PARQET SI OAZA

oazeE keni provuar ndonjëherë të ecni nëpër rrugët e Tiranës me karrocë fëmijësh? Për prindërit e rinj pyetja është e tepërt, ndoshta edhe për gjyshërit me mbesa e nipa të vegjël. Për të tjerët ndoshta jo.  Në rast se nuk ju ka qëlluar, ta zëmë të shkoni me karrocë fëmijësh në një park, provojeni një herë. Është përvojë mbresëlënëse.

Para se ta përgatisni karrocën e fëmijës, që natyrisht duhet të pajiset me çdo gjë të nevojshme, duhet të përcaktoni destinacionin. Duket si diçka e lehtë, por parqet në kryeqytetin shqiptar nuk janë të shumta. Nëse doni të ecni gjatë, në gjelbërim, nuk keni alternativë tjetër, përveçse nga parku i Liqenit Artificial. Është i vetmi vend ku mund të shëtisni pak, aq sa vogëlushi të hutohet nga lëkundjet e ta zërë gjumi.

nene-me-karroceParkun Rinia nuk po e quaj, jo aq për hapësirën e kufizuar të shëtitjes, se sa për zhurmën e trafikut përreth. Sipas gjasës, përveç ndotjes akustike, duhet të ketë edhe ndotje të ajrit. Ka edhe ndonjë park tjetër, më të vogël, si ai pas Pallatit të Kulturës, ose afër Bllokut, por nuk janë për shëtitje.

Mbeten parqet e vogla, ato me lojëra fëmijësh përreth. Këto kërkojnë fëmijë pak më të rritur, që t’i përdorin, përndryshe nuk keni pse shkoni. Megjithatë, janë të pakta. Shumë prej tyre janë me karakter privat, ndaj duhet të ulesh e të konsumosh të paktën kafen dhe ujin. Por kërkesat e tua me të fëmijës nuk piqen, sepse ti duhet të rrish i gozhduar në tryezë, ose afër shilarësit. Mundësi për të ecur nuk ka.

Megjithatë, nuk është këtu problemi kryesor. Parqet si oaza mund të ndërtohen në çdo kohë, ndonëse po të shikosh hapësirat asfiksuese të Tiranës, me pallatet që shtyjnë njëri tjetrin si në radhët e dikurshme, duket e pamundur. Për të ndërtuar hapësira të gjelbëruara duhet të shkatërrohen pallate, çka është tashmë e pamundur.

Problemi i vërtetë është si të shkosh në ato pak parqe, që ekzistojnë në Tiranë. Ftesa për provë aty është. Por duhet pasur parasysh se jo të gjithë kanë makinë e jo gjithnjë mund të gjesh parking afër parqeve. Pra, mbetet ecja në këmbë.

trotuar-pa-hapesirePluhuri dhe smogu i rrugëve të Tiranës mund të shmangen me ndonjë maskë. Vapa e egër mund të përballohet me ndonjë çadër, kapele e hidratim të vazhdueshëm. Automjetet luksoze, që kalojnë si shigjetë, mënjanohen duke u hapur rrugën e duke ngritur sytë lart nga Perëndia.

Ajo që nuk mund të shmanget, është rruga deri tek Parku. Plot me rreziqe e kurthe, rruga shfaqet më shumë si garë me pengesa se sa hapësirë për t’u relaksuar. Edhe rruga anës Lanës, e mirë dhe me trotuare, i ka rreziqet e kalimit. Por, sapo të zhvendosesh njëqind metra më tutje situata ndryshon. Që rruga nuk është miqësore e kupton që në fillim. Ta zëmë kur nuk ka fare trotuar. Porse edhe rrugët me trotuar, pa pritur e pa kujtuar, mbeten pa të, ose me dy pëllëmbë hapësirë, saqë të detyron ta zbresësh karrocën e fëmijës në rrugën e makinave. Praktikisht në mëshirë të fatit.

Edhe kur ka trotuar është gjetur mënyra se si të ngushtohet. Diku mbin një shtyllë betoni (sipas gjasës e korrentit), diku tjetër është ngulur një dru, diku është zgjeruar kërcënueshëm një mur privat. Të tre të ftojnë të zbresësh në rrugë e të vijosh aventurën tënde drejt parkut të zgjedhur pa vështirësi. Kur nuk të zë pusi puseta tinëzare…

trotuar-me-puseteJetëgjatësia e karrocave për fëmijë nuk duhet të jetë e gjatë në Shqipëri. Me siguri janë kolauduar për rrugët perëndimore, ku zbritja në rrugë ose hipja në trotuar nuk bëhet me përplasje e ngritje të vazhdueshme. Trotuaret që kanë pjerrësirë të hapur, për të kaluar lehtë nga rruga në trotuar e anasjelltas, nuk janë shumë. Në periferi pothuajse mungojnë. Problem i madh edhe për karrocat e invalidëve. Si rrjedhim, prindërit bëhen drejtues të mrekullueshëm të karrocave. Mjeshtër të vërtetë. Në një garë eventuale botërore do të zinin vendin e parë. Por dallohen në fytyrë, që është e lodhshme dhe stresuese.

Mirëpo, parqet kanë forcë të madhe simbolizuese. Ato tërheqin vëmendjen si magnet, ngaqë kanë të bëjnë me gjelbërimin, ndërtimet abuzive, hapësirën urbane… Gjithsesi janë të pakta. Por pak mendojnë se si duhet shkuar tek parqet, që duam të mbajmë e të ndërtojmë. Në mos protestë, vëmendje meriton edhe ky problem.

Tirana nuk është qytet miqësor për fëmijët e karrocat e tyre. Natyrisht, me përjashtim të familjeve, që banojnë afër parkut të madh, të cilat nuk kanë halle të tilla. Të tjerët, kur nisen për një shëtitje, përgatiten për marrshim, në kohën kur guerilja urbane, me trafik e smog, ka arritur kulmin.

Njerëzit janë gjithnjë të mahnitur nga oazat dhe nga fotografitë me gjelbërim, që bëjnë shpesh pranë tyre. Disa syresh admirojnë “sheikët”, që ndërtojnë aty brenda ose që e rrethojnë me beton, duke ia përvetësuar pamjen prej kartoline. Por harrojnë se oaza, që hijeshon kartolinat e botës, është e rrethuar nga shkretëtira.

 

[Botuar fillimisht tek Peizazhe të Fjalës]

Advertisements
%d bloggers like this: