TOMKA DHE SHOKËT E TIJ

Filmi “Tomka dhe shokët e tij”, me regjinë e Xhanfize Kekos (1977), e ka shenjuar brezin tim në mënyrë të pashlyeshme. E jo vetëm moshatarët e mi. Po përse vallë ky film vazhdon të ndiqet edhe sot nga fëmijët shqiptarë?

Me gjuhën e kinematografisë moderne filmi “Tomka dhe shokët e tij” mund të quhej pa drojë një film cult. Suksesi dhe vendi që zuri në kinematografinë shqiptare bënë që ta meritonte me të drejtë cilësimin film klasik, meqë një nga karakteristikat e këtyre përbëhet nga mosperëndimi i vlerave artistike.

Suksesi i “Tomkës…” duhet parë tek vlerat e mirëfillta artistike, më shumë se tek plateja autarkike e Shqipërisë totalitare, e cila ishte e detyruar t’i përpinte filmat e asaj kohe. Siç ju kujtohet, ngjarjet e filmit zhvillohen gjatë luftës së dytë botërore, fill pas kapitullimit të Italisë fashiste dhe ardhjes së nazistëve në qytet. Berati i filmit është spektakular: i qetë, pothuajse indiferent, i heshtur, pothuajse hijerëndë, i sigurtë, pothuajse besimplotë. Berati del nga ekrani me njëmbinjë dritaret e veta duke e tejkaluar rolin prej sfondi dhe duke iu imponuar spektatorit me peshën e vet historike, ku pushtimi nazist përftohet me gjithë përkohshmërinë e vet.

Në këtë Berat të pakohë merr jetë aventura e fëmijëve të cilëve nazistët i “vjedhin fushën” ku luanin me top. Filmi rrëfen përpjekjet e fëmijëve për ta rimarrë fushën e tyre. Ata japin një ndihmë vendimtare për organizimin e një aksioni guerrilas kundër kampit gjerman të ngritur pikërisht mbi fushën e lojës.

A nuk i rëndojnë mbi supe dhjetëvjeçarët apo bardhëezia e pamjeve këtij filmi? Mesa duket jo, meqë në Shqipëri vijon të shikohet nga fëmijët. Interesi i shikuesve duhet parë fillimisht tek vlerat artistike. Filmi “Tomka dhe shokët e tij” i ka të gjithë elementët e duhur që përbëjnë një vepër cilësore kinematografike për fëmijë. Disa elemente arketipale si aventura, fantazia, rreziku, grupi, ëndrra, sekreti, kafshët, energjia, kureshtja, gjenden në të gjitha veprat cilësore për fëmijë. Kërkimi i armëve te kalaja, sfida kundër nazistëve, mposhtja e qenit të zi, pjesëmarrja në aksion, hakmarrja me shpërthim…

Vetë struktura e filmit është ndërtuar në mënyrë të tillë që t’i përshtatet më së miri psikologjisë fëmijërore. Dikotomitë e filmit, anipse të thjeshta, nuk banalizohen asnjëherë: qeni i zi gjerman Gofi vs. qenit me lara Luli, këngët naziste vs. këngët e fëmijëve, hareja fëmijërore vs. egërsisë ushtarake, etj. kanë fuqi të jashtëzakonshme simbolike, sepse i referohen luftës së përhershme ndërmjet të Mirës dhe të Keqes. Edhe vetë bardhëezia shndërrohet sot në vlerë, ngaqë i jep një lloj lustre dokumentariste e vërtetësie një filmi që flet për ngjarje historike tashmë të largëta.

Filmi ngjall tek fëmijët emocione e pasione të panumërta. Kush prej tyre nuk trembet nga egërsia e nazistëve? Kush nuk e ka frikë qenin e zi kërcënues? Kush nuk përlotet pas rrahjes së fëmijës nga oficeri gjerman? Kush nuk ngazëllehet kur kampi hidhet në erë?

Nga ana tjetër, filmi nuk shfaqej si kometë e vetmuar, por hynte në vazhdën e filmave me nuanca neorealiste evropiane. Edhe pse në atë kohë nuk e kuptoja, instinktivisht e dija se filmi e kishte brendatokën e vet kulturore. Më vonë ia dallova ndikimet nga filmat e Roberto Rossellini-t, ose nga veprat e hershme të Italo Calvino-s. Ndërkohë, tëhuajësia e detajeve ideologjike perceptohet lehtë (yjet e partizanëve që shkëlqejnë shumë, tallja me ballistët, përshëndetja komuniste në gojën e ushtarit italian). Ato mbeten artificiale, në thelb jashtë trupit artistik të veprës.

Natyrisht, suksesi aktual i filmit nuk mund të shihet jashtë zbrazëtisë që ka rrethuar kinematografinë e sotme shqiptare. Kjo zbrazëti ka ngërthyer si sasinë ashtu edhe cilësinë e filmave shqiptarë për fëmijë. Si rrjedhojë, vëmendja e spektatorëve të vegjël shkon natyrshëm drejt filmave të vjetër, të cilët kanë qenë të detyruar t’ia paguajnë gjithsesi haraçin ideologjisë totalitare. Do të mjaftonte kjo e fundit që vëmendja e shikuesve të shkonte gjetiu, sikur filmat bardhezi të ishin ndërtuar keq artistikisht.

 

***

 

Ka plot filma shqiptarë të prodhuar gjatë periudhës totalitare që i kanë rezistuar kohës. Ndër këta, ndoshta më të lehtë e kanë pasur filmat për fëmijë për vetë tiparet e tyre, ngaqë i drejtohen një lloj spektatori që propagandën e përtyp në mënyrë mekanike, gjithsesi asnjëherë njëlloj si të mëdhenjtë.

Suksesin e filmave si “Tomka dhe shokët e tij”, apo “Beni ecën vetë”, nuk e shikon vetëm në raftet e videotekave ku nuk mungojnë kurrë, as në numrin e leximeve në internet, dhe as në ritransmetimet e panumërta që u janë bërë gjatë kohës së televizionit me ngjyra. Në Shqipëri nuk ekziston ende një mekanizëm i tillë që mund të kuantifikojë suksesin e një filmi nëpërmjet shitjeve të DVD-ve apo të numrit të spektatorëve të televizionit.

Nuk besoj se ka tregues më të mirë të suksesit se sa ngulitja e batutave filmike në gjuhën e përditshme të popullsisë. Batuta si “Gërmo Tare gërmo se qenin e ngordhur do të gjesh!” (Përballimi), “Erdhët shumë vonë, delegatët ikën” (Shtigje lufte), “Në mos njëri tjetri moj do t’ma marrë”, (Zonja nga qyteti), “Ah sikur te kishim ca piavica…” (Kapedani), “Freno Besnik! Atë po bëj! (Udhëtim në pranverë), “Është flori e shkuar floririt o Tunxh” (Udha e shkronjave), “Hani, hani ç’t’i bëj drejtorit unë që është zemërmirë” (Lulëkuqet mbi mure), etj. etj. përdoreshin rëndom gjatë atyre viteve – madje (për habinë time) disa i kam dëgjuar edhe kohët e fundit – dëshmonin në radhë të parë suksesin e filmit përkatës. Batuta të tilla, të shkëputura nga trungu i skenarit filmik, nënkuptonin nga përdoruesi njohjen e supozuar prej dëgjuesve, të cilët rrallë e zhgënjenin, e gjithsesi kishin rast ta rizbulonin filmin.

Mbaj mend një herë gjatë viteve të regjimit totalitar, kur me shokët e mi të vegjël pamë se gjysmën e fushës ku luanim me top në mëhallë e kishin zënë disa punëtorë që po shkarkonin materiale ndërtimore, një moshatar i imi e shprehu keqardhjen me këtë batutë: “Na e vodhën fushën”. Për fat të mirë ne ishim të vegjël dhe aty afër nuk sorollatej ndonjë spiun i rëndomtë lagjeje, se kushedi si do të kishte përfunduar puna meqë pranë fushës sonë, madje duke shfrytëzuar pjesë të saj, po ndërtonin një nga ato tunelet e strehimit për popullin që e shprehnin aq mirë obsesionin e totalitarizmit për mbylljen hermetike të vendit.

Moshatari im i vogël kontekstualizoi gjenialisht një batutë të filmit “Tomka dhe shokët e tij”. Nëse ju kujtohet, një fjali të përafërt thotë në grup edhe një personazh i mitur i filmit, kur pa për herë të parë se ushtarët nazistë po ndërtonin kampin e tyre mu sipër fushës. Nuk mund të rri pa parë në përdorimin e fjalëve të filmit, në një kontekst krejt të ndryshëm nga ai veprës, jo vetëm suksesin, por edhe vlerën artistike të filmit të mësipërm. Kjo tregon se pothuajse në mënyrë të pavetëdijshme filmi u lexua sërish, me një çelës tjetër interpretimi, në kohëra të tjera, por ndoshta të ngjashme në palcë. Tek e fundit, pushtimi është pushtim dhe jo gjithnjë ka nevojë për uniforma ushtarake apo për armë konvencionale.

Në kërkimet e mia në internet për kinematografinë shqiptare për fëmijë, hasa për fat në një nga spektaklet e fundit humoristike me titull “Portokalli”, ku bëhej parodia e filmit “Tomka dhe shokët e tij”. Tani, dihet fort mirë se parodia e një filmi kërkon para së gjithash sukses të padiskutueshëm të filmit që merret “nëpër gojë”. Përndryshe publiku nuk do t’i kuptonte referimet e shumta tekstuale e pamore. Industria e kinematografisë moderne këtë e ka kuptuar fare mirë, ngaqë në seri prodhon filma parodi që vënë në lojë filma popullorë tejet të suksesshëm. Shembujt janë të panumërt: “Hot shots”, “Scary movie 1-4”, “Mars Attacks”, “3ciento”, “Robin Hood: Men in Tights”, etj.

Tek i njëjti spektakël – për cilësinë e të cilit mund të flasim herë tjetër – gjatë parodisë së filmitqë po trajtojmë, më tërhoqi vëmendjen batuta e pseudo gjermanit që u tha fëmijëve se në vend të fushës do të ndërtohej një pallat, “prandaj luani mbi betona”. Batuta i referohet qartësisht situatës së sotme shqiptare, ku ndërtimet me leje e pa leje po ia marrin frymën hapësirës publike që duhet të gëzojnë fëmijët dhe fëmijëria e gjithkujt. Spektatorit pra, i ofrohet një interpretim tjetër i filmit, ku konflikti nuk qëndron midis gjermanëve të këqij dhe fëmijëve të mirë, por midis pushtuesve modernë dhe fëmijëve viktima.

Në qoftë se dje të këqijtë vinin nga Gjermania naziste e largët, të armatosur me automatikë e të veshur me uniforma e helmeta, sot ata shfaqen me betoniera, të armatosur me kartë krediti e të veshur Armani. Në qoftë se dje lojën kalamajve ia prishi oficeri me tricikël, sot topin mund t’ua çajnë rrotat e shkëlqyeshme të ndonjë Ferrari o Benzi. Thelbi gjithsesi nuk ndryshon. Elementet ideologjike të dikurshme të filmit mund të shqetësojnë shumëkënd, por gjatë përtypjes së sotme spektatori nuk e ka të vështirë t’i heqë me kujdes nga filmi si halat nga peshku. Rëndësi ka që të kuptohet nga spektatorët e vegjël e të rritur, se fëmijët janë shpeshherë viktima e më të mëdhenjve dhe se të drejtat e tyre për ta jetuar në paqe fëmijërinë janë të pacenueshme.

 

[Botuar tek Peizazhe të Fjalës  dhjetor 2009 – janar 2010]

 

Advertisements
%d bloggers like this: