PËRBALLË LAKURIQËSISË NË ART

Nuk është hera e parë në historinë e njerëzimit që trupi i njeriut i shprehur në art bëhet objekt polemike. Ndodhi edhe kësaj here gjatë vizitës së Presidentit të Iranit, Hassan Rouhani, në Itali.

Siç u njoftua gjerësisht në media, disa skulptura të Musei Capitolini u mbuluan me kuti të bardha për të respektuar, u tha, ndjeshmërinë e të ftuarit iranian. A duheshin mbuluar veprat antike për hir të një vizite shtetërore? Raison d’État versus art, apo triumf i pragmatizmit? Debatet pas këtij gjesti ishin të pashmangshme.

mikelanxhelo-gjykimi-universalKush ka njohuri për Mikelanxhelon e njeh me siguri edhe veprën e tij madhore “Giudizio universale” në Cappella Sistina. Por jo të gjithë e dinë se në afresk ka shumë lakuriqësi, që janë mbuluar vetëm pasi Mikelanxhelo vdiq.

Giorgio Vasari, piktor toskan e historian arti, që jetoi në vitet 1500, tregon një anekdotë të famshme për Gjykimin Universal të Mikelanxhelos. Papa Pali III shkoi për të parë veprën e maestros dhe pyeti shefin e ceremonialit të Vatikanit se ç’mendonte. Biagio da Cesena (aliasBiagio Martinelli) u shpreh se të gjitha ato lakuriqësi në një vend të shenjtë i dukeshin diçka e pandershme, dhe se ato piktura ishin të denja për mejhane e jo për një kapelë papnore.

Mikelanxhelo, që nuk ishte tip i qetë, u nxeh dhe për inat pikturoi fytyrën e Biagio Martinellit mbi trupin e Minosit në ferr, me veshë të gjatë si gomar dhe me  bisht në formë gjarpri, goja e të cilit i kafshon ndërkohë gjenitalet. Tregojnë se i gjori ceremonier u ankua vazhdimisht tek Papa, por nuk arriti ta ndryshonte fytyrën e tij në murin e Cappella Sistina (shiko në fund djathtas të fotografisë).

Sa ishin gjallë dy Papët admirues të Mikelanxhelos, pikturat e tij të famshme nuk u prekën. Por pas Koncilit të Trentos, u vendos që lakuriqësitë të mbuloheshin. Detyra e veshjes së lakuriqësive të Mikelanxhelos iu dha kolegut, bashkëkohësit dhe ithtarit të tij Daniele da Volterra, i cili nuk e meritonte si artist, që populli e më pas historia, ta mbiquante me nofkënBraghettone (që në shqip mund të shqipërohej Brekëtari). Nofkë që i erdhi nga pikturimi i stofrave mbi trupat lakuriq të Gjykimit Universal. Por mbulesa të tjera janë bërë me kalimin e kohës.

Më pas, ka pasur ide që mbulesat e piktorit Daniele da Volterra të fshiheshin, për të nxjerrë në pah pikturën origjinale të gjeniut Mikelanxhelo, por është vendosur nga ekspertët, edhe për arsye teknike, që kjo të mos bëhej.

Vizitën e Presidentit iranian dhe historinë e “Gjykimit universal” i ndajnë shumë gjëra, ndonjëherë krejt të ndryshme e të papajtueshme mes tyre, por i bashkon deri diku qëndrimi ndaj lakuriqësisë në art.

Justifikimet për fshehjen e skulpturave të Musei Capitolini, me rastin e vizitës së rëndësishme, janë të shumta. Mund të përmenden 17 miliardët e kontratave që u firmosën me iranianët, pra arsyet ekonomike, sikurse ndjeshmëria që duhet të tregojmë për mikun që na ka ardhur për vizitë. Si të thuash, pse t’ia prishim qejfin për një vepër arti, që mund të paketohet e të hapet sërish pas disa orësh.

ekspozitaSe si ka shkuar vërtet ndodhia, do të jetë vështirë të mësohet deri në fund. Mund të ketë qenë kërkesë e ndonjë funksionari të zellshëm iranian, sikurse mund të ketë qenë nismë e ndonjë funksionari italian të stresuar nga zelli i tepërt. Ndoshta as Presidenti iranian, as Kryeministri italian, nuk e kanë pasur idenë se për çfarë po flitej, derisa kanë parë titujt e gazetave.

Për fat të keq, kjo ngjarje u instrumentalizua tej mase në debatin publik, sepse u fut në arenën politike dhe u shfrytëzua për sulme që me artin kanë pak gjëra të përbashkëta. Pikërisht në një kohë kur lakuriqësia e shëmtuar, ajo kitsch dhe pornografike, po na mbyt nga të gjitha anët. Por duhet thënë, se nga pikëpamja artistike, mbulimi i lakuriqësisë në art nuk ka asnjë arsye. Edhe nga pikëpamja e lirisë së artit nuk mund të gjenden argumente pro. Ato vepra arti janë të njohura kudo dhe i përkasin historisë së hershme, madje historisë botërore.

Ndërkohë, vetë mbulimi me kuti i veprave të artit mund të perceptohet si art abstrakt, pa dyshim postmodern, të paktën falë kornizës muzeore ku ishin vendosur. Interpretimet mund të jenë të shumta, nga kthimi në origjinë të skulpturës, tek nuditeti i mermerit, si një lakuriqësi primordiale, ku njeriu përfytyron perfeksionin nëpërmjet asaj njerëzore, e në veçanti të femrës. Si të thuash, një lloj arketipi i lakuriqësisë në artin botëror, çka mund të përkthehet në politikë edhe më provokuese.

Një editorialist i njohur italian u shpreh se liria nuk negociohet, kurse një kritik arti tha se Italia u bë qesharake me këtë zgjedhje. Gjithsesi, akti i mbulimit të skulpturave nuk mund të krahasohet me mosvënien e pijeve alkoolike gjatë darkës zyrtare. Janë dy gjëra të ndryshme, për më tepër në kontekste të ndryshme. Komenti i një humoristi ishte: “Venera kapitoline u shndërrua në raft këpucësh të Ikea-s”.

Megjithatë, paketimi i veprave antike të artit, duke filluar nga Venera pudike kapitoline, mund të ishte zëvendësuar me alternativë tjetër, ta zëmë me ndryshimin e itinerarit të vizitës së Presidentit iranian, andej nga nuk kishte lakuriqësi. Kështu, do të shmangeshin sikletet dypalëshe. Tek e fundit, ka më shumë femra lakuriqe (pra jo art) nëpër reklamat gjigante që mbushin rrugën nga aeroporti në qendër të Romës, se sa në ekspozitën e lartpërmendur.

E vetmja notë pozitive në këtë histori është fakti se skulpturat e mrekullueshme të Musei Capitolini i ranë globit rreth e përqark, nga një faqe në faqe interneti, në pak orë. Shpresoj që të jenë rritur si kureshtarët, ashtu edhe admiruesit.

 

[Botuar fillimisht në blogun Peizazhe të Fjalës]

Advertisements
%d bloggers like this: