PUNONJËSIT IMIGRANTË: SËMUNDJET PROFESIONALE DHE AKSIDENTET NË BUJQËSI

Sapo doli në shtyp vëllimi “Sëmundjet profesionale dhe aksidentet në bujqësi. Një studim mbi punonjësit imigrantë” (Malattie professionali e infortuni in agricoltura. Un’indagine sui lavoratori immigrati), përgatitur nga Rando Devole (a cura di), Agrilavoro edizioni – FGP, Roma 2017.

Libri është fryt i një studimi të mirëfilltë shkencor, i përgatitur e i koordinuar prej meje, që ka pasur në qendër imigrantët që punojnë në bujqësinë italiane dhe dukuritë e sëmundjeve profesionale e të aksidenteve në punë.

Puna e imigrantëve përfaqëson tashmë prej vitesh një element strukturor të ekonomisë e të indit produktiv italian, aspekt i rëndësishëm që bëhet strategjik në sektorin e bujqësisë. Ka me qindra mijë punonjës të huaj që punojnë çdo ditë për konsolidimin e Made in Italy agroushqimor. Kjo përmasë është gjithnjë e në rritje në sektorët parësorë dhe kërkon vëmendje më të madhe ndaj problematikave specifike që kanë të bëjnë me shëndetin e me sigurinë në punë.

Ky libër ndërfutet në këtë hapësirë, duke dhënë një kuadër të detajuar e të plotë të përhapjes së aksidenteve në punë dhe sëmundjeve profesionale midis punonjësve të huaj në bujqësinë italiane. Të dhënat ndihmojnë vëzhgimin e një dukurie të nyjëtuar e dinamike, duke mundësuar përcaktimin e përparësive dhe masat e mundshme për t’u marrë. Falë edhe anketave të zhvilluara, del në pah një fotografi e qartë dhe larg prezantimit të stereotipuar, që e përshoqëron migrantin me një botë margjinale e pasive. Midis të tjerash, punonjësit imigrantë dëshmojnë një vullnet të fortë për pjesëmarrje aktive.

Njohja e sëmundjeve profesionale e të aksidenteve në punë, të perceptimit dhe nxjerrja në pah e tyre, sikurse analiza e ndërlidhjeve në fushën e bujqësisë, nënvizojnë qartësisht nevojën për përhapje kapilare të kulturës kundër aksidenteve në punë dhe të mbrojtjes së të drejtave të punonjësve.

 

Shënim: Tema është vërtet e veçantë, por kush është i interesuar për vëllimin mund të më kontaktojë me e-mail.

Advertisements
%d bloggers like this: