PESHA E FJALËS

Nuk është nevoja të citohet shkrimtari Karlo Levi, me të famshmen “Fjalët janë gurë”, për të vërtetuar se fjalët kanë peshë, ndaj edhe duhet të përdoren me kujdes.

Mirëpo fjalët duhen njohur, duke filluar nga kuptimi, por edhe nga ngjyrimet e ndryshme që marrin në përdorim e sipër.

Le të marrim një shembull të thjeshtë. Para pak ditësh, në median shqiptare, botohet një lajm me këtë titull: «Mbërrijnë “pepinot”, Avramopulos: Jemi në dijeni të bisedimeve për refugjatët».

Në shkrim flitet për masat e marra në kufi nga ana e policisë shqiptare për ndalimin e trafikut të paligjshëm të migrantëve sirianë. Midis të tjerash, në shkrim thuhet se “Fshatrat kufitare janë duke u monitoruar imtësisht. Të mërkurën në Tiranë mbërriti delegacioni i Guardia di Finanza-s, i drejtuar nga gjeneral brigade, Stefano Skrepanti.” Citohet në fund edhe Dimitri Avramopoulos, në cilësinë e komisionerit europian. (Top Channel, 10 mars 2016).

Titulli i lajmit bie menjëherë në sy, edhe pse nuk mund të spekulojmë me qëllimet e titulluesit. Fakt është se fjala pepino nuk përmendet fare në tekstin vijues të shkrimit.

Për ata të paktë që nuk e dinë, “Pepino” (it. Peppino) është emër i përveçëm, që përdoret kryesisht në jug të Italisë, por që vjen nga shkurtimi i emrit Giuseppe (Jozef) me prejardhje biblike.

Me sa duket, në Shqipëri, emri pepino ka kaluar në një proces antonomazik e metonimik, ndaj edhe ka shenjuar përgjithësisht italianët. Duke iu referuar përvojës sime dhe disa dëshmive, mund të them se me fjalën pepino/pepinot, në njëjës ose në shumës, jepet origjina etnike posaçërisht e italianit/italianëve.

Duhet shtuar se fjala, nga pikëpamja konotative, ka pasur gjithsesi një ngarkesë negative. Që nga lufta e dytë botërore, por edhe pas luftës, e më vonë, pepino quheshin ushtarët italianë që kishin ardhur në Itali. Shpeshherë emërtimi përdorej me ngjyrime përçmuese, kur flitej p.sh. për paaftësinë luftarake të italianëve, për dëshirën për të bërë qejf, për butësinë në luftë, e të tjera paragjykime si këto, që nuk qarkullonin vetëm në trojet shqiptare. Më tej fjala i ka tejkaluar kufijtë semantikë “ushtarakë”, duke treguar të gjithë italianët si kolektivitet.

Fjalës pepino i afrohet disi edhe fjala breshkaxhinj. Kjo e fundit, midis të tjerash, është paragjykim pa asnjë bazë vërtetësie, meqë italianët nuk e kanë në traditë ngrënien e breshkave. Ka nga ata që mendojnë se breshkaxhinj është frymëzuar nga ndonjë episod i veçantë i mitizuar më pas[1], ndërsa ka të tjerë që mendojnë se ushtarëve italianë u pëlqenin shumë breshkat, kur në atë kohë në viset shqiptare nuk konsumohej një mish i tillë[2]. Interpretimi i parë duket shumë më bindës, sidomos po të njohësh pak traditën kulinare italiane.

Për t’iu kthyer lajmit të lartcituar, duhet të pranojmë se autori i titullit (që mund të mos përkojë me autorin e lajmit), i ka ngatërruar gjërat, në rastin më të mirë në mënyrë të pavetëdijshme. As thonjëzat me të cilat ka rrethuar fjalën “pepino” nuk e lehtësojnë situatën.

Keqkuptimet lidhur me ngarkesën diskriminuese të fjalës mund të lindin edhe për faktin se flitet për ardhjen e ushtarakëve italianë në Shqipëri për të monitoruar gjendjen e migracionit. E ngatërron edhe më keq situatën emri i grek i Komisionerit i cili, dashje pa dashje, i jep lexuesit një referim instinktiv nga lufta e dytë botërore dhe konfliktit të njohur italo-grek; falë edhe sintaksës së fjalisë, që e nxjerr ndërhyrjen e politikanit si reagim ndaj ardhjes së italianëve (të paktën kështu jepet përshtypja).

Mund të imagjinojmë se përdorimi është bërë duke u bazuar thjesht në vlerën denotative të fjalës, por është hipotezë që nuk qëndron, sepse fjala është vënë në thonjëza, çka tregon se autori diçka dinte për këtë fjalë. Ndoshta është përdorur si me shaka, por nuk na duket se konteksti e lejon diçka të tillë, për sa kohë po flitet për një situatë dramatike në kufi. Ndërkohë që nuk na rezulton që pepino, si fjalë, të ketë marrë ndërkohë kuptime pozitive ose asnjanëse (neutrale). Tek e fundit, ata që janë të moshuar mund ta lexojnë si dikur, pa llogaritur brezat e rinj që ende ushqehen me kinematografi bardhezi.

Ngado ta shohësh, titulli i lajmit është i gabuar. Kushedi, ndoshta një lehtësi e çastit. Por e dhamë si shembull flagrant të ndërlikimeve që mund të ketë përdorimi i pamenduar i fjalëve në publik.

Sidoqoftë, kush punon me fjalët duhet ta dijë se punon shpeshherë edhe me material në mos shpërthyes, delikat patjetër. “Nuk e di nëse fjalët e kanë krijuar botën, thotë Stanislaw Jerzy Lec, por kam frikë se do ta shkatërrojnë”.

 


[1] Roland Sejko, Albania. Il Paese di fronte, film dokumentar, Istituto Luce, Italia 2008.
[2] Gjovalin Shkurtaj, Sociolinguistikë e shqipes: Nga dialektologjia te etnografia e të folurit, Morava, Tiranë 2009, p. 112.

 

[Botuar fillimisht në Peizazhe të Fjalës]

 

Advertisements
%d bloggers like this: