VLERA E DIPLOMËS

Realiteti shqiptar ka veçoritë e veta, që e kushtëzojnë diskutimin për vlerën ligjore të diplomave universitare, duke e nxjerrë atë nga modeli i njohur i ballafaqimit, përndryshe skematik, midis dy traditave të konsoliduara në botë: nga një anë vendet anglosaksone e nga tjetra ato të bazuara në të drejtën romake.

Duhet të pranojmë se diplomave universitare e pasuniversitare në Shqipëri, nëse do t’ua zbatonim me rreptësi ligjin e tregut, sikurse ndodh me aksionet në bursë, vlera e tyre do të rrokullisej teposhtë drejt numrit zero.

Arsyeja është e thjeshtë. Oferta e arsimit universitar është rritur në mënyrë eksponenciale njëzetë vitet e fundit, si nga pikëpamja e numrit të institucioneve që e trajtojnë atë, ashtu edhe nga sasia e kurseve didaktike që ofrohen brenda universiteteve. Janë rritur gjithashtu progresivisht studentët që shkojnë jashtë shtetit për të studiuar në universitete të huaja.

Po të kemi parasysh situatën e universiteteve në Shqipëri, shtetërore e private, po të kemi parasysh, gjithashtu, situatën jo shumë të ndryshme në vendet e tjera, nga pikëpamja e zgjerimit të ofertës arsimore, del se në Shqipëri ka një “superprodhim” diplomash të niveleve të ndryshme.

Me fjalë më të thjeshta, në Shqipëri diplomat universitare, masterat e doktoraturat, shtypen me shaptilograf, në seri, sa për të mos përmendur mjete më moderne si fotokopjueset dhe printerët me ngjyra. Nuk duhen statistika për ta mbështetur këtë fakt. Deri në vitet nëntëdhjetë, të diplomuarit në dy universitete, nëse kanë ekzistuar, kanë qenë përjashtime të njohura me gisht, kurse vitet e fundit, ata që kanë vetëm një diplomë, paradoksalisht, mund të quhen “analfabetë relativë”, për sa kohë nuk zotërojnë master të nivelit të parë, të dytë, ose diploma të degëve të tjera.

Po të shikosh jetëshkrimet e politikanëve shqiptarë, për shembull, të paktë janë gjynahqarët pa diplomë ekonomiku ose juridiku, ose pa titull (doktor i shkencave, asistent profesor, profesor). Kjo veçori bën gjithnjë përshtypje jashtë shtetit, ku politikanët ose nëpunësit nuk janë të lidhur shumë me botën akademike e gjithsesi nuk janë të obsesionuar nga certifikatat. Në letër, Shqipëria ka klasën drejtuese më të kualifikuar në botë, kurse në realitet…

Dyndja masive drejt diplomave duhet të lidhet medoemos me vlerën legale të saj, sepse lipset kryesisht për të gjetur një vend pune. Në fakt, shtysa më e madhe për diplomim nuk ka qenë pasioni për degën, por filozofia që bazohet në parimin “ta kem një copë letër se nuk i dihet”.

Rendja ndaj diplomave mund të shihet gjithashtu edhe si një mbrojtje preventive ndaj blicit të mundshëm të pushtetit/punëdhënësit të radhës. Ky i fundit, lidhur me nivelin arsimor të punonjësit në shtet, mund të vendosë rregulla të reja në çdo moment, madje me efekte prapavepruese, çka mund ta vendosë të punësuarin në pozita të brishta.

Mungesa e një masteri mund t’i japë pushtetarit sebepin e largimit nga puna, për të marrë dikë tjetër “më të kualifikuar”. Megjithëse praktika tregon se nuk ka qenë diploma, specializimi ose masteri, që i ka mbrojtur njerëzit nga pushimi nga puna. Megjithatë, “mirë është – mendon punonjësi – ta kem copën e letrës”, sa për mos t’i dhënë shkak furisë militante, ose sa për të fituar kohë për t’i futur mik shefit, ose thjesht për të ndërruar (përditësuar) teserën e partisë.

Ndërkohë, edhe brenda botës akademike, po shtohen koleksionuesit e titujve dhe diplomave, sikurse janë bërë të panumërt ata që studimet dhe artikujt i bëjnë më shumë për pasurimin e CV-së, sa për numër pra, se sa për dobishmërinë studimore në vetvete. Natyrisht, në këtë vrapim drejt diplomave, viktima e parë është cilësia, si e mësimdhënies ashtu edhe e veprimtarisë akademike. Kemi, pra, triumfin e sasisë.

Jo shumë vite më parë, diploma universitare, ose masteri, mund të ishte motiv krenarie, kurse sot, falë edhe ndryshimit të sistemit arsimor universitar, është diçka e zakonshme. Kjo është aq e vërtetë, saqë ka nga ata që u vjen turp t’i përmendin titujt që kanë arritur, ca ngaqë “u bëmë si këmbët e dhisë” e ca ngaqë “universiteti është bërë si shkolla e mesme”. Megjithatë, prestigji i shkollës si medalje mbetet ende i konsoliduar në Shqipëri.

Ka edhe një kategori tjetër: janë ata të cilëve u vjen ndot të futen në llumin e garës për diploma, ndaj u rrinë larg ciklave, por jo nga paaftësia, thjesht sepse kanë bërë një zgjidhje tjetër në jetë.

Pra diplomat, siç është thënë edhe herë tjetër, mund të konsiderohen si shprehja arsimore e sistemit piramidal. Ky i fundit, për mënyrën si ndërtohet, presupozon gjithnjë kolapsin, sepse arrin një moment që sistemi bëhet i pambajtshëm. Por kolapsi, nuk është e thënë të ndodhë me zhurmë të madhe, mund të verifikohet gradualisht e në heshtje.

Në Shqipëri, përderisa universitetet lulëzojnë, kërkesat për studime vijojnë dhe diplomat lëshohen me shumicë, nuk mund të flitet për krizë. Pasqyra shkëlqyese e diplomave, edhe pse e ciflosur nga skandale kombëtare e ndërkombëtare, vijon t’ua tërheqë vëmendjen turmave të diplomakërkuesve, që në plot raste janë më shumë klientë se sa studentë. Në këtë kuadër, ndarja midis universiteteve private dhe shtetërore, e aq më shumë debati përkatës i disa kohëve më parë, janë të tepërta dhe jo funksionale.

Një gjë është e qartë. Në këtë mënyrë nuk mund të vazhdohet më tej. Në radhë të parë për respekt të atyre që diplomën e meritojnë me të vërtetë. Sepse, pavarësisht nga ekzigjenca e përgjithësimit për trajtimin e problemit, ka shumë njerëz, studentë, profesorë, studiues, që diplomat e titujt i kanë merituar me djersë e mund. E ndoshta, viktimat e para të sistemit aktual, ku diplomat jepen si letrat që mbështjellin qofte, janë pikërisht ata që diplomën ose titullin e kanë marrë me meritë.

Si mund të dilet nga kjo situatë ekstreme? Me ndonjë retushim estetik, apo me ndërhyrje kirurgjikale? Një nga opsionet drastike mund të ishte heqja vlerës ligjore të diplomave. Natyrisht, me vlerë ligjore, përveç regjistrimit e njohjes zyrtare, duhet të kuptojmë efektet juridike e titujve shkollorë e universitarë, që mund të veprojnë brenda botës akademike dhe jashtë saj, për të bërë karrierë në universitet, ose për të gjetur punë në ministri.

Me fjalë më të thjeshta, për një vend pune në shtet, ose për një titull akademik, kandidati duhet të dëshmojë se i ka kompetencat e duhura për ta kryer veprimtarinë që i kërkohet, dhe jo sa diploma e specializime ka, brenda e jashtë shtetit. Kjo nuk do të thotë se titujt që ka marrë dhe puna që ka bërë, të mos merren parasysh, por që të relativizohet rëndësia e anës formale të diplomave. Pra më shumë përmbajtje se sa vërtetime.

Mbrojtësit e vlerës ligjore mendojnë se është e vetmja mënyrë për të vlerësuar përgatitjen e kandidatëve, kurse avokatët e abrogimit mendojnë se konkurrenca midis universiteteve do të çojë në rritjen e cilësisë së diplomave. Duhet thënë se ligjet e tregut, jo gjithnjë të drejta dhe efikase, nuk mund të veprojnë vetëm pozitivisht mbi vlerën e diplomave universitare. Rritja e konkurrencës midis universiteteve nuk çon automatikisht në rritjen e cilësisë, madje mund të shkaktojë uljen e stekës drejt standardeve më të ulëta. Shembulli shqiptar është elokuent në këtë pikë.

Në prani të një krize ekonomike strukturore, me përqindje të lartë papunësie, studimet universitare dhe nivelet e ndryshme të diplomave, që duken ndonjëherë si ato nivelet e lojërave që të shtyjnë në stadin e mëpasshëm, janë shndërruar në magazinë, parking, dhomë pritjeje, ku sistemohen të gjithë ata të rinj që presin të dalin në jetë. Ndërkohë, që të mos mërziten, u jepet diçka për të bërë: të marrin ndonjë diplomë.

Nuk mund të harrohet mungesa e lidhjes midis studimeve shkollore dhe tregut të punës. Në Shqipëri, por jo vetëm atje, sistemi shkollor dhe universitar nuk përgatit qytetarë të përgatitur për t’u futur në punë, në përputhje me kërkesat e tregut. Kjo është aq e vërtetë, saqë gjen sekretare me dy universitete, dy mastera dhe tre specializime, por asnjë prej tyre nuk pi ujë për të gjetur punë më të mirë. Ndonjëherë çan më shumë miku, partia, ryshfeti dhe minifundi, se sa diplomat e titujt. E jo gjithnjë për faj të inflacionimit të diplomave dhe titujve.

Natyrisht, çështjen e vlerës së diplomës nuk mund ta lëmë jashtë sistemit të meritokracisë, që nuk ekziston asfare në Shqipëri, sikurse nuk mund të lëmë jashtë dukurive, si ajo e emigracionit, që në pamje të parë duken si pa lidhje me temën.

Eliminimi i vlerës ligjore të diplomës nuk mund të jetë shkopi magjik i sistemit universitar shqiptar. Tek e fundit, edhe ata që do të vlerësojnë kompetencat, komisionet e gjykimit pra, janë të ndikueshëm e subjektivë. E denoncimi i tyre pranë drejtësisë, ashtu siç funksionon në Shqipëri, nuk ngjall shpresa të posaçme. Jemi pothuajse pa rrugëdalje.

Megjithatë, vlera ligjore e diplomës është eliminuar praktikisht nga vetë realiteti. Ose më mirë është vetëeliminuar. Se atje ku të gjithë kanë diplomë, askush nuk ka diplomë. Praktikisht rezulton e padobishme për të bërë diferencime të besueshme në vlerësimin e aftësive. Lufta për vend pune bëhet me një vërtetim më shumë, por edhe ai ka vlerë të luhatshme, në vartësi të konjukturave të tjera, kurse në botën akademike beteja bëhet në mënyrë krejt autoreferenciale.

Ndoshta, për t’ia shtuar vlerën diplomës, i duhet hequr pjesa ligjore. Pra më shumë “vlerë”, se sa “vlerë ligjore”.

 

[Botuar fillimisht në blogun Peizazhe të Fjalës]

Advertisements
%d bloggers like this: