqiptar. Para së gjithash duke krijuar kushtet që të mos ikin nga vendi, duke i dhënë dinjitet social punës intelektuale. Përveç kësaj, mund të promovohet kthimi i tyre “virtual”, që nuk është më pak i frytshëm se ai “fizik”. Shumë studiues shqiptarë nëpër botë punojnë vullnetarisht prej kohësh për të mirën e vendlindjes, duke krijuar rrjeta bashkëpunimi me ente dhe organizma shqiptare. Këtë lidhje e krijojnë natyrshëm të gjithë emigrantët. E bën kuzhinieri shqiptar që fton pronarin të hapë një restorant në Vlorë, e bën punëtori i fabrikës që i propozon sipërmarrësit të hapë një punishte në Shkodër, e bën studiuesi që lidh departamentin e vet me Universitetin e Tiranës. Klasa drejtuese shqiptare ka vetëm një detyrë: të favorizojë formimin e kulturës së meritokracisë dhe t’i mbajë dyert hapur për të gjithë ata që mund të japin kontribut të vërtetë për bashkësinë. Shoqëria që e vlerëson meritën dëshirohet nga të gjithë, veçanërisht nga truri.

 

[Botuar tek Peizazhe të Fjalës – 17 prill 2009]

Advertisements
%d bloggers like this: