SHQIPTARI QË HËNGRI QENIN

Imazhi negativ që gëzojnë shqiptarët në mediat italiane tashmë njihet nga të gjithë. Në qoftë se nga një anë ne u japim shkas për ta mbushur kronikën e zezë, nga ana tjetër nuk është se gazetarëve u mungon zelli për të luajtur me gjithfarë cilësorësh dhe titujsh mistifikues.

Arsyeja që më ra në sy lajmi me titull “Një djalë i ri ha qenin e komshies” (botuar në disa media italiane) ishte se përkonte për çudi me një maksimë të gazetarisë moderne. Sipas kësaj, kriteri i lajmshmërisë e kërkon medoemos elementin e pazakontë, të habitshëm, bizar. Thuhet në çdo manual gazetarie, se kur një qen kafshon njeriun nuk përbën lajm, por e kundërta, pra kur njeriu e kafshon qenin, këtu kemi të bëjmë me një lajm mediatikisht të pastër.

Lajmi që më tërhoqi vëmendjen tregonte se një tip në Belluno e rrahu qenin e fqinjës derisa ngordhi. Pastaj e rropi dhe i hëngri të përbrendshmet, pa harruar në fund të dilte lakuriq përballë një kalimtareje të rastit. Mësohet më tej se ky protagonist lajmesh prej manuali ishte shqiptar. Djaloshi i çuditshëm u shtrua forcërisht në spitalin psikiatrik.

Lajmi i mësipërm është argëtues në mungesë ndjenjash animaliste, por jo dhe aq po të shihet mënyra se si është dhënë nga mediat e ndryshme. Nuk duhet diplomë në komunikim për të kuptuar se titulli “Një djalë i ri ha qenin e komshies” (kështu është dhënë nga shumë media) ka efekt të ndryshëm në publik nga titulli tjetër “Një shqiptar vret dhe ha qenin e komshies” (Corriere della sera). Në rastin e dytë kemi atë që quhet “etnizim” të një fakti apo krimi. Në të vërtetë, nuk kuptohet se ku qëndron rëndësia, nga pikëpamja e lajmit, e informacionit për shtetësinë e të sëmurit psikik. Madje edhe sikur të mos ishte cilësimi “shqiptar” vetë dhënia e lajmit është e dyshimtë, përderisa dihet nga të gjithë që të sëmurët psikikë bëjnë gjëra të pazakonta. Për të mbushur faqet e gazetave mjafton që gazetarët të shkojnë andej nga çmendina, ku episode të habitshme nuk mungojnë asnjëherë.

Mund të thuhet se lexuesit dëshirojnë t’i njohin ndodhi të tilla. Ka mundësi. Në këtë rast saktësimi i shtetësisë së personit është i pashpjegueshëm, sepse nuk ka peshë informative. A thua vallë titulluesi të ketë qenë nën efektet dehëse të mitit antishqiptar? Apo ndoshta avujt turbullues prekin tashmë të gjithë, sepse qarkullojnë në kuzhinat mediatike? Në se është kështu, kohë të vështira na presin. Se disa tituj i bëjmë vetë, pa ndihmën e askujt, por edhe të tjerët plot tituj na japin, kusur s’na lënë.

Diferenca midis shtyrjes dhe dorës së zgjatur nuk është e vogël, veçanërisht kur je në buzë të greminës. Si puna jonë.

 

[Botuar tek Peizazhe të Fjalës – 10 shtator 2007]

Advertisements
%d bloggers like this: