DILEMA E SAMITIT TË DIASPORËS

Në prill të këtij viti, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, njoftoi se në nëntor do të zhvillohej samiti i parë i Diasporës. Lajmi u dha gjatë një aktiviteti të organizuar nga komuniteti shqiptar në New York. Për hir të së vërtetës, njoftimi për zhvillimin e samitit të Diasporës ishte lajmëruar nga qeveria e Tiranës në vjeshtën e vitit të kaluar, kur u “anunçua” se do të zhvillohej në mars 2016.

Nuk po fosilizohemi në saktësime formaliste, fundja rëndësi ka thelbi dhe përmbajtja.

Sipas shtypit shqiptar, Kryeministri Rama tha shprehimisht:

Jam i lumtur të shpall këtu, për herë të parë se në nëntor të këtij viti do të organizojmë Samitin e parë të Diasporës Shqiptare në Tiranë. Puna për organizimin e Samitit është në zhvillim dhe shumë shpejt detajet për pjesëmarrjen dhe regjistrimin do të bëhen publike. E shkuara jonë e hidhur dhe e përçarë, dekada të mungesës së komunikimit, vrulli për të zbuluar botën dhe vështirësitë e tranzicionit në rindërtimin e shtëpisë sonë na kanë mbajtur shpesh të veçuar. Kjo nuk do të ndodhë më. Samiti do të jetë një event madhor, ku qeveria dhe aktorë të tjerë kombëtarë do të diskutojnë me përfaqësuesit e diasporës shqiptare nga çdo kënd i botës, në më shumë se 50 vende, për hapat konkretë që mund të hedhim për të forcuar lidhjet dhe bashkëpunimin midis nesh. Në radhë të parë, si mund të ndërtojmë sa më shumë ura dijeje, sepse dija është gjëja më e çmuar që Shqipëria mund të mësojë nga ju këtu dhe nga të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen në botë. [Mapo, 12 prill 2016]

Përveç lajmit të organizimit të samitit, siç mund të kuptohet nga radhët e mësipërme, Kryetari i qeverisë ofroi gjithashtu një gjykim për marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe emigrantëve të saj. Sipas tij nuk do të përsëriten më disa gabime që janë bërë në të kaluarën. Fjalia që i përmbledh këto gabime, duket si e hedhur kalimthi, por nuk është ashtu. Përkundrazi, duket sikur janë ndarë me peshore farmacisti. Në vend të parë është “mungesa e komunikimit” që, për sa kohë nuk përcaktohet qartë, mund t’u faturohet si faj të dy “palëve”, nëse mund të shprehemi kështu, pra Shqipërisë dhe diasporës. Në vend të dytë “vrulli për të zbuluar botën”, që u takon pa diskutim emigrantëve; dhe në fund “vështirësitë e tranzicionit në rindërtimin e shtëpisë sonë”, që ka të bëjë me qëndrimin e Shqipërisë dhe institucioneve të saj.

Tri kategoritë e gabimeve janë të ndara në mënyrë të barabartë, një për secilën palë dhe një tjetër të dyja bashkë. Mjaftojnë vetëm këto tri pika për t’i imponuar panelin një konference të tërë dhe plot argumente studiuesve të migracionit. Por nuk mund t’i mëtohen një shkrimi, sikundër nuk mund t’i kërkohen Kryeministrit, analiza të hollësishme për të kaluarën dhe të tashmen e marrëdhënieve të Shqipërisë me diasporën. Edhe për faktin se vetë termi diasporë është disi i mjegullt nga ana semantike, gjithsesi kërkon përkufizim e pranim nga të gjithë për çka shenjon si koncept.

Fjalët e Kryeministrit shpjeguan se samiti do të jetë një diskutim me përfaqësuesit e diasporës shqiptare të ardhur nga më shumë se pesëdhjetë vende, për të forcuar lidhjet dhe bashkëpunimin midis Shqipërisë dhe emigrantëve, në veçanti duke krijuar “ura dijeje”. Programi i samitit u përvijua në këtë mënyrë:

Do të jetë një takim pa asnjë dallim për atë që jemi, nga vijmë, çfarë besojmë apo çfarë partie preferojmë. Do të jetë një takim i gjallëruar nga dëshira për t’u bashkuar përmes ideve, hapave konkretë, planeve të veprimit, duke u udhëhequr nga nevoja për të ndërtuar një urë midis nesh, shqiptarëve jashtë dhe atyre në Atdhe. Do të jetë momenti për të treguar se ne mund të jetojmë në pjesë të ndryshme të botës, por të ndihemi një; mund të jemi të shpërndarë në shtete të ndryshme, por gjithmonë të bashkuar rreth vlerave tona, parimeve tona, vendosmërisë sonë kulturore dhe shpirtërore, gjuhës dhe përkatësisë sonë, identitetit tonë unik shqiptar. Do të jetë momenti për të diskutuar dhe shpresoj për t’u dakordësuar mbi rrugët dhe mënyrat e strukturimit të bashkëpunimit tonë, duke ngritur mekanizma për të punuar dhe zbatuar projekte që do të na lejojnë, ne të jemi plotësues të njëri-tjetrit. Do të nisim nga njohja e njerëzve në Shqipëri me shembujt e suksesit, heronjtë e diasporës në kuptimin e punës, arritjeve dhe suksesit të përditshëm. Në kthimin në shtëpi, përpjekjet tona të përbashkëta mund të maksimizojnë progresin dhe mirëqenien, duke rritur shkëmbimet tregtare dhe lidhjet ekonomike. Këtu në diasporë ne mund të bëjmë shumë më tepër në ruajtjen e gjuhës sonë, imazhit tonë, në ruajtjen dhe zhvillimin e identitetit tonë, duke ofruar shërbime më të mira përmes rrjeteve tona konsullore, duke punuar me qeveritë e tjera për të ruajtur të drejtat individuale dhe komunitare. Samiti i nëntorit do të jetë momenti për të treguar se cilët jemi dhe se jemi tashmë të aftë dhe të pjekur mjaftueshëm për të bërë më shumë dhe për të synuar më lart [Tekstin origjinal e gjeni këtu]

Po ta skremojmë fjalimin nga yndyra e zakonshme e retorikës politike, do të vërenim se ka shumë elementë programatikë, meqë flitet për rrugët dhe mënyrat e strukturimit të bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe diasporës së saj, për përpjekjet e përbashkëta për mirëqenie, për ruajtjen dhe zhvillimin e identitetit e kështu me radhë. Nga një anë janë për t’u vlerësuar temat e përmendura, detyrimisht të përgjithshme, nga ana tjetër hapja mendore me të cilën ato preken dhe shtrohen. Qeveria shqiptare, duke u bazuar në deklaratat që bën, ka ndër mend ta ndryshojë kursin e deritanishëm të qëndrimit ndaj emigrantëve shqiptarë jashtë shtetit. Qëllimet e shprehura së fundi, edhe pse në vija të përgjithshme e ndonjëherë me tone emfatike, duken mjaft të mira.

Problemi nuk qëndron tek deklaratat e Kryeministrit, as tek programi qeveritar; tek e fundit programet politike janë me përkufizim qëllimira, të shkruara bukur e pa gabime. As tek pedanteria me të cilën mund të lexoheshin fjalitë e mësipërme, ku lapsi i kuq ka gjithnjë diçka për të shënuar. Problemi qëndron tek konteksti i politikës shqiptare dhe tek kultura politike që është instauruar tashmë në Shqipëri. Përcaktimi kryeministror “E shkuara jonë e hidhur dhe e përçarë” flet pa mëdyshje për të kaluarën e marrëdhënieve Shqipëri/diasporë. Diagnoza është e saktë. Nga ana tjetër, vetë vijat e para të identikit-it të samitit mund të shikohen si ndreqje gabimesh të mëparshme, çka kërkon në fillim pranimin e tyre e më pas korrigjimin. Se si do të artikulohet terapia më tej dhe se si  do të identifikohen patologjitë e tjera është çështje që kërkon hapësirë të veçantë.

Praktika politike në Shqipëri na ka mësuar me abuzime premtimesh e njoftimesh. Shpeshherë nismat lajmërohen (ose anunçohen sa për të përdorur një huazim televiziv në modë), reklamohen me intensitet e më pas harrohen. Vëzhguesit e politikës kanë vënë re prej kohësh se ka një farë hipertrofie të njoftimeve dhe premtimeve në politikë, të cilat jepen pa u kujdesur për mbajtjen e tyre. Në italisht është përdorur në mënyrë efikase edhe prapashtesa “-ite”, që përdoret zakonisht në zhargonin mjekësor për të shenjuar pezmatimin e organeve të ndryshme, si p.sh. polmonite, bronchite, tendinite, peritonite, meningite etj. Në shqip kjo prapashtesë nuk del qartë, por gjithsesi dallohet në huazimet pleurit, bronkit, e më pak në hepatit, meningjit, etj. Sipas të njëjtit model mund të huazonim neologjizmin “anunçit“, për të treguar pikërisht inflamacionin e njoftimeve publike që bën klasa politike.

Njoftimi për realizimin e diçkaje shkon përtej premtimit, sepse mund të përmbajë edhe afate kohore. Në një farë mënyre njoftimi është faza e dytë e premtimit. Besimi që ngjall njoftimi dhe lajmërimi nuk është aq paradoksal, sidomos kur shprehet me siguri e bindje. Mesazhi implicit është ai i realizimit përfundimtar i premtimit të dhënë.

Ka shumë nisma që njoftohen e realizohen, por në thelb mbeten gjithsesi në rangun e premtimit të pambajtur, pikërisht ngaqë bëhen për efekt propagande dhe imazhi. Platforma mbi të cilën vepron ky mekanizëm gjendet në shoqërinë e sotme të imazhit, ku politika është spektakolarizuar dhe mediatizuar deri në skaj. Për këtë arsye mediumi shkon e përputhet me mesazhin, kurse imazhi me realitetin, sa për të cituar me dy batuta të thjeshtëzuara studiues të thellë si Marshall McLuhan e Jean Baudrillard.

Ka një bashkëfajtor në mekanizmin pervers të “vrasjes së realitetit” dhe është diktatura e së tashmes, në altarin e së cilës janë sakrifikuar njëkohësisht e kaluara dhe e ardhmja. Jemi të zhytur aq shumë në shpejtësinë e së tashmes, jemi aq të zënë me hallet e ditës, jemi aq të hutuar mbi celularin inteligjent, jemi aq të dhënë pas përditësimit të profilit, saqë harrojmë premtimet e bëra dhe nuk kujtohemi të kontrollojmë (për)mbajtjen e tyre. Pa e ngritur kokën drejt horizontit. Ndërkohë mediat, kur nuk janë të kontrolluara, ose kur janë joprofesionale e thashethemiste, nuk i gjejnë dot lajmet, as i kontrollojnë faktet (fact checking).

Për t’u kthyer tek tema fillestare, duhet të pranojmë se dilema e parë e samitit të parë të diasporës do të ishte pikërisht kjo: realizimi i nismës për efekt imazhi, si një skenë madhështore krekosjeje, për efekte propagandistike, apo realizimi i nismës për zgjidhjen konkrete të problemeve të shtruara, për krijimin e urave reale midis Shqipërisë dhe diasporës së saj në botë. Rruga e parë nuk do të ishte e paprecedentë, sepse bëhet fjalë për një praktikë të vjetër të politikës, e cila shpeshherë i bën gjërat sa për foton finale dhe telekamerën televizive; por do të ishte pa diskutim katastrofale për marrëdhëniet midis shtetit shqiptar dhe emigrantëve; jo vetëm për shkak të pritshmërisë së krijuar, por edhe të përvojës së dhjetëvjeçarëve të fundit. Mbi të gjitha do të ishte një shans i humbur. Për të gjithë.

Shqipja ka një shprehje interesante për një veprim që kryhet sa për t’u dukur përpara të tjerëve: “E bëri sa për sy e faqe”. Rreziku është që samiti të bëhet sa për sy e faqe, sa për të vënë një medalje të shndritshme në gjoksin e shqiptarisë, sa për t’i bërë një qokë emigracionit jashtë, sa për konsum mediatik, sa për kapital të brendshëm, ose ca më keq, sa për të zbukuruar uniformën partiake.

Në kushtet e deritanishme, kur ende nuk njihen detaje të samitit të nëntorit, nuk mund të thuhet shumë, përveçse të konstatohet vullneti i mirë për një nismë ambicioze që në titull, deri diku me ngjyra kremtuese. Gjithsesi, supozohet se do të jetë hapi fillestar i një rrugëtimi të gjatë, përderisa “Samiti i parë” nënkupton se të tjerë do të pasojnë.

Për ata që janë të imunizuar nga paragjykimet, kërkohet vetëm pak durim e besim i sinqertë.

 

[Botuar fillimisht tek Peizazhe të Fjalës]

Advertisements
%d bloggers like this: