RAI NUK FLET SHQIP

Që nga data 1 tetor 2007, RAI nuk po transmeton më lajmet në gjuhën shqipe. Bëhet fjalë për një shërbim shumëvjeçar, në valë të shkurtra, që RAI kryente për llogari të Kryeministrisë Italiane. Së bashku me shqipen, nga radiotelevizioni publik italian “fshihen” edhe gjuhë të tjera të huaja, gjithsej 26.


E kuptoj që në Shqipëri ky lajm nuk kishte si të vihej re, meqë pak vetë, në mos askush, e dëgjonte emisionin në fjalë. Kohët e arta ky emision ndoshta i ka pasur gjatë viteve të Luftës së Ftohtë. Natyrisht, për dëgjuesit shqiptarë të asaj kohe nuk mund të ketë të dhëna, por kurioziteti i madh që mbizotëronte gjithkund dhe dëshira për të ndjekur emisionet e RAI-it, përveçse dëshmitë njerëzore, na bën të mendojmë se midis periudhës së atëhershme dhe të tanishmes nuk mund të bëhen krahasime.
Emisioni i lajmeve në shqip të RAI-t u la të atrofizohej gradualisht. Lajmet nuk kishin asnjë lidhje me aktualitetin shqiptar, ishin autoreferenciale, ndërsa për gazetarë shqiptarë as që mund të bëhej fjalë. Në të vërtetë e tërë redaksia e shqipes përbëhej nga një përkthyes, detyra e të cilit ishte të përkthente në shqip lajmet që i vinin nga redaksia e RAI-it. Për dëgjuesin shqiptar bëhej e vështirë, në mos e mërzitshme, ndjekja e çështjeve si dydhomësia parlamentare, grevat e transportit lokal, sistemi i zgjedhjes në komuna, apo ndonjë kronikë e zezë nga ndonjë fshat i humbur i veriut.
Tjetër politikë ndoqën radiotelevizionet me emër si VOA (Voice of America), BBC, apo DW (Deutsche Welle). I fuqizuan redaksitë e shqipes, krijuan lidhje direkte nga Shqipëria, përqendruan vëmendjen në realitetin shqiptar. Kjo solli rritjen – sidomos në periudha krizash – të dëgjuesve të këtyre emisioneve. Disa prej tyre arritën ta transmetonin emisionin edhe në valë FM, pas marrëveshjeve të posaçme me radiotelevizione vendore.
Në qoftë se analizat nga pikëpamja e pasojave gjeostrategjike të Italisë nuk kanë munguar, problemi nuk është parë ende nga ana tjetër e Adriatikut. Mbyllja e emisionit në shqip e në gjuhë të tjera dëfton edhe mbylljen e politikës së jashtme italiane, e cila i ka mëshuar së fundi vokacionit të saj mesdhetar dhe synimeve për krijimin e një hapësire sigurie e paqe. Skizofrenia politike italiane dallohet edhe në fjalët e bukura që thuren për Ballkanin, si portë drejt vendeve të lindjes, pra si mundësi zhvillimi ekonomik për të gjithë.
Parë nga Shqipëria, lajmi i mbylljes së lajmeve të RAI-t në shqip nuk tingëllon kurrsesi pozitiv. Ndërkohë që pritej një ndërrim kursi, shërbimit iu dha dënimi kapital. Kjo pikërisht në vigjiljen e eventeve të rëndësishme si p.sh. statusi i Kosovës. Nga ana tjetër, vendet si Shqipëria kanë nevojë për vëmendje, sepse janë demokraci të brishta. Në këtë kuptim lajmet në shqip duhen kuptuar edhe si operacione kulturore, aq më tepër që RAI në italisht nuk është se dëgjohet apo shikohet si dikur.
Ndjenja e vetmisë vërtet nuk ndihet në Tiranën kaotike, por polemikat dhe zhurmat e brendshme gjithnjë e më shurdhuese, i ngjajnë jo pak këngës që ia merr fëmija në pyll kur është vetëm. Për të larguar frikën, kuptohet.

 

[Botuar tek Peizazhe të Fjalës – 8 tetor 2007]

Advertisements
%d bloggers like this: