KUR MARRËDHËNIA DYSHE NUK MJAFTON

Migracioni është dukuri epokale dhe strukturore. Janë dy elemente të cilat ende nuk kanë hyrë në vetëdijen e politikës. Kjo do të thotë se masat që merren për përballimin e problemeve që rrjedhin nga migracioni, si nga vendet e nisjes, ashtu edhe nga vendet e mbërritjes, nuk mund të jenë konjukturale, episodike, ose afatshkurtra.

Në vendet mbërritëse, megjithëse nënvizohet nga shumë anë se migracioni nuk është çështje vetëm e një partie apo koalicioni qeveritar, por një nga problemet aktuale që prekin të gjithë shoqërinë, përsëri ka forca politike që e fusin me zor migracionin në bursën politike, duke e trajtuar atë me populizëm e me marifete spekulative, sikur të ishte ATM (bankomat) e pëlqimit elektoral.

Migracioni nuk mund të jetë sfidë e gjithanshme vetëm për vendet ku ata mbërrijnë, por edhe për ato vende nga ku nisen. Kjo vlen edhe kur fazat emergjenciale kanë kaluar tashmë, ngaqë problemet e migrantëve nuk përfundojnë me kapërcimin e detit apo të kufirit tokësor, por janë pikërisht strukturore e afatgjatë, dhe mund të prekin disa vende njëherësh.

Pa përmendur urat e lidhjes me migrantët, për të cilat janë të interesuara kryesisht vendet e nisjes, por edhe vendet e pritjes, për motive që kërkojnë hapësirë tjetër diskutimi.

Për këtë arsye, bie në sy zgjedhja që është kryer për Samitin e Diasporës shqiptare, që do të mbahet në datat 18-20 nëntor 2016 në Tiranë. Në programin paraprak lexohet: «Panele diskutimi tematike të njëkohshme nën moton: “Së bashku mund të bëjmë më shumë dhe më mirë” me pjesëmarrës nga Qeveria dhe Diaspora».

Përse në panelet e diskutimit ka vetëm “pjesëmarrës nga Qeveria”? A nuk do të kishte qenë mirë, që të merrnin pjesë përfaqësues të të gjitha institucioneve shqiptare? P.sh. nuk do të kishte qenë keq që të ishte përfshirë Parlamenti, qoftë me anëtarët e Komisionit për politikën e jashtme, ose ndonjë Komision tjetër, meqë diaspora prek tema transversale.

Nuk do të kishte qenë keq gjithashtu, që të ishte përfshirë në veprimtari edhe Presidenca e Republikës, meqë e sugjeron edhe vetë emërtimi i diskutueshëm “Samit”. Të paktën nga programi paraprak duket sikur mungon.

Përse vallë panelet me diasporën parashikojnë vetëm përfaqësues të qeverisë? Parë nga këndvështrimi i migrantëve, do të ishte me interes të njihej edhe pikëpamja e opozitës për çështjet e ndryshme të migracionit. Sepse problemet e migracionit e të diasporës do të vazhdojnë më gjatë se sa mandatet e mundshme që mund të marrë një qeveri.

Nga ana tjetër, është mirë që të përfshihen të gjitha institucionet shqiptare dhe të gjitha forcat politike, madje do të shtoja shoqërinë civile, klasën drejtuese dhe nyjëtime të pushteteve të tjera, në mënyrë që çështjet e diasporës të bëhen pasuri kulturore e të gjithëve dhe përparësi e axhendës kombëtare. Përndryshe, do të duhet të bëhen “samite” sa herë që ndryshon qeveria.

Nuk mund të shmanget, pra, dyshimi se qeveria ka dashur t’i vërë emrin e vet këtij aktiviteti, i cili është përkufizuar nga Kryeministri si “historik dhe i pari i këtij lloji në historinë e kombit tonë”. Po të ishte kështu, pra që qeveria dëshiron ta përvetësojë temën e t’i vërë vulën e vet politike – midis të tjerash, për arsye që ndokush i lidh me zgjedhjet e ardhshme -, do të ishim përballë një gabimi të madh, edhe pse lëvizja mund të justifikohet me mekanizmat e marketingut elektoral dhe të kredisë politike.

Migracioni, çështjet e diasporës dhe urat lidhëse përbëjnë dukuri e sfida shumë të mëdha për t’u shndërruar në një medalje të vogël për t’u vënë në gjoks.

 

[Botuar fillimisht tek Peizazhe të Fjalës]

Advertisements
%d bloggers like this: