VETËM PESË MINUTA

Zhvillimet e fundit epokale duhet të kishin bindur edhe më skeptikun dhe të paditurin se dukuria e migracionit është komplekse. Megjithatë, ka ende njerëz që e shikojnë migracionin me syze thjeshtëzuese, herë në mirëbesim nga mosnjohja dhe herë për ta instrumentalizuar për interesa të ndryshme.

Migracioni përfshin pothuajse të gjitha fushat e veprimtarisë njerëzore. Sikurse është përsëritur gjetiu, dukuria prek ekonominë, politikën, psikologjinë, identitetin, shoqërinë, e kështu me radhë dhjetëra aspekte të tjera. Lëvizjet migratore prekin gjithashtu individin, familjen dhe shoqërinë. Çdo qasje që i bëhet migracionit duhet të pajiset detyrimisht me aksiomën se gjendet përballë një fenomeni tejet kompleks.

Përkufizimi i sociologut algjerian Abdelmalek Sayad, që e konsideronte migracionin si “fakt shoqëror total”, ka qenë shumë i saktë. Ndërsa tani, në epokën e globalizimit dhe të rrjeteve sociale, në kohën kur me mijëra vetë po vdesin duke kapërcyer detin, disa problematika janë ndërlikuar edhe më shumë.

Të flasësh për migracionin nuk është e lehtë. Shpeshherë kërkohen vështrime të ndërthurura dhe në nivele të ndryshme. Migrimi i njerëzve mund të shikohet në nivel global ose lokal, nga pikëpamja e vendit të nisjes ose e vendit të mbërritjes. Përse nisen? Ç’i shtyn t’i lënë vatrat e tyre? Nga cilat vende e kontinente largohen? Kush emigron? Në ç’mënyrë? Ku mbërrijnë? Si është dinamika e flukseve? Cilat janë problemet që hasin? Kanë pengesa gjatë integrimit? Cili është ndikimi i tyre në vendlindje? Pa harruar aspektin tejet të rëndësishëm – që ndonjëherë mbetet në hije – se migracioni mund të analizohet edhe nga këndvështrimi i protagonistit: migrantit.

Migracioni shqiptar është po aq kompleks sa edhe të tjerat. E dëshmojnë studimet e hulumtimet e kryera deri më sot. Madje e dëshmojnë më shumë ato që nuk janë bërë, çka përbëjnë edhe shumicën. Për më tepër, migracioni shqiptar është edhe i shtresëzuar, pra mund të vëzhgohet edhe nga pikëpamja kronologjike. Aspektet që mund të trajtohen janë praktikisht të panumërta.

Në këtë kuadër, duket krejt i pakuptimtë një imtësi, megjithatë domethënëse, i Samitit të Diasporës shqiptare, që do të mbahet në datat 18-20 nëntor 2016 në Tiranë. Sipas programit paraprak në pasditen e 19 nëntorit, nga ora 16.00 – 18:30, në Pallatin e Kongreseve, do të mbahet seanca plenare me titull “Kaleidoskopi i Diasporës shqiptare”. Gjithnjë sipas programit, në seancën plenare do të ndërhyjë një folës për çdo vend dhe çdo folës do të ketë vetëm 5 minuta në dispozicion. “Kjo seancë, thuhet në program, do të mundësojë që samiti të dëgjojë idetë dhe mendimet e komuniteteve shqiptare që jetojnë në vende të ndryshme të botës”.

Le të marrim migracionin shqiptar në Greqi, për të cilin jam edhe personalisht i interesuar e me siguri jo i vetmi. Do të kishte rëndësi të trajtoheshin një sërë aspektesh të migrantëve shqiptarë. Ja disa prej tyre: statistikat e përgjithshme, shpërndarja në krahinat e Greqisë, legjislacioni për migracionin, shtetësia dhe marrja e saj, integrimi dhe problemet përkatëse, çështja e brezit të dytë, diskriminimi i migrantëve, studentët shqiptarë në Greqi, familjet dhe martesat e përziera, opinioni publik dhe migracioni, ndërveprimi midis migrantëve shqiptarë dhe azilkërkuesve aktualë, punësimi, sektorët ku punojnë shqiptarët, mbrojtja e tyre sociale, aksidentet në punë, kthimet në atdhe, pensionet, komunikimi dhe mediat për migrantët shqiptarë, identiteti i shqiptarëve në Greqi, veprimtaria e shoqatave, kultivimi i kulturës shqiptare, etj. Pastaj është kapitulli i madh i ndërveprimit midis atdheut dhe emigrantëve.

Kuptohet që migracioni shqiptar nuk shterohet me temat e mësipërme, sikurse kuptohet që secila nga temat e përmendura janë të ndërvarura e kërkon një sërë doktoraturash e konferencash. Megjithatë, në një Samit të Diasporës – ku mendja ta do që diaspora të jetë në qendër të vëmendjes – situatës së shqiptarëve në Greqi duhet t’i kushtohej një kohë më e madhe. Idetë e mendimet e komuniteteve shqiptare, siç thuhet në programin e samitit, nuk mund të shprehen pa përshkruar situatën e vendit ku migrantët jetojnë. Le të supozojmë se duhet të shprehin një ide apo mendim për mësimin e kulturës dhe gjuhës shqipe në diasporë, një nerv i zbuluar i identitetit shqiptar në botë. A mund ta japin pa folur shkurtimisht për numrin e nxënësve e të miturve në vendin e trajtuar? Po situata aktuale e mësimit të gjuhës duhet të mbesë jashtë? Le të pranojmë, pra, që pesë minuta nuk janë të mjaftueshme për të trajtuar një fenomen kompleks si ai i migracionit.

Ka nga ata që nuk janë bindur as nga ndarja e minutave për çdo vend. Mëdyshjen e tyre e mbështesin me argumentin se migrantëve shqiptarë në Greqi e Itali, ose në vende të tjera ku numri i tyre është i konsiderueshëm, nuk mund t’u kushtohet e njëjta kohë si vendeve ku prania e shqiptarëve është gati simbolike. Ky argumentim ka baza kryesisht statistikore. Të flasësh për migrantët shqiptarë në Itali, që kanë kaluar prej vitesh gjysmë milionin, nuk është njëlloj sikur të flasësh për migrantët e një vendi që numëron disa mijëra ose qindra shqiptarë.

Ky argumentim mund të kundërshtohet me faktin se edhe në institucionet ndërkombëtare minutat për përfaqësuesit, ose vendet, janë të njëjta, pavarësisht peshës së tyre demografike, ose ushtarake. Mirëpo, edhe këtu mund të kundërargumentohet se nuk po flitet për vendet, me institucionet e tyre, por për të kuptuar problematikat e diasporës dhe mendimet e përfaqësuesve të tyre.

E si mund t’i përgjigjeshim dikujt që i krijohet përshtypja se jemi tërësisht në fushën e riteve dhe adeteve, ku ka rëndësi forma e jo përmbajtja? Me fjalë të tjera, shumëkujt i duket sikur promovuesit e nismës duan thjesht të lajnë gojën, sa për të thënë se “jua dhamë mikrofonin”, se “kishit mundësinë për të folur”, se “e respektojmë fjalën e lirë”, se “kemi dialog me emigrantët”… Por, në thelb, përmbajtja dhe idetë e shprehura nga ana e diasporës nuk i interesojnë kurrkujt, përderisa i lënë në dispozicion vetëm pesë minuta për çdo vend.

Nuk përjashtohet që kjo përshtypje t’u duket tendencioze dhe mosmirënjohëse organizatorëve, përderisa deri dje e gjithë politika shqiptare nuk u ka dhënë asnjë sekondë migrantëve, që të shprehin mendimet e tyre në një vend serioz e institucional. Mirëpo kjo do të hidhej poshtë nga vetë programi, i cili shkruan shprehimisht: “Seancë plenare me një folës për çdo vend (5 minuta për çdo folës), të alternuara nga intermezzo me muzikë tradicionale nga vise të ndryshme shqiptare”.

Nga programi nuk kuptohet mirë, nëse do të ketë muzikë pas një folësi (pesë minuta), apo pas dy folësish (dhjetë minuta), sikundër nuk rroket kollaj arsyeja e kësaj zgjedhjeje. Përse duhen alternuar ndërhyrjet e përfaqësuesve të diasporës nga intermezzo me muzikë? Nuk mund të bëhej veçmas një shfaqje? Megjithatë, mund ta përfytyrojmë fare lehtë atmosferën kremtuese dhe festive prej spektakli me varietete muzikore folklorike. Duket sikur nisma është konceptuar si një gosti e hareshme me aheng për konsum të telekamerave. E të mendosh që përfaqësuesit e diasporës mund të sjellin aty dëshmi e probleme vërtet shqetësuese për shqiptarët dhe shqiptarinë.

 

[Botuar fillimisht tek Peizazhe të Fjalës]

Advertisements
%d bloggers like this: