I NJËJTI AVAZ

Problemi i kultivimit të kanabisit në Shqipëri dhe i trafikimit të tij është tashmë aq i dukshëm saqë nëpër muhabete të zakonshme qytetarësh dëgjon të thuhet se për parcelat me hashash mbyllet një sy qëllimisht, sepse në këtë mënyrë njerëzit fitojnë diçka dhe kanë me ç’të rrojnë. Se sa e vërtetë është kjo, pra që organet e shtetit e lënë vetë disi të lulëzojë “ekonominë e hashashit” për t’i ndihmuar njerëzit, nuk ka ndonjë rëndësi të veçantë nga këndvështrimi i këtushëm. Zyrtarisht deklarohet si e pathemeltë. Ndërkohë merr rëndësi të posaçme pikërisht mendësia e justifikimit, që përhapet ngadalë ndër mbështetës e të tjerë qytetarë.

Kush ka pak memorie historike do të na kujtonte se kemi të bëjmë me një avaz të vjetër, që shkon përtej shumicës aktuale politike. Në fillim të viteve nëntëdhjetë, thuhej se qeveria e atëhershme e mbyllte një sy për trafikimin e karburantit në drejtim të ish Jugosllavisë, pavarësisht se ishte vendosur embargo ndërkombëtare, ngaqë popullsia e veriut ishte në pikë të hallit, kështu që disa pika naftë kontrabandë do ta ndihmonin të dilte sadopak nga varfëria.

I njëjti arsyetim është përdorur për të anashkaluar problemin e gomoneve drejt Italisë. Nga shumë anë, në atë kohë, dëgjoje zëra justifikues se papunësia e madhe shkaktonte emigracion dhe se njerëzit duhet të iknin për bukën e gojës. Madje trafikantët e qenieve njerëzore shikoheshin edhe si “shpëtimtarë” nga kthetrat e varfërisë. Tek e fundit, a nuk përmbushnin kërkesat e njerëzve për të ikur jashtë shtetit? Edhe në atë kohë, pëshpëritej, se organet e dinin, por i linin vetë, gjithnjë për të ndihmuar njerëzit dhe ekonominë shqiptare.

Nuk mund të shmangen gjithashtu përshoqërimet me çka ndodhte gjatë regjimit totalitar i cili, sipas zërave të asaj kohe, e organizonte vetë trafikun e cigareve kontrabandë, duke i prodhuar në vend cigaret me firma të huaja e duke i shitur në det të hapur. Edhe në atë periudhë, ideja ishte se këto veprime të paligjshme bëheshin për një objektiv madhor, pra për të mirën e popullit dhe të regjimit popullor.

Me pak fjalë, qëllimi justifikon mjetet për arritjen e tij. Megjithatë, çështja shkon më larg se makiavelizmi i njohur, ngaqë ndërfutet justifikimi kolektiv dhe normalizimi i veprimeve të jashtëligjshme. Edhe përplasjet mes palëve politike duken lojë rolesh. Në qoftë se nga një anë kundërshtarët e akuzojnë qeverinë për trafiqe të paligjshme dhe lidhje të kriminalitetit me pushtetin, nga ana tjetër mbështetësit, kur nuk i mohojnë dot, i derubrikojnë veprimet në zgjidhje ekonomike të pashmangshme në kohë krize ekonomike. Çështje kohe dhe rolet shkëmbehen. Asnjë nga palët nuk prekin çështjen kryesore: etikën.

Le të nënvizojmë që në fillim se lejimi i veprimeve të paligjshme, nga parcelat e sotme deri tek kontrabanda e djeshme, është i gabuar nga të gjitha pikëpamjet. Ekonomikisht njerëzit e varfër nuk kanë ndonjë përfitim të madh, në kuptimin që kultivimi i kanabisit nuk i bën fshatarët të kamur. Përkundrazi, i lidh ata me ekonominë kriminale, duke i vënë përballë rrezikut dhe duke i shndërruar praktikisht në skllevër. Përfitimi u shkon atyre që e drejtojnë këtë ekonomi, të cilët janë me përkufizim të paktë. Ekonomia kriminale çon në polarizim të fitimeve.

Por dëmet më të mëdha ekonomike vijnë nga shtrembërimet e tregut që krimet ekonomike shkaktojnë. Sasitë e mëdha valutore që vijnë nga aktivitetit kriminal, siç mund të jetë trafiku i drogës, ose pastrimi i parave, përçudnojnë krejt tregun vendas, duke e çekuilibruar atë. Pasojat i vuajnë qytetarët e thjeshtë dhe ndërmarrjet e shëndosha, që hasin në një konkurrencë të padrejtë, sepse duhet të përballen me ndërmarrje që luajnë, si të thuash, me hile në fushën e tregut të lirë.

Ka edhe dëme të tjera, si ndotja e aktiviteteve të shëndosha dhe përfshirja e kategorive të tjera sociale si punonjësit në drejtësi, në financa, në organet e rendit, në politikë, etj. Aktivitetet kriminale e rrisin detyrimisht korrupsionin dhe e infektojnë pjesën tjetër të ekonomisë. Vetë politika e korruptuar e riprodhon vetveten dhe e mbyt politikën e ndershme, ngaqë ka më shumë mjete në dispozicion.

Ky lloj aktiviteti i kriminalitetit të organizuar, pra mbjellja, kultivimi e trafikimi i lëndëve narkotike, shkon përtej veprave penale si vjedhja e një banke. Përhapja dhe kapilariteti i këtij aktiviteti i siguron kriminalitetit një farë tolerance sociale, që shndërrohet më pas në atë që italianët e quajnë omertà. Kur bashkësia, ose vetë organet e rendit, e konsiderojnë aktivitetin ilegal si të pranueshëm, ose të justifikueshëm për sa kohë “siguron bukën e gojës”, atëherë edhe lufta ndaj tij bëhet tejet e vështirë, ndoshta e pamundur, sidomos kur është i lidhur me territorin dhe njerëzit. Aktiviteti kriminal e dëshiron moszhvillimin dhe padijen, sepse përbëjnë humusin e tij të vërtetë.

Pra fushat plot kanabis që lulëzojnë në Shqipëri, nga jugu në veri, janë çështje etike para se të jenë problem rendi. Kur nuk dallohet e mira nga e keqja, e drejta nga e padrejta, korrektësia nga gabimi, është e kotë të dërgosh punonjës policie me sakicë në dorë duke luftuar me bimët e kanabisit dhe të japësh të dhëna mediatike për shkatërrimin e kaq apo aq rrënjëve. Ndoshta pak kilometra më tutje po mbillen ndërkohë të tjera.

Mentaliteti i aktivitetit të paligjshëm shkon përtej kanabisit, i cili nesër mund edhe të legalizohet si bimë, por rrënjët e tij janë më të thella.

 

[Botuar fillimisht tek Peizazhe të Fjalës]

Advertisements
%d bloggers like this: