SHQIPTARËT NË ROMË

Në një epokë globale, shpeshherë vështrimi ndaj dukurisë së migracionit ngec në nivel makro, duke harruar jo rrallë përmasën territoriale. Megjithatë, duhet ta theksojmë, bëhet fjalë për një përmasë tejet të rëndësishme për ta kuptuar thellësisht dukurinë epokale të migracionit.

Ta fokusosh vëmendjen mbi realitetet territoriale të veçanta, pra në nivel mikro, do të thotë të kapësh aspektet konkrete të migracionit, të prekësh nyjëtimet krahinore apo zonale e, në analizë të fundit, nënkupton zgjidhje të problemeve migratore, të cilat fillojnë natyrisht nga njohja e këtyre të fundit.

Vështrimi i vëmendshëm i migracionit mundëson gjithashtu njohjen e vetë realitetit ku dukuria verifikohet, përveçse u jep mundësi institucioneve t’i kalibrojnë ndërhyrjet e tyre publike edhe në nivel lokal. Një rast të volitshëm, për të njohur elemente interesante të imigracionit shqiptar në Itali, na e jep botimi i Raportit të njëmbëdhjetë të Osservatorio Romano sulle Migrazioni, përgatitur nga Qendra e studimeve dhe kërkimeve IDOS, në bashkëpunim me Institutin e stdimeve politike S. Pio V (Romë, 2016). Ky raport jep një panoramë statistikore e analitike të situatës migratore në krahinën italiane të Lacios dhe në provincën e Romës. Analizohen kështu tema të ndryshme të imigracionit, brezat e rinj, flukset dhe pritja e refugjatëve, pasojat sociale, ekonomike e të punës në territorin e përmendur, përvojat e solidaritetit, prania në shkolla, e karakteristika të tjera të krahinës romane e laciale.

Krahina e Lacios (it. Lazio) zë vendin e dytë në Itali për nga numri i rezidentëve të huaj. Imigrantët që jetojnë rregullisht në këtë krahinë në datën 1° janar 2015, janë gjithsej 636.524, pra 10,8% e popullsisë totale dhe 12,7% e të gjithë të huajve në vend. Femrat përbëjnë 52,2%, ndërsa nga pikëpamja e prejardhjes më të shumtit në numër janë rumunët që, me një prani mjaft të përhapur, përfaqësojnë 35,3% të të huajve rezidentë në Lacio.

Megjithatë, ka përqëndrime të ndryshme komunitetesh në provincat laciale. P.sh. indianë ka shumë në provincën e Latinës (veçanërisht në Sabaudia, Terracina, Pontinia e Fondi); shqiptarë ka shumë në dy komuna të Latinës (Gaeta e Fondi), por edhe në Frosinone;  marokenë ka gjithashtu në Latina (Priverno e San Felice Circeo) e në Frosinone (Ripi, Sora e Casalvieri); ukrainas ka kryesisht në kryqendrat e provincave, ku kërkohet më shumë puna në familje.

Para se të shohim statistikat e shqiptarëve në Romë, duhet të nënvizojmë se në fillim të 2015-s, Roma zinte vendin e parë si provincë italiane për nga numri i imigrantëve (523.957 rezidentë të huaj). Ndërsa brenda në qytet jetojnë 363.563 imigrantë, të cilët përbëjnë 12,7% të popullsisë. Femrat janë më shumë se meshkujt, në raportin 52% me 48%, ndërsa mosha mesatare është e re, saktësisht 35,7 vjeç, kurse të miturit përbëjnë 16,7%.

Gati gjysma e të huajve në kryeqytetin italian vijnë nga Europa, më pas vjen kontinenti aziatik. Të dhënat e Raportit janë shumë interesante, sepse japin edhe shpërndarjen sipas municipeve (lagjeve). Nga të dhënat del qartë se femrat e huaja kanë një përqindje pëlleshmërie gati dy herë më të lartë se italianet. Gjatë vitit 2014, janë celebruar në Romë 7.961 martesa, nga të cilat 1.766 të paktën me një bashkëshort të huaj (22%). Brenda kësaj kategorie të fundit, 6,8% janë martesa midis të huajve.

Në fillim të vitit 2015 në Romë jetonin 7.243 shqiptarë, pra 49 më shumë se vitin 2014, çka dëshmon një qëndrueshmëri statistikore të pranisë së tyre. Po të vihen re numrat e të huajve të tjerë, del se shqiptarët nuk renditen në vendet e para (zënë vendin e trembëdhjetë). Nuk duhet të harrojmë, gjithsesi, se në këto statistika nuk përfshihen shqiptarët që kanë marrë ndërkohë shtetësinë italiane, numri i të cilëve vjen duke u rritur nga viti në vit.

 

Romë. Të huajt e regjistruar në gjendjen civile: 15 shtetësitë e para (01.01.2014 – 01.01.2015)

Shtetësia Më 1 janar 2014 Më 1 janar 2015 Ndryshimi në vlerë absolute Ndryshimi në përqindje
Rumania 88.103 88.384 281 0,3
Filipine 40.212 40.443 231 0,6
Bangladeshi 25.646 28.473 2.827 11,0
Rep. Pop. Kineze 15.665 16.079 414 2,6
Peruja 14.572 14.271 -301 -2,1
Ukraina 13.332 13.644 312 2,3
Polonia 13.361 12.696 -665 -5,0
Egjipti 10.320 10.328 8 0,1
India 8.879 9.075 196 2,2
Sri Lanka 8.707 8.837 130 1,5
Moldavia 8.646 8.591 -55 -0,6
Ekuadori 8.480 8.354 -126 -1,5
Shqipëria 7.194 7.243 49 0,7
Maroku 5.259 5.232 -27 -0,5
Nigeria 4.032 4.181 149 3,7

Burimi: Përpunimi i Zyrës statistikore të bashkisë së Romës i të dhënave të gjendjes civile (f. 132)

Interesante shpërndarja e shqiptarëve në krahinat e Lacios. Pjesa më e madhe e tyre jeton në Romë, por ka shumë shqiptarë edhe në Frozinone e në Latina. Prania e tyre varet nga tregu i punës, por edhe nga rrjetet farefisnore e miqësore të ndërtuara gjatë viteve. P.sh. prania e madhe e indianëve në Latina tregon lidhjen e tyre të fortë me sektorin e bujqësisë, kurse numri më i madh i shqiptarëve në Romë tregon shpërndarjen e tyre transversale në shumë sektorë, por edhe përqendrimin në ndërtim. Të njëjtin çelës leximi duhet të përdorim për të kuptuar praninë e qytetarëve nga Filipinet e Bangladeshi, dy komunitete që janë specializuar, i pari në lëmin e asistencës familjare, i dyti në fushën e hotelerisë, tregtisë dhe restoranteve.

 

Lacio – Italia. Të punësuarit e lindur jashtë shtetit sipas provincave e vendlindjet kryesore (2014)

Vendi Frozinone Latina Rieti Roma Viterbo Lacio % vendi kundrejt totalit % Prov. Roma kundrejt Lacio % Lacio kundrejt Italisë
Rumania 3.432 10.636 1.965 84.332 5.643 106.008 31,7 79,6 13,8
Filipine 67 183 49 16.624 140 17.063 5,1 97,4 15,8
Bangladeshi 139 711 41 13.644 129 14.664 4,4 93,0 24,2
India 261 7.056 108 6.944 293 14.662 4,4 47,4 16,9
Shqipëria 1.254 1.103 405 9.749 750 13.261 4,0 73,5 5,2
Polonia 230 749 186 9.532 364 11.061 3,3 86,2 11,6
Kina 218 305 51 8.793 207 9.574 2,9 91,8 5,4
Ukraina 341 727 161 7.807 315 9.351 2,8 83,5 5,7
Egjipti 196 274 48 8.351 151 9.020 2,7 92,6 12,3
Moldavia 200 374 126 6.876 286 7.862 2,3 87,5 6,7
Peruja 47 103 36 7.102 111 7.399 2,2 96,0 10,5
Maroku 368 850 138 4.825 308 6.489 1,9 74,4 3,0
Gjermania 378 677 80 4.940 182 6.257 1,9 79,0 6,5
Zvicra 508 456 50 4.642 107 5.763 1,7 80,5 5,9
Franca 828 352 41 4.049 80 5.350 1,6 75,7 10,8
Tunizia 114 852 29 3.484 248 4.727 1,4 73,7 6,9
Sri Lanka 35 71 13 4.232 240 4.591 1,4 92,2 8,0
Ekuadori 37 90 19 4.132 59 4.337 1,3 95,3 8,1
Anglia 415 270 26 3.245 68 4.024 1,2 80,6 15,7
Bullgaria 178 462 61 2.999 174 3.874 1,2 77,4 8,1
Gjithsej  12.245 30.003 4.637 275.732 12.097 334.714 100,0 82,4 9,4

Burimi: Qendra e Studimeve e Kërkimeve IDOS. Përpunimi i të dhënave Inail (f. 279)

 

Ka rëndësinë e vet edhe raporti midis meshkujve dhe femrave. Në qoftë se shqiptarët paraqiten në thelb të ekuilibruar nga ky aspekt, ka komunitete të tjera që nuk janë aspak të tilla. Është rasti i ukrainasve dhe i rumunëve, që kanë më shumë femra se sa meshkuj, çka tregon edhe praninë e tyre përcaktuese në aktivitetet pranë familjeve. Nga ana tjetër është komuniteti egjiptian, i dallueshëm për përqindjen e lartë të meshkujve.

 

Roma Kryeqytet. 15 shtetësitë e para të të huajve të regjistruar në gjendje civile (01.01.2014)

Shtetësia Meshkuj   Femra   Gjithsej
v.a. % v.a.  
Rumania 38.086 22,0 50.298 26,4 88.103 24,2
Filipine 16.581 9,6 23.862 12,5 40.212 11,1
Bangladesh 22.213 12,8 6.260 3,3 25.646 7,1
Rep. Pop. Kineze 8.162 4,7 7.917 4,2 15.665 4,3
Peruja 5.468 3,2 8.803 4,6 14.572 4,0
Ukraina 2.520 1,5 11.124 5,8 13.361 3,7
Polonia 4.153 2,4 8.543 4,5 13.332 3,7
Egjipti 7.381 4,3 2.947 1,5 10.320 2,8
India 4.973 2,9 4.102 2,2 8.879 2,4
Sri Lanka 4.789 2,8 4.048 2,1 8.707 2,4
Moldova 2.986 1,7 5.605 2,9 8.646 2,4
Ekuador 3.258 1,9 5.096 2,7 8.480 2,3
Shqipëria 3.713 2,1 3.530 1,9 7.194 2,0
Maroku 2.934 1,7 2.298 1,2 5.259 1,4
Nigeria 2.303 1,3 1.878 1,0 4.280 1,2
Gjithsej 172.976 100,0 190.587 100,0 363.563 100,0

Burimi: Përpunimi i Zyrës statistikore të bashkisë së Romës i të dhënave të gjendjes civile (f. 132)

 

Një panoramë interesante japin edhe të dhënat e nxënësve në shkolla të ndryshme. Nga kopshti deri tek shkolla e mesme ka 2.617 nxënës shqiptarë në Romë, pjesa më e madhe e të cilëve janë në fillore. Bie në sy shpërndarja tendencialisht e njëtrajtshme e nxënësve në ciklet e ndryshme shkollore, çka tregon nga një anë kohëgjatësinë e emigracionit shqiptar dhe nga ana tjetër vijueshmërinë e tij.

 

Romë. Nxënësit e huaj sipas shkollës. Viti shkollor 2014-2015

  Gjithsej Kopshti Fillore Tetëvjeçare E Mesme
Shtetësia Të regjistruar % vendi Të regj. % vendi Të regj. % vendi Të regj. % vendi Të regj. % vendi
Bullgaria 647 1,1 114 17,6 245 37,9 114 17,6 174 26,9
Rumania 23.206 37,9 4.588 19,8 8.715 37,6 4.649 20,0 5.254 22,6
Polonia 1.840 3,0 251 13,6 600 32,6 391 21,3 598 32,5
Shqipëria 2.617 4,3 514 19,6 931 35,6 537 20,5 635 24,3
Ukraina 1.434 2,3 155 10,8 406 28,3 237 16,5 636 44,4
Rusia 491 0,8 47 9,6 199 40,5 86 17,5 159 32,4
Bosnja-Herc. 724 1,2 88 12,2 400 55,2 219 30,2 17 2,3
Maqedonia 569 0,9 105 18,5 209 36,7 136 23,9 119 20,9
Moldova 2.092 3,4 335 16,0 681 32,6 387 18,5 689 32,9
Bjellorusia 125 0,2 10 8,0 17 13,6 11 8,8 87 69,6
Mali i Zi 66 0,1 11 16,7 34 51,5 14 21,2 7 10,6
Serbia 158 0,3 26 16,5 81 51,3 38 24,1 13 8,2
Kosova 179 0,3 17 9,5 67 37,4 47 26,3 48 26,8
Turqia 115 0,2 21 18,3 47 40,9 25 21,7 22 19,1
Europa 36.133 59,1 6.478 17,9 13.246 36,7 7.321 20,3 9.088 25,2
Gjithsej 61.172 100 11.243 18,4 22.006 36,0 12.781 20,9 15.142 24,8

Burimi: Qendra e Studimeve e Kërkimeve IDOS. Përpunimi i të dhënave Miur (f. 351)

 

Nuk mund të mos përmendim faktin se gjatë viteve 2008-2014 tregu i punës në Lacio ka pësuar një ndalesë të fortë. Në fakt, ka rënë ndjeshëm përqindja e të punësuarve. Pavarësisht ecurisë negative të tregut të punës, ka gjithnjë e më shumë të huaj që punojnë në këtë krahinë. Megjithatë, 45,5% e punonjësve të huaj punon në profesione të pakualifikuara, ndërkohë që italianët në këtë kategori kapin shifrën e vogël prej 7,4%. Punë drejtuese ose me specializim të lartë bëhen vetëm nga 4,5% e të huajve, kurse italianët 24,4%.

Një aspekt negativ është pa dyshim numri i të burgosurve. Shqiptarët në burgjet e Romës zënë vendin e parë ndër komunitetet e huaja me rreth 10% të numrit të përgjithshëm. Në fillim të vitit 2015 rezultonin 172 të burgosur shqiptarë. Sipas Raportit, të huajt ekstrakomunitarë në burgje janë më të shumtë në numër, sepse komunitetet frymëzojnë besim të ndryshëm nga pikëpamja sociale e gjyqësore. Nga ana tjetër, imigrantët e parregullt kanë vështirësi të marrin dënime pa burg, ta zëmë me arrest shtëpie.

Lidhur me sipërmarrësit në provincën e Romës, nuk mund të thuhet se shqiptarët shquhen nga pikëpamja statistikore. Gjithsej janë 828 titullarë ndërmarrjesh, duke zënë praktikisht vendin e nëntë. Në vend të parë, befasisht dalin qytetarët nga Bangladeshi, vijojnë rumunët, kinezët, marokenët, etj. Shqiptarët kanë ndërmarrje kryesisht në sektorin e ndërtimit (62,1%) dhe në tregti (10%). Shifra prej 0,6% e ndërmarrjeve në bujqësi duket e vogël, por nuk është ashtu po të kemi parasysh se indianët kanë 0,8%. Femrat sipërmarrëse shqiptare janë gjithsej 117.

Megjithatë, në krahasim me komunitete të tjera duket që shqiptarët në Romë nuk kanë ndonjë vokacion të posaçëm imprenditorial, por kjo nuk mund të interpretohet negativisht nga pikëpamja e integrimit. Shpeshherë, aktiviteti i pavarur ndërmerret pikërisht kur nuk ka mundësi të tjera në tregun e punës. Përsa i përket specializimit në vetëpunësim, mund të themi se ka komunitete që paraqesin përqindje edhe më të larta, pra një farë skajëzimi, në praninë e tyre në disa sektorë të veçantë. Kështu marokenët kanë më shumë imprenditorë në tregti (74,6%), kurse kinezët janë të ndarë midis tregtisë dhe restoranteve.

Së fundi, janë të dhënat e dërgesave financiare (remitancave) të imigrantëve nga Roma. Shifra totale është e jashtëzakonshme (891 milionë euro), por në vend të parë janë kinezët e rumunët. Shqiptarët nuk rezultojnë ndër dhjetë komunitetet e para.

Raporti i njëmbëdhjetë i Osservatorio Romano sulle Migrazioni, përgatitur nga IDOS, përmban gjithashtu informacione të tjera të vyeshme, që kanë të bëjnë me fenë e imigrantëve, shoqatat, shkollat, shëndetin, refugjatët, integrimin, shtypin etnik, aksidentet në punë, sëmundjet profesionale; si dhe shumë tabela statistikore.

Studime të këtij lloji, midis të tjerash, u ofrojnë shanse të mira njohëse vetë komuniteteve që banojnë në Romë e në rrethina, por edhe institucioneve të vendeve nga ku emigrantët vijnë. Në këtë mënyrë, edhe qytetarët e thjeshtë kur vijnë në Romë si turistë, të paktën e krijojnë një ide të përgjithshme se në atë qytet jetojnë e punojnë edhe bashkatdhetarë; ndërsa institucionet shqiptare mund të programojnë më saktësisht nisma të ndryshme në favor të qytetarëve të vet.

 

[Botuar fillimisht në Peizazhe të Fjalës]

Advertisements
%d bloggers like this: