FLUTURIME ME PRESH

Të flasësh për përdorimin e figurave stilistike në ligjërimin publik shqiptar e t’i kritikosh, duke filluar ta zëmë nga krahasimet, është si të merresh me qimet në sy ndërkohë që trarët të kanë rënë mbi kokë. Si të thuash, tingëllon finesë e tepruar kur sharjet në politikë po ua kalojnë mejhaneve më të pista nënurbane.Megjithatë, kur krahasimet, metaforat, batutat, sharjet, nofkat, e tejkalojnë qerthullin politik, për të zënë vend nëpër media e në publik, atëherë problemi bëhet më i mprehtë përderisa nuk mund t’u atribuohet veçorive të politikës. Ka një fije të padukshme që i lidh figurat retorike me realitetin. Kjo lidhje është më e qartë tek krahasimet se sa tek metaforat, por ekziston edhe tek hiperbolat. Meqë ra fjala, duhet thënë se i gjithë komunikimi politik shqiptar i nënshtrohet një hiperbolizimi konstant, duke e droguar artificialisht publikun, që e ndjek skenën e politikës shpeshherë i çoroditur.

Në infosferën shqiptare qarkullojnë pa teklif e prej kohësh krahasime nga më të guximshmet. Aktorët kryesorë të politikës janë krahasuar sa e sa herë me Hitlerin, Millosheviçin, Hoxhën, e kështu me radhë. Përdorimi i këtyre krahasimeve vetëm i zhvleftëson ato, për sa kohë përdoren pa dallesat e duhura. Shembullin e fundit ndërkombëtar mund ta gjeni në rastin e intelektualit Umberto Eko, i cili e krahasoi kryeministrin italian Berluskoni me Hitlerin (sic et simpliciter). Nga titujt e gazetave binte qartë në sy se diçka nuk shkonte. Sepse të gjithë lexuesit e kuptuan se pohimi i mësipërm tingëllonte i tepërt, se kishte diçka tjetër, të pathënë, të pashpjeguar në fjalët e shkrimtarit të njohur. Ose kishte diçka që nuk shkonte në përcjelljen e tyre.

Nga vetë mediat mësuam se krahasimi ishte i induktuar, madje i provokuar. Gjatë prezantimit në Jerusalem të romanit të tij të fundit “Il cimitero di Praga” (Varrezat e Pragës), gazetarët i bënë këtë pyetje: “A mund të krahasohet Berluskoni me Gedafin e Mubarakun?”. Përgjigjja paska qenë: “Jo, krahasimi, po të flasim nga pikëpamja intelektuale, mund të bëhej me Hitlerin: edhe ai arriti në pushtet me zgjedhje të lira”. Siç shihet qartë, pohimi i Ekos ngjan krejt ndryshe nga titujt e gazetave që iu përkushtuan. Nga një anë mendimi për krahasimin i është kërkuar shprehimisht, nga tjetra ai e ka bërë krahasimin me Hitlerin në trajtën e mundësisë, vetëm nga një pikëpamje e caktuar dhe vetëm me mënyrën e ardhjes në pushtet.

Gjithsesi, ka diçka të tepruar në krahasimin e Berluskonit me Hitlerin. Krahasimi nën akuzë, në qoftë se niset nga premisat e Ekos, mund të bëhet për një sërë liderësh nëpër botë. Shumë prej tyre e kanë marrë pushtetin me zgjedhje të lira, shumë prej tyre mund të degjenerojnë në diktaturë. Mund të gjenden edhe shumë elementë të përbashkët midis diktatorëve të dikurshëm dhe atyre të tanishëm, madje edhe midis atyre që potencialisht mund të bëhen diktatorë. Krahasimi i përkryer nuk ekziston, por edhe kur është shumë difektoz nuk qëndron dot në këmbë. Madje krahasime të tilla bëhen kundërprodhuese, sepse nisen nga qëllime të mira (për të paralajmëruar rrezikun) dhe përfundojnë në zhvleftësimin e vetvetes, ndoshta nga zelli i tepruar.

Unë vetë e citoj vazhdimisht shembullin e zgjedhjes së Hitlerit për të nënvizuar idenë se ardhja në pushtet me votim të lirë nuk të imunizon automatikisht nga tendencat diktatoriale. Demokracia është gjithnjë në rrezik, sikurse rrëshqitja në diktaturë gjithnjë në pritë. Votat e qytetarëve, edhe kur janë plebishitare, nuk e autorizojnë aspak shkeljen e rregullave demokratike. Përkundrazi, ia rrisin përgjegjshmërinë e liderit.

Në Shqipëri ka kohë që krahasime të tilla bëhen në mënyrë spontane, pa u pyetur nga kurrkush, me fluturime gjuhësore pindarike nga më të guximshmet. I bënin dikur demokratët, i bëjnë sot socialistët. Këta të fundit kanë shansin të përdorin në krahasime emra tejet aktualë si Gedafi, Mubarak, Ben Ali, etj. Mirëpo hiperbolat nënkuptojnë mirëbesimin e përdoruesit; si të thuash po e teproj për t’u marrë vesh. Në rastin e krahasimeve, sidomos kur publiku është i ndarë në tifozë, teprimi perceptohet si shenjë barazie, ndaj edhe fillojnë automatikisht zhvleftësimet e spekulimet, duke shkuar tek e fundit në kufijtë e fyerjes.

Lufta politike i përmban të gjitha. Në ring, dihet, jo gjithnjë respektohen rregullat. Porse politika shqiptare ka kohë që po përleshet jashtë ringut duke përdorur karriget në vend të dorezave, sharjet në vend të fjalëve, akuzat në vend të kundërshtimeve. Deri dje thuhej se fjalët janë gurë e mund të vrasin, ngjarjet e janarit dëshmuan se fjalët mund të shndërrohen në plumba të njëmendtë. Politika shqiptare ka nevojë për normalitet, por ky nënkupton së pari kthimin e gjuhës (përfshirë figurat stilistike) në vathën e arsyes.

Ligjërimi publik shqiptar po ndotet dita ditës. Tashmë në vend të komunikimit ka sharje, fyerje, akuza. Mjafton të hapësh një gazetë çfarëdo e do të lexosh fjalë nga më të rëndat. Për provë, natyrisht pa mëtime statistikore, mora dy komente të botuara nga një e përditshme shqiptare dhe i bëra një vjelje të shpejtë leksikore.

Në artikullin e parë me titull “Plaku Skizofren dhe Mercenarët e Plakut” shënova fjalët e mëposhtme:

“Sali Berisha mund të konsiderohet tashmë një plak i rrjedhur “, “skizofren”,  “ai përdor një medikament, të quajtur “haloperidol”, për të kuruar psikozat dhe tendencat e tij skizofrenike”, “Berisha masakroi popullin”, “diktator oriental”, “zorzop”, “doza të forta paranoje”, “individë injorantë, mediokër, dhe të pavlerë për shoqërinë”, “përbindëshi”, “djalli i mishëruar në tokën Shqiptare!”, “hafijet, shërbëtorët, dhe mercenarët e pushtetit”, “për hir të plaçkës”, “për vlerë kanë primitivizmin dhe antivlerën”, “për moral kanë kusarinë dhe imoralen”, “mëndje-rrjedhur dhe zëmër-ngushtë”.

Në artikullin me titull “Derrat që kemi mbi krye” nënvizova këto fjalë:

“bandë e armatosur që u udhëhoq nga Lulzim Basha dhe u inspirua nga Sali Berisha”, “neo-diktatori fashist”, “t’i bërtasim këtij derri”, “Ata, drejtuesit e institucioneve mund të na vrasin masivisht në Gërdec, mund të na seleksionojnë me snajpera në bulevard, mundet edhe të na drejtohen duke na quajtur, horra, morracakë, kokëpalarë e lavire”, “bandë kriminelësh dhe hajdutësh”, “popullit, që për t’i siguruar derrave këtë mirëqenie është transformuar në kokëpalarë e morracak”.

Nuk e fsheh se ishin titujt ato që ma tërhoqën vëmendjen, por po t’i kisha vjelë komentet, do të kishin dalë shumë qyfyre të tjera, ndoshta të pabotueshme në këtë faqe. Gjithashtu, po të kisha shkuar në gazeta të djathta do të gjeja të njëjtin fjalor agresiv e të ndyrë, adresuar kësaj radhe Edi Ramës.

Tani, është e qartë se ajri publik që thithim në Shqipëri është i ndotur në maksimum. Oxhaqet e ndotjes duhen kërkuar fillimisht tek partitë politike, ku më shumë e ku më pak, por përdorues të atij ajri jemi të gjithë. Dashur pa dashur pra, infektohemi edhe ne nga kjo malarie.

Berisha është i fyeri kryesor i shkrimeve të cituara, por ai nuk mund të ankohet, për sa kohë përdor, në parlament e gjetiu, batare të tëra me sharje, nga laviret deri tek lakuriqët. Mirëpo unë, si qytetar i thjeshtë, mund të ankohem, jo vetëm në adresë të klasës politike, që nuk i respekton standardet e mirësjelljes sime, por edhe kundrejt gazetave të ndryshme, që janë shndërruar në fletërrufe postmoderne me akuza e pretenca, pa përmendur fjalorin rrugaç. Mediat, sikurse politikanët, nuk duhet të harrojnë se ushtrojnë, ndoshta në mënyrë të pavetëdijshme, edhe një rol edukativ për qytetarët.

A ka shkaktuar kjo ndotje verbale ndonjë vrimë të rrezikshme në shtresën mbrojtëse të etikës së komunikimit? Me siguri, njësoj si vrima e ozonit, nga ku mund të kalojnë rrezatime të dëmshme për njeriun. Viktima e parë është politika me “P” të madhe, natyrisht në konkretësinë e saj, ajo që grekët e lashtë e quanin Polis, pra, në analizë të fundit, ne.

 

[Botuar tek Peizazhe të Fjalës – 25-26 shkurt 2011]

Advertisements
%d bloggers like this: