KËPUCË LLAFAZANE

Ditë më parë fotografët na dhuruan një tjetër xhevahir. Edi Rama, në takimin (e parë?) me President Bamir Topin, kishte mbathur një palë atlete sportive. Fotografia qarkulloi nëpër faqe gazetash dhe interneti duke ngjallur kërshëri, zemëratë, ilaritet, ngritje supesh.

Që veshja është edhe mënyrë komunikimi nuk e them vetëm unë. Në këtë blog shkruam pak kohë më parë për uniformat, të cilat në spektrin e qartësisë komunikative zënë logjikisht vendin më të skajshëm. Midis të tjerash, policët, ushtarakët, murgeshat, priftërinjtë, etj. me veshjen duan të komunikojnë diçka të drejtpërdrejtë.

Do të shtoja madje se edhe mosveshja është mënyrë komunikimi. Në këtë pikë lideri i Partisë socialiste është shembull i dyanshëm. Me atlete në Presidencë dhe lakuriq në plazh publik. Përveçse në rastet kur e këshillon mjeku, ta zëmë kur ke alergji nga rrobat e banjës apo kallo dhembjeprurëse në këmbë, të gjitha të tjerat mund të merren si dëshirë për të komunikuar diçka.

Proverbi i vjetër “Sipas vendit bëhet kuvendi” vlen edhe për veshjen, jo vetëm për shprehjet verbale. Në politikë, ashtu si edhe në shoqëri, kodet kanë rëndësi për mbarëvajtjen e komunikimit. Kështu një politikan, por edhe qytetar i thjeshtë, nuk mund të hyjë me pantallona të shkurtra në kishë apo xhami, sepse ajo mënyrë veshjeje është e ligjshme, por nuk përputhet me mjedisin, ose më mirë me atë që duhet të shprehë në atë kontekst. Me fjalë të tjera respektin.

Për të njëjtën arsye Presidenti nuk mund të vishet me xhinse gjatë pritjes së një homologu në selinë zyrtare. Por mund të vishen të dy në mënyrë sportive në rast se vendosin të shkojnë për pushime, për të bërë gjimnastikë, ose për të vizituar diçka më pak protokollare, ta zëmë një fabrikë këpucësh klasike. Mund të mos na pëlqejë, por shumë parlamente në botë, ashtu si edhe klube private të njëfarëlloji, nuk lejojnë të futen meshkuj pa kravata. Fjala që përsëritet sërish është “respekti”. Birësimi i kodeve të njëjta komunikative dëfton dëshirë për komunikim të sinqertë dhe në kushte të barabarta.

Arsyet që e çuan kryetarin e partisë më të madhe opozitare të paraqitet me atlete në takimin me kreun e shtetit shqiptar mund të jenë të shumta: arsye shëndetësore, mode, personaliteti, rastësore, etj. Mirëpo çdo këndues i politikës do ta kuptonte ndryshe kombinimin e kravatës me atletet. Kumti politik i përftuar do të ishte i larmishëm: mosnjohje, njohje e pjesshme, qesëndisje, konfirmim autoriteti, vetëmjaftësi, trysni, etj. Në përgjithësi, politika shqiptare vuan nga lloj konfuzioni kodesh, ndoshta sepse këto të fundit janë ende të pakristalizuara mirë në demokracinë e re shqiptare. Nga ana tjetër, në rang institucional, vetë snobizmi nuk perceptohet si i tillë dhe as mund të shfajësohet lehtë siç bëhet zakonisht në rërën e plazhit.

Prandaj edhe shpresoj që gjatë takimit Presidenti Topi t’i ketë thënë: “Sa të bukura këto atletet. Ku i ke blerë dhe sa?”.

 

[Botuar tek Peizazhe të Fjalës 1 gusht 2007]

Advertisements
%d bloggers like this: