PRESHI KUNDËR KASTRAVECIT

Personalisht do t’i ndaja krahasimet në politikë sipas dy kritereve. Së pari, në bazë të sinqeritetit: krahasimet bëhen, o me mirëbesim, o me prapa-para-mendim. Kur hodha dyshim për krahasimet e tepruara (si Hitleri, si Stalini, si Hoxha, si Gedafi, si Ben Ali,…), midis të tjerash, kisha parasysh faktin se figura të tilla retorike ishin në thelb manipuluese, sepse në rastin më të mirë shprehnin një dëshirë, në rastin më të keq përbënin ftesë për të kopjuar një model të mëparshëm. Nuk është e rastit që krahasimi me Tunizinë u bë fillimisht nga Gjinushi në vigjilje të protestës së 21 janarit, që u interpretua nga shumëkush si ftesë për rrëzimin e qeverisë sipas modelit tunizian. Krahasimi u rimorr nga Berisha për t’i thënë troç se në Shqipëri nuk do të realizohej kurrë modeli tunizian. Të tjerat dihen…

Krahasimet manipuluese nuk i pranoj nga asnjë palë. Madje i quaj të pamoralshme. Pakti midis publikut dhe politikanëve, për t’u kuptuar gjatë komunikimit (fjalë që nuk i shkon për shtat realitetit shqiptar), është mirëbesimi. Politikanët shqiptarë i përdorin figurat retorike jo për të përcjellë mesazhe, por për t’i delegjitimuar kundërshtarët, për t’i denigruar, për t’i përdhosur, së fundi për t’i mposhtur, mundësisht deri në shfarosje. Atje ku publiku kërkon skenë, ka prapaskenë, atje ku qytetarët kërkojnë sinqeritet, ka manipulim.

Ka diçka perverse në përdorimin e retorikës politike në Shqipëri. Të gjitha forcat politike përdorin të njëjtat armë denigruese. Vetë Mubaraku, Ben Alia, Gedafi, janë përdorur si çomange krahasuese nga të dyja palët. Opozita e krahason Berishën me Ben Alinë, Gedafin, Mubarakun, mazhoranca e krahason Edi Ramën si pasardhës të Ben Alive, Gedafëve, Mubarakëve të Shqipërisë. Krahasimi me regjimin, gjithashtu, ka pësuar pothuajse neutralizim dyanësh. Mazhoranca e konsideron Edi Ramën bllokmen (së fundi me variantin e shëmtuar bllokqen), duke i kujtuar pafundësisht emrin e të atit; opozita i boton Berishës fotografitë e vjetra, duke i kujtuar lidhjet me nomenklaturën komuniste. A thua figura të tilla retorike huazohen ndërsjelltazi për t’i eliminuar efektin në publik? Lojë me shumën zero? Në këtë rast do të kishim një luftë të hollë politike në rang stilistikor, betejë për jetë a vdekje ndërmjet stilemash të komunikimit postmodern…, ndoshta thjesht virtuale; në qoftë se nuk kemi të bëjmë me një kacafytje verbale fare të rëndomtë, në rang mejhanesh ndyranake.

Natyrisht, krahasime të tilla janë bërë edhe nga qytetarë e analistë të thjeshtë, në kuptimin që nuk kanë ndonjë përgjegjësi direkte përfaqësuese. Këta ndryshojnë nga politikanët, sepse i bëjnë krahasimet me mirëbesim, ndoshta të pabazuara mirë, ndoshta të keqkuptuara, por i bëjnë me sinqeritet, në ndihmë të argumenteve të veta. Krahasimeve të tilla u kontestoj vetëm efektshmërinë figurative. Ka të drejtë Xha Xhai, nuk mund t’i ndalojmë njerëzit të bëjnë krahasime. Do të ishte absurde të ndërtonim diga censuruese kundër krahasimeve. Krahasimi i tij midis Berishës e Berluksonin nuk ka përse të ngjallë habi. Madje është intrigues. Tek e fundit, atësinë e kanë vetë mbështetësit e PD-së, që kohë më parë përmendin 3B-të (Bush, Berisha, Berluskoni). Gjithsesi, arsyetimi i Xha Xhait më erdhi në ndihmë për të bërë një dallim tjetër. Të thuash “Berisha është si Gedafi” rezulton thelbësisht e ndryshme nga “Fjalimi i Berishës si ai i Gedafit”. Fjalimet mund të krahasohen kur paraqesin analogji të forta, mundësisht me metoda filologjike skrupuloze, madje duke pyetur veten për motivet e kësaj ngjashmërie, por figurat e tyre politike kurrsesi, sepse realiteti është rrënjësisht i ndryshëm.

Kriteri i dytë lidhet me dobishmërinë e krahasimeve. Kur këto na ndihmojnë për leximin e realitetit, për kuptimin e gjendjes, për zbërthimin e politikës, atëherë janë të mirëpritura. Rasti e deshi që trazirat në Shqipëri të fillonin pak a shumë në të njëjtën periudhë me ato të Afrikës veriore. Mediat perëndimore, mesa duket krejt të befasuara sikurse kancelaritë përkatëse, filluan ta rreshtonin Shqipërinë me vendet si Tunizia, Algjeria, Egjipti, Libia, duke u rrekur t’u jepnin lexuesve një çelës interpretues të trazirave mesdhetare. Mirëpo, çelësi passepartout nuk dukej fort i dobishëm për të kuptuar realitetin shqiptar. Kjo është aq e vërtetë sa edhe vetë mediat nuk ishin dakord me homologimin e situatave të vendeve në thelb të ndryshme. Pra krahasimi nuk doli i dobishëm.

Natyrisht, nuk mund t’u kërkohet politikanëve ta shpjegojnë realitetin siç duhet. Analizat e tyre janë gjithnjë të njëashme. Analistëve u kërkohet t’i përdorin më me kujdes krahasimet, dhe figurat retorike në përgjithësi, meqë kanë si qëllim interpretimin e politikës, jo marrjen e votave. Në qoftë se politikanëve mund t’u falet përdorimi i retorikës me qëllime manipuluese, analistëve u ndalohet rreptësisht, ngaqë nuk duhet ta falsifikojnë realitetin. Nuk e përjashtoj që edhe analistët të bëjnë krahasime të guximshme, është në të drejtën e tyre por, për t’i pranuar, do të doja që t’i ofronin me sinqeritet, si të bazuara në pikëpamjet personale. Në fakt, ka plot politologë që nuk pajtohen me analizën e ngjarjeve të fundit në Shqipëri. Kjo është normale, madje e kundërta do të ishte e çuditshme. Nuk e përjashtoj gjithashtu ekzistencën e politikanëve që e krahasojnë Berishën ose Ramën me këtë apo atë të keqe universale, duke u nisur nga bindjet personale, të diktuara nga emocionet, pra koherente e në thelb të ndershme. Nuk është hera e parë që tek kundërshtari projektohen të këqijat njerëzore, por në këtë rast kemi të bëjmë me viktimë jo me xhelat, ose me të dy njëkohësisht.

Në të vërtetë figurat retorike në politikë, krahasimet, metaforat, epitetet, etj. nuk më shqetësojnë shumë po të mos kishim në tërësi një komunikim publik që zhvillohet praktikisht në një hapësirë me gaz, herë asfiksues, herë shpërthyes. Të marra veçmas, krahasimet e politikanëve nuk kanë ndonjë rëndësi të madhe, tek e fundit ka gjithnjë nga ata që ia fusin kot, që e teprojnë, që flasin pa doganë. Por tashmë komunikimi publik mund të konsiderohet tërësisht i sëmurë, meqë riprodhohet në një mjedis armiqësor ndaj komunikimit normal. Ka një garë të pashpallur midis forcave politike, përkatësisht zëdhënësve, për të gjetur epitetin më goditës, fyerjen më vrastare, krahasimin më denigrues, duke e zhvendosur kufirin e decencës gjithnjë e më tutje. Fluturimet me presh janë të rrezikshme për sa kohë e drogojnë komunikimin publik, duke e boshatisur krejtësisht, meqë hallet e vërteta të njerëzve “harrohen” nga batuta më e fundit, ajo me ngjyra të ndezura, me xixa fishekzjarrësh, me efekte hollivudiane. Ndërsa vëmendja monopolizohet nga teatri i politikës, harrojmë se jemi marrosur pas përleshjes verbale, pas intrigave të luftës për pushtet, sikur ndjekim një tragjedi shekspiriane të shkëputur nga realiteti i sotëm.

Unë jam në plate si të gjithë të tjerët, i trallisur nga spektakli i politikës shqiptare, duke ndjekur me gojë hapur preshët e kastravecët që fluturojnë rreth meje, në një vallëzim dyluftues marramendës; edhe pse rrasem pas murit, pothuajse instinktivisht, për fat të keq ua njoh destinacionin.

 

[Botuar tek Peizazhe të Fjalës – 28 shkurt 2011]

Advertisements
%d bloggers like this: