LEKSIONI NË TESTAMENT

Edhe pse ka ndërruar jetë, Umberto Eco vazhdon të na argëtojë me ironinë e hollë që e karakterizonte.

Mediat njoftuan se kolegët dhe nxënësit e tij kishin vendosur të mblidheshin për të vendosur se si të organizonin veprimtari për ta kujtuar në përvjetor mësuesin e mirënjohur. Mirëpo, një orë para mbledhjes, Eco arriti t’i befasojë sërish me fantazinë e vet. Gruaja e semiologut mori në telefon dhe informoi se në testament i kishte kërkuar familjes që të mos promovonin e të mos autorizonin konferenca mbi të për një periudhë kohore prej dhjetë vjetësh.

Kolegët e nxënësit fillimisht shtangën e u hutuan, por më pas u argëtuan me “lojën” që i bëri maestro. Bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë nuk u besonin veshëve, edhe pse e mbanin mend fare mirë së Eco ua kishte thënë kur ishte i gjallë. Natyrisht, nuk kanë ndër mend të organizojnë asnjë nismë përkujtimore në Universitetin e Bolonjës, duke respektuar vullnetin e kolegut[1].

Në mos gjeniale, siç e quan dikush idenë të Eco-s për të shmangur veprimtari përkujtimore, është pa dyshim në përputhje me mendimet e tij dhe me çka ka shkruar publikisht ndër vite.

Ata që citojnë shkrimin “Via le vie!”, botuar në Bustina di minerva, kanë të drejtë vetëm pjesërisht. Në atë artikull semiologu italian frymëzohej nga debati i asaj kohe për emërtimin e rrugëve dhe shesheve. Propozimi i tij ishte që ligji ta ndalonte përdorimin e emrave të atyre që nuk kishin vdekur të paktën njëqind vjet më parë.

Eco e mbështeste mendimin e vet në faktin se aktualisht, me ndonjë përjashtim, askush nuk i njeh personazhet, emrat e të cilëve mbajnë sot rrugët e sheshet. “Jo vetëm toponomastika dënon me ‘damnatio memoriae‘, por mund të ndodhë që emër i një personazhi pozitiv t’i përshoqërohet një rruge famëkeqe”, nënvizonte shkrimtari italian[2].

Mirëpo, është e vështirë që dëshira e Eco-s të shpjegohet vetëm me këtë shkrim të vjetër. Pavarësisht se testamente të tilla ftojnë zbatimin e jo interpretimin, mund të përfytyrojmë se shqetësimi shkon përtej emërtimit të rrugëve. Damnatio memoriae shkaktohet jo vetëm nga pllaka ku gdhendet emri, por edhe nga kujtesa e përbashkët, memoria kolektive.

Që kjo e fundit ka probleme të rënda në epokën e internetit, e kishte vënë re së pari Eco-ja. Në një letër të hapur që i shkruante nipit të vet jo shumë kohë më parë, ai shprehej se brezi i sotëm është prekur nga një sëmundje e rëndë: humbja e kujtesës[3].  Kjo shkaktohet edhe nga përdorimi i keq i internetit, i cili na jep mundësinë të konsultojmë çdo gjë në çdo moment, duke lënë pa punë trurin.

Nga ana tjetër është trysnia e së tashmes, e cila e dënon njeriun të jetojë përjetësisht në përmasën aktuale, duke e detyruar të harrojë të kaluarën, por njëkohësisht e pengon të mendojë për të ardhmen. Diktatura e së tashmes ushtrohet edhe nëpërmjet teknologjive të çastit, sikurse ndikohet nga përmbushja e domosdoshme dhe e shpejtë e dëshirave individuale.

Kushtet ideale të kësaj diktature i ka krijuar edhe humbja e peshës së fjalëve. Këto jo vetëm janë shtuar pafundësisht, por i janë larguar disi gravitacionit kuptimor, duke rënë nën vargonjtë e imazhit. Të paktën në lëmin e mediave dhe të komunikimit masiv.

Nga ana tjetër nuk mund të harrojmë se shumë veprimtari përkujtimore janë gjimnastikë e narcizizmit të atyre që marrin fjalën, të cilët bëjnë sikur flasin për personazhin e përkujtuar, por në fakt flasin për vete. Në fakt, shumë podiume nuk janë tjetër veçse vitrina, ku kapardisen ego të sëmura. Për të mos folur për politikanët që e shenjojnë territorin si në raste urimesh, ashtu edhe ngushëllimesh.

Së fundi, shkrimtari edhe kësaj here i shpëtoi me mjeshtëri banalitetit, duke na dhënë një leksion kundër muzeifikimit dhe mumifikimit të personazheve të kulturës.

Është e lehtë të shohësh tek dëshira e Eco-s, dëshirën e sinqertë për t’i kujtuar veprën, por me ftohtësinë e urtësinë që të jep distanca kohore. Tek e fundit, testamenti ishte për familjen jo për të tjerët, çka do të thotë se konferenca me siguri do të zhvillohen vitet e ardhshme, të paktën nëpër botë.

Kurse për ne lexuesit testamenti është vepra e tij intelektuale.

 

 


[1] Ilaria Venturi, Il testamento di Umberto Eco: “Per 10 anni non parlate di me”, “La Repubblica”, 22 mars 2016, http://bologna.repubblica.it/cronaca/2016/03/22/news/il_testamento_di_umberto_eco_per_10_anni_non_parlate_di_me_-136012792/
[2] Umberto Eco,  Via le vie!, “L’Espresso”, 05 shtator 2008, http://espresso.repubblica.it/opinioni/la-bustina-di-minerva/2008/09/05/news/via-le-vie-1.9839
[3] Umberto Eco, Caro nipote, studia a memoria, “L’Espresso”, 03 janar 2014.
http://espresso.repubblica.it/visioni/2014/01/03/news/umberto-eco-caro-nipote-studia-a-memoria-1.147715

 

[Botuar fillimisht në Peizazhe të Fjalës]

Advertisements
%d bloggers like this: