TË VOTOSH APO TË MOS VOTOSH

Vota tronditëse në favor të Brexit, referendumi italian që do të zhvillohet në vjeshtë për ndryshimet në Kushtetutë dhe ideja e hedhur së fundi që shqiptarët ta votojnë reformën e drejtësisë me referendum, na detyrojnë t’i kthehemi sërish diskutimit për demokracinë referendare dhe sistemin mazhoritar.

Pas votës për daljen e Britanisë së madhe nga Bashkimi Europian pati shumë interpretime e debate. Vetë shenjat e pendesës, që po shfaqen në shumë zgjedhës anglezë tregon se mjaft prej tyre nuk ishin shumë të vetëdijshëm për rëndësinë e temës në çastin e votimit. Po kështu milionat e firmave për zhvillimin e një referendumi tjetër dhe kërkimet e ankthshme në motorët e kërkimit në internet për të mësuar se çfarë është BE-ja.

Nuk është vendi për të analizuar gjatë arsyet që i shtynë mbështetësit e “leave” dhe atyre të “remain”; as të ndalemi tek matja e flukseve të votave, që tregoi qartë se të rinjtë votuan me shumicë në favor të BE-së. Fakti është se ata që votuan daljen nga Bashkimi Europian kishin arsyet e tyre, herë të mbështetura dhe herë imagjinare, herë të shoshitura me logjikë, herë të induktuara nga propaganda frikëndjellëse. Partitë nuk e ndihmuan qytetarin të merrte një vendim të vetëdijshëm, të bazuar në peshimin e faktorëve pro dhe kundër, larg emotivitetit kontigjent dhe pasioneve verbuese. Siç u vërtetua tashmë, gjatë fushatës pati edhe informacione manipuluese.

Që ky Bashkim ka shumë të meta dhe duhet të ndryshojë absolutisht e dinë të gjithë ata që jetojnë në Europë. Mirëpo, për fat të keq, referendumi ka vetëm dy kuti ku mund të vihet shenja: ose Po, ose Jo (jashtë ose brenda). Ndërkohë që ka pasur me siguri nga ata qytetarë anglezë, që nuk duan të rrinë brenda këtij Bashkimi, por duan të bashkëjetojnë me rregulla të tjera, ta zëmë më pak burokratike, pra në një Bashkim tjetër. Mirëpo sistemi referendar dhe ai mazhoritar është i prerë. Ka vetëm dy opsione dhe fitojnë ata që kalojnë 50% + 1 votues. Të tjerët, pavarësisht nga arsyetimet e thella apo jo, mbeten me gisht në gojë. Po sikur referendumi të kishte, ta zëmë, tre opsione? Daljen, qëndrimin dhe qëndrimin me ndryshim të BE-së? Kush do të fitonte?

Meqë nuk është rasti e gjithsesi antihistorike të vëmë në diskutim votën universale, pra të drejtën e votës nga ana e të gjithë atyre që mbushin moshën madhore, pavarësisht nga arsimi ose shtresa shoqërore, atëherë nuk na mbetet gjë tjetër veçse të gjejmë sisteme të tjera për të shmangur votimet e diskutueshme siç ishte ai për Brexit. Ndoshta duke riparë rregullat e ftohta aritmetike që nuk e bëjnë demokracinë, por vetëm sa e shtrëngojnë. Megjithatë, referendumi ishte brenda rregullave ekzistuese të demokracisë dhe si i tillë duhet të respektohet. Fakti është se partitë politike jo vetëm nuk siguruan informacion cilësor e të bollshëm për qytetarët, por e rritën temperaturën e debatit për t’ua mjegulluar arsyen. Me fjalë të tjera, ka rëndësi referendumi, por edhe mënyra se si zhvillohet ai.

Pa hyrë në rastin italian, ku në tetor do të votohet reforma kushtetuese, me një po ose jo të thatë, mund të përmendim hipotezën e votës referendare për reformën e drejtësisë në Shqipëri. Kjo reformë na është shfaqur këto muajt e fundit në mënyrë enigmatike, më shumë në trajtën e përplasjeve partiake, krejtësisht autoreferenciale, duke na e fshehur praktikisht përmbajtjen. Por nga ana tjetër, edhe për ata që kanë dashur të dokumentohen seriozisht, nuk është e lehtë të gjykojnë me dy opsione (ose merre, ose lëre) lidhur me një reformë të artikuluar e të koklavitur, ndoshta të pakuptueshme për disa pika edhe për juristët vetë.

Problemi është se demokracia përfaqësimtare ka hyrë në krizë prej kohësh, çka shfaqet si diçka ciklike në histori, por në epokën e internetit tendencat e demokracisë direkte duken më të forta. Në të vërtetë, për të trajtuar tema të tilla të ngatërruara, qytetarët zgjedhin përfaqësuesit e tyre. Këta, pasi i studiojnë problemet e ndryshme, qoftë me ndihmën e ekspertëve përkatës, vendosin për një zgjidhje të caktuar dhe më pas u përgjigjen zgjedhësve, të cilët kanë gjithnjë armën e votës së lirë për t’i gjykuar.

Në këtë drejtim, duket interesant mendimi i ekonomistit nobelist Amartya Sen, sipas të cilit “referendumi duhet të përdoret vetëm për çështje të thjeshta e të veçuara”. “Në demokraci – shprehet ai – disa çështje duhet të vendosen nga ata që qeverisin, por pasi të nisin një diskutim publik, me kontroll të fakteve”. Pjesa e dytë e pohimit duket më e rëndësishme se sa e para dhe lidhet gjithsesi me referendumin.

Politikanët dhe partitë duhet t’u krijojnë kushtet ideale qytetarëve të vet, kur ata shkojnë në kutitë e votimit. Në këtë pikë ndihmon shumë debati publik, i hapur, i sinqertë dhe i barabartë për të gjithë, edhe nga pikëpamja mediatike; duke shmangur instrumentalizimet, manipulimet e ideologjizimet.

Por ajo çka i mungon klasës politike është përgjegjshmëria dhe përgjegjësia, dy elemente të domosdoshme edhe për menaxhimin e krizës aktuale europiane.

 

[Botuar fillimisht tek Peizazhe të Fjalës]

Advertisements
%d bloggers like this: