SHITBLERJA E SHPIRTIT

Problemi i shitblerjes së votës dhe i çmimit të saj në Shqipëri kaloi gojë më gojë, nga lokalet në rrugë, nga rruga në media, e nga mediat në politikë. Që vota është blerë 50 euro gjatë zgjedhjeve të fundit shqiptare nuk është më sekret, të paktën kështu pranohet publikisht.

“Majko: Ta themi hapur, vota në zgjedhjet e fundit vajti 50 euro” titullonte një gazetë shqiptare shkrimin që citonte disa deklarata të parlamentarit socialist për pluralizmin në Shqipëri[1]. Kjo deklaratë përcillej edhe nga një e përditshme tjetër, duke e lidhur qartë çmimin e votës me nivelin e deputetëve. Majko citohet të ketë thënë se:

Dështimi në politik është së pari dështim intelektual. Po ju them një fakt që nuk thuhet rëndom në asnjë vend por thuhet në lokalet e Tiranës apo politikës. Në zgjedhjet e fundit një votë ka kushtuar 50 euro. Ky ka qenë çmimi zyrtar[2].

Për saktësi, titulli i shkrimit të sipërm i kushtohej deklaratës së Ilir Metës, i cili shikon në shoqërinë e sotme shqiptare një krizë përfaqësimi. Kryetari i Kuvendit i është kthyer idesë për ndryshimin e sistemit zgjedhor.

Ky debat, që kërkon medoemos hapësirë të gjerë dhe analiza shumëplanëshe, më kujtoi një batutë të një humoristi italian, i cili në një monolog të famshëm tregoi se, sipas disa hetimeve, kishte zgjedhës, madje qindra zgjedhës, që e shisnin votën e vet për 50 euro. Pra, 50 euro në Shqipëri dhe 50 euro në Itali. Përshoqërimi shifror na çon detyrimisht në pika të tjera të rëndësishme. Duke filluar nga përdorimi i subjektit: votat u blenë, apo u shitën? Apo pati shitblerje? Duket si pa rëndësi, por nuk është ashtu.

Le t’i kthehemi humoristit italian, meqë satira ndonjëherë nxjerr në pah kundërshti shpesh të padukshme. Claudio Bisio, e filloi shumë bukur monologun e vet[3], sepse tha se “do të fliste për ATA, për ata që thonë një gjë dhe bëjnë një gjë tjetër, që nuk i mbajnë premtimet, që janë jokompetentë, gënjeshtarë, të pabesueshëm. Kujtojnë se kanë vetëm të drejta e asnjë detyrim. Që ua veshin fajin të tjerëve. Të largohen, të kthehen të gjithë në shtëpi!”. Spektatorët e telespektatorët duartrokisnin me entuziazëm, ngaqë kujtonin se humoristi po fliste për politikanët italianë. Në fund, surpriza: “Nuk po flisja për politikanët. Edhe për faktin se gjithsej janë disa qindra vetë… Nuk do të ndryshonte shumë sikur të iknin… Po flisja për  NE. Për italianët. Sepse po t’i bëjmë mirë llogaritë, historia na gozhdon: jemi ne porositësit. Jemi ne që i kemi votuar”.

Më pas humoristi dhe aktori Bisio bëri disa batuta për ngjashmërinë midis popullit e politikanëve të vet. “E po t’i shikoni mirë politikanët, është mbresëlënëse se sa na ngjasojnë. Politikanët italianë janë italianë. Njëlloj, identikë. Ndoshta me ndonjë nënvizim karikaturor, si maskat e komedisë së artit, që janë pak të ekzagjeruara në raport me modelin origjinal. Por që riprodhojnë përsosmërish popullin që përfaqësojnë. Kemi mashtruesin afarist, të tradhtuar nga grykësia e vet… Kemi shërbëtorin e dy padronëve… Kemi pasanikun arrogant… Kemi vashën që kërkon të martohet me çdo kusht me të kamurin, e bindur se pati ide origjinale, e që ndihet keq kur zbulon se janë rreth njëqind ato që kanë pasur të njëjtën ide… Kemi profesorin e universitetit që i di të gjitha dhe që i shpjegon me latinishten/anglishten e tij perfekte… Kemi gjaknxehtin, që i hanë duart në çdo debat… Pra kemi një përmbledhje mostrash të asaj që NE jemi, duke filluar nga të metat tona, si për shembull inkoherenca”.

Pasi dha disa shembuj sa gazmorë aq edhe ngacmues të mungesës së koherencës politike e identitare, Bisio foli në fund për ndershmërinë. “Kam parë dyqanxhinj që ankohen për qeverinë hajdute dhe nuk e japin kurrë kuponin tatimor… Kam parë të verbër, që shoqërojnë në punë gruan me makinë. Kam parë të shurdhër, që protestojnë me fqinjët për shkak të muzikës me volum të lartë. Kam parë njerëz, që ankohen për imigracionin e pastaj japin me qira në të zezë të verdhëve… Kam parë ata që ia japin fajin shtetit. Gjithmonë: nëse bie një meteorit, nëse humbasin në loto, nëse gruaja i tradhton, nëse një pëllumb i bën glasën në kokë…”.

Në fund, përmendi votën e shitur për 50 euro. “Të shesësh votën në demokraci është sikur të shesësh shpirtin”. Fausti vërtet e shiti, tha humoristi, por në këmbim të pavdekësisë, jo për 50 euro. “E vërteta është se ka shumë zgjedhës të paparaqitshëm”[4]. Pastaj e sqaroi më mirë mendimin e vet: “Ka politikanë të paparaqitshëm, por të paktën i njeh, me emër e mbiemër, madje mund t’i tallësh. Problemi janë zgjedhësit. Ata janë të mbrojtur nga anonimësia… Në kutitë e votimit shkojnë me miliona zgjedhës të paparaqitshëm, e askush nuk e di kush janë. E dini se cila mund të jetë zgjidhja? Ta zëvendësojmë tërësisht elektoratin italian”. Bisio e mbylli monologun e vet me idenë e zëvendësimit të elektoratit me qytetarë danezë ose norvegjezë.
Këtë ndërhyrje mund ta kishte bërë fare mirë edhe një humorist shqiptar. Ngjashmëritë janë aq të forta saqë do të mjaftonte vetëm ndonjë ndryshim mbiemri e kaq.

Për të njëjtin problem foli pak kohë më parë edhe një editorialist e historian i njohur italian. Në artikullin “Ilegaliteti i përhapur që ushqen korrupsionin tonë”, Ernesto Galli della Loggia, hodhi idenë se kalbësia në politikë është kalbësia e të gjithë shoqërisë, që për një mijë arsye ka vendosur të mbyllë një sy, të lejojë, të mos ndëshkojë e të amnistojë[5]. Gazetari mori shembullin e një të riu që shkon në shkollë, ku mëson të kopjojë, të lërë mësimin e të shkruajë mbi mure. Në adoleshencë do të mësojë të shmangë rregulla të tjera, sikurse do të bëjë me ato rrugore me motorin e vet. Pastaj do të shkojë të bëjë zhurmë në lokale e disko, pa rrezikuar asnjë gjobë. Pa lodhje të madhe do ta marrë diplomën e pjekurisë. E do të regjistrohet në universitet, ku nuk do t’i paguajë taksat sipas ligjit, sepse prindërit bëjnë evazion fiskal. Shumë të rinj emigrojnë, por shumë të tjerë mundohen të sistemohen me anë të njohjeve ose marrëdhënieve prindërore. Për këtë temë duhet të interesohet demokracia, për detin e korrupsionit nga poshtë, që së bashku me kriminalitetin e organizuar po e kërcënon me vdekje Republikën. Me të korruptuarit e veçantë merren gjykatësit.

A mund t’ia aplikojmë realitetit shqiptar këto fjalë? Përse jo? Edukimi për respektimin e  ligjeve dhe niveli etik i qytetarëve ka rëndësi parësore. Mësimi i ligjeve fillon që ditët e para të shkollës. Pa përmendur se si merren diplomat universitare dhe se si kapen vendet e punës.

Problemi është se shitblerja e votës në Shqipëri me 50 euro përmendet pothuajse me tone të qeta, thuajse kemi të bëjmë me diçka të zakonshme. Sikur të ishte pjesë normale e sistemit demokratik, madje mund të dallohet aty këtu, nga baret në intervista, një farë rasenjimi pasiv, apo pranimi pa kushte të realitetit. Ky këndvështrim duket sikur e ka kaluar fazën e akuzës kundër kastës së politikës dhe partitokracisë, që mendon vetëm për vete, por edhe të indinjatës sociale ndaj atyre shtetasve, që e zbatojnë praktikën e shëmtuar të shitjes së votës. Sepse është e vërtetë që partitokracia shqiptare ka vënë postblloqe kudo dhe e ka blinduar veten, duke krijuar edhe kushtet e përkryera të riprodhimit. Është po aq e vërtetë se në serrat e riprodhimit, përveç mekanizmave të posaçëm dhe mediave, kushti kryesor është shantazhi tinëzar ndaj njerëzve, sikurse është ushqimi artificial i injorancës dhe trullosja e etikës qytetare. Në këtë mënyrë, deklaratat për shitblerjen e votës duken si zbulime të ujit të nxehtë, në kuptimin që shoqëria e pranon allishverishin, e konsideron fare normal, për sa kohë nuk i jep rëndësi votës dhe nuk e barasvlerëson këtë me “shpirtin”.

Përveç kësaj, politika dhe shoqëria shqiptare kanë nevojë për një debat të çlirët për etikën qytetare dhe nivelin e korrupsionit, por duke e lënë mënjanë procesin e projektimit të përgjegjësisë tek tjetri. Mendimi se i tërë faji është i politikës, ose i tërë faji është i qytetarëve, na nxjerr nga binarët e logjikës, na largon nga etika e përgjegjësisë dhe, në fund, nuk na lejon të vlerësojmë pjesën e ndershme të shoqërisë, që ekziston, edhe pse në heshtje.

 

 


 

[1] Majko: Ta themi hapur, vota në zgjedhjet e fundit vajti 50 euro, “Mapo” 22 Prill 2016, http://www.mapo.al/2016/04/majko-ta-themi-hapur-vota-ne-zgjedhjet-e-fundit-vajti-50-euro.

[2] Meta: Shoqëria shqiptare është në krizë përfaqësimi, Shqiptarja, 22 prill 2016, http://shqiptarja.com/Politike/2732/meta-shoq-ria-shqiptare–sht–n–kriz–p-rfaq-simi-352902.html

[3] Claudio Bisio, Festival di Sanremo, 16 shkurt 2013. Videon mund ta shikoni këtu: http://www.rai.tv/dl/RaiTV/programmi/media/ContentItem-7701e78b-1792-4f19-8f24-c83a9cd06521.html

[4] Këtu humoristi italian bën një lojë fjalësh, sepse zakonisht si “të paparaqitshëm” konsiderohen disa kandidatë, pra politikanë, që për shkak të të metave të tyre nuk mund të paraqiten në zgjedhje. Kemi të bëjmë me një përmbysje logjike, por që merr kuptim.

[5] Ernesto Galli della Loggia, L’illegalità diffusa che alimenta la nostra corruzione, “Corriere della Sera”, 16 prill 2016, http://www.corriere.it/cultura/16_aprile_26/illegalita-diffusa-8d1721f4-0b1b-11e6-9420-98e198fcd5e0.shtml

 

[Botuar fillimisht tek Peizazhe të Fjalës]

Advertisements
%d bloggers like this: