JETË QENI

Divjakën e përshoqërojmë zakonisht me idenë e argëtimit (pyjet, gjuetia, turizmi, deti, mjedisi), ndonjëherë edhe me historinë e zbarkimit të Xhevdet Mustafës në vitin 1982. Si rrjedhim, lajmi për fëmijët që punojnë në vend të zagarëve, na befason deri diku.

Mediat na njoftojnë se në këtë periudhë gjuetie (sezoni i laureshave) vijnë shumë gjahtarë të huaj, kryesisht italianë, të cilët vërdallosen nga fshatrat në perëndim të Lushnjës. Gjuetarët përdorin fëmijët e fshatrave përreth për kapjen e gjahut. Praktikisht, të miturit bëjnë punën e qenit, në këmbim të ndonjë euroje, panineje ose fisheku. Artikullin dhe videon përkatëse mund ta shihni këtu.

Që tema ka rëndësi parësore për shoqërinë shqiptare nuk ka diskutim. Ka rëndësi edhe për shoqërinë italiane në veçanti e perëndimore në përgjithësi. Në fakt mediat italiane, me të drejtë, e quajtën të arsyeshme t’i kushtonin vëmendje dukurisë, natyrisht nga pikëvështrimi i tyre (La Repubblica, 5.12.2009, P. Coppola e I. Cami).

Fillimisht dy janë gjërat që desha të nënvizoj. E para ka lidhje me indiferencën që u prit nga publiku dhe politika lajmi i mësipërm. Nuk vërejta ndonjë indinjatë qytetare kundër shfrytëzimit të fëmijëve, as pashë ndonjë tubim që të shkonte përtej mitingjeve rozë e blu karakteristike të kësaj periudhe të trazuar. Opinioni publik shqiptar duket si i mpirë dhe nuk reagon ndaj fenomeneve të tilla të papranueshme për një vend – për ta thënë me klishetë e politikës – që ka hyrë në Nato dhe mëton të bëjë pjesë në BE. Kam përshtypjen se simpoziumet rituale që bëhen nga Ojq-të shqiptare me fondet e Ojq-ve perëndimore, konventat dhe marrëveshjet ndërkombëtare që ratifikohen brenda natës në parlament, ligjet e kopjuara në bllok (edhe pse me përkthim të diskutueshëm) nga vendet kampione të të drejtave të njeriut, rrahjet e gjoksit për arritjet socio-ekonomike dhe europianësinë kulturore të vendit, sikur kanë pasur një efekt anestetik ndaj vetëdijes qytetare. Përndryshe, nuk ka se si shpjegohet heshtja relative që e rrethon këtë dukuri të shëmtuar e rreptësisht të dënueshme, që me siguri nuk shfaqet e vetmuar.

Shënimi tjetër ka të bëjë me etnizimin e dukurisë. Pa ia hequr meritat e denoncimit, lajmi i raportuar nga mediat shqiptare sikur e tepron me cilësimet e përkatësisë etnike të viktimave (fëmijët shqiptarë) dhe të keqbërësve (gjuetarët italianë). Fenomeni i përgjithshëm i shfrytëzimit të të miturve shkon përtej ngjyrës së pasaportës dhe duhet dënuar pa rezerva përtej shtetësisë së autorëve. Sot u kapën italianët, por nesër mund të kapen qytetarë nga shtete të tjera, madje edhe gjuetarë shqiptarë, me prejardhje nga shtresa e re e të kamurve. Përkatësia kombëtare edhe mund të jepet si informacion, por pa e stigmatizuar, sepse i nënshtrohet lehtë procesit të manipulimit. Jo për gjë, por nesër a pasnesër, na del që gjahtari është minoritar dhe fëmija shqiptar, ose e kundërta, dhe kush i dëgjon altoparlantët e kombëtaristëve të të gjitha ngjyrave.

Nga ana tjetër, konstatoj pa të keq se fëmijët e vendeve të varfëra po shndërrohen në kafshë, ndërkohë që vetëdija e publikut perëndimor në favor të të drejtave të qenve dhe maceve jo vetëm po rritet, por po blindohet me nisma ligjore nga më garantueset. Batutën eventuale sipas së cilës gjahtarët e huaj e bëjnë këtë për hir të zagarëve, për të respektuar të drejtat e tyre, nuk po e konsideroj më absurde se ajo sipas së cilës “po respektohen zakonet e vendit” ndaj edhe përdoren fëmijë gjatë gjuetisë. Simbolikisht, nuk di si duhet parë ky transferim jashtë shtetit dhe jashtë  species i dhunës njerëzore.

Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për shfrytëzim të punës së fëmijëve, që natyrisht përbën një nga dhunimet më të rënda të të drejtave themelore në punë. Këtu luhet me dinjitetin njerëzor të fëmijëve, subjektet më të brishta të shoqërisë, që detyrohen të bëjnë punë të rënda e poshtëruese. Meqë ky lloj shfrytëzimi, në thelb, nuk është shumë larg nga pedofilia e urryeshme, duhet thënë se aspekti ligjor, pra i dënueshmërisë së ashpër me ligj, është vetëm një anë e medaljes. Faqja tjetër pasqyron një kulturë që e sheh fëmijën si objekt a mjet për të kënaqur nevojat më të diskutueshme, kurse punën e të miturve e trajton si diçka normale. Këtu duhen parë, përtej shfajësimeve të rastit, edhe përgjegjësitë e shoqërisë dhe familjes. Gjithsesi, etiketat etnike nuk na ndihmojnë në luftën kundër kësaj plage shoqërore të patolerueshme, që për fat të keq nuk njeh kufij.

 

[Botuar tek Peizazhe të Fjalës – 13 dhjetor 2009]

Advertisements
%d bloggers like this: