KUR KA PROBLEME SINTONIZIMI

Në pasditen e datës 10 tetor 2016, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, zhvilloi në Romë një takim me përfaqësues dhe anëtarë të ndryshëm të komunitetit shqiptar në Itali. Një nismë me synime pozitive dhe me vlerë. Në ftesën përkatëse lexohej se takimi bëhej “për të trajtuar shqetësimet dhe problematikat me të cilat ballafaqohet komuniteti shqiptar në Itali”.

Pas fjalimit të vet, Presidenti i Shqipërisë kërkoi të dinte nëse kishte ndonjë pyetje, kuriozitet ose koment.

Dy ishin ndërhyrjet kryesore që u bënë nga të pranishmit. E para ishte një aktiviste me banim në Romë, e cila hyri menjëherë në temë duke nënvizuar se pa të drejtën e votës për diasporën nuk mund të ketë lidhje me atdheun. “Politika e një vendi demokratik e civil, tha ajo, nuk mund të zhvillohet duke pasur më tepër se gjysmën e elektoratit jashtë vendit. Shqipëria është mbajtur për shumë kohë nga të ardhurat tona. Komuniteti shqiptar është tepër aktiv e tepër cilësor në breza të ndryshëm e në shumë fusha, në ekonomi, biznes, politikë, etj. e duhet të ketë të drejtën e shprehjes së lirë të zgjedhjes politike”.

Më tej ajo shtoi: “Këtë kërkesë ne e kemi shprehur jo sot, jo dje, jo para një viti, por jo më larg se pesë vjet para. Përderisa po e bëjmë përsëri sot këtë kërkesë do të thotë se jemi akoma mbrapa. E përsëris dhe e vë si detyrë ndaj politikës shqiptare, sepse kur bëhet fjalë për të drejtat e qytetarëve e të drejtat e njeriut, nuk ka parti politike që mund të tërhiqet prapa. Duhet të jenë ligje bipartisan. Mbi të drejtat e njerëzve, mbi të drejtat e qytetarëve, nuk bëhet shaka. Kemi nevojë të shprehim mendimin tonë. Dhe mendimi ynë nuk shprehet vetëm duke shkruar shqip apo në dialektet në rrjetet sociale, por shprehet duke dhënë mendimin në zgjedhjet politike. Kjo duhet të jetë një nga detyrat kryesore e politikës dhe e shtetit shqiptar”.

Ndërhyrja e dytë ishte ajo e një pjesëtari të diasporës me banim në Bolonjë, i cili përmendi takimin që Presidenti kishte zhvilluar me një grup përfaqësuesish shoqatash një vit më parë. Në atë rast Presidentit i ishte dorëzuar një platformë me shqetësimet kryesore të emigrantëve shqiptarë me banim në Itali. Pasi iu referua mendimit të parafolëses ai u shpreh: “Ju përmendët disa elemente pozitive dhe kritike që ka komuniteti ynë. Elementet pozitive janë jo vetëm profesionale por edhe ideale […]  Ka plot shqiptarë që i ngrenë lart vlerat e vendit tonë. Sikurse Italia është partner kryesor në integrimin e Shqipërisë, ashtu edhe ne emigrantët duam të jemi partnerë të fuqishëm […] Ky rol duhet ta bashkëndajmë me institucionet shqiptare. Duke filluar nga veprimi sa më aktiv në mirëqeverisjen e vendit”.

“Ne mendojmë – vijoi folësi – se ka ardhur momenti, meqë jemi në prag të një reforme zgjedhore në Shqipëri, që Presidenti t’u drejtohet organeve të ligjvënësit, qoftë edhe me një mesazh, meqë hyn në kompetencat e Presidentit. Në mënyrë që t’u kërkojë atyre të mbajnë mbi shpatullat e tyre përgjegjësinë lidhur qëndrimin ndaj diasporës. Është e kotë që të presim akoma. Ne rolin tonë e kryejmë përditë, mirë a keq. Është shumë e lehtë të premtosh para zgjedhjeve dhe po aq e lehtë ta harrosh sapo kalojnë ato. Mendoj se një mesazh me shkrim i Presidentit, dërguar organeve të ligjvënësit, do të ishte shumë i rëndësishëm”.

Takimi përfundoi në këtë mënyrë, me kërkesat e diasporës për pjesëmarrje e për votime, të cilat mbetën pezull. Në këtë drejtim nuk pati ndonjë risi. Në fakt, tema e votës së emigrantëve nuk u prek fare në fjalimin e Presidentit.

 

[Botuar fillimisht tek Peizazhe të Fjalës]

Advertisements
%d bloggers like this: