TERRORIZMI E DËNIMI ME VDEKJE

Në këto momente që po kalojmë tani, propozimi për rivendosjen e dënimit me vdekje si zgjidhje e terrorizmit është së paku i pakohshëm.

Megjithëse në vendet perëndimore europiane debati publik nuk është përqendruar aspak tek rivendosja e dënimit me vdekje për personat që kryejnë akte terroriste, në Shqipëri lexohen editoriale, që zgjidhjen e problemit e shohin pikërisht në këtë mënyrë. Shkrimi “Terrorizmi? Të rivendoset dënimi me vdekje”, me autor Denis Dyrnjaja (Shqip, 20 nëntor 2015), është i qartë në këtë pikë.

Sipas editorialit, edhe Shqipëria, si vende të tjera, rrezikohet nga aktet terroriste, të cilat nuk mund të parashikohen, por mund të parandalohen. “Nëse do të besonim se disa policë më shumë në rrugë, do të shmangnin aktet terroriste në Shqipëri, do të ishte naive, thotë autori. Ndaj Shqipëria duhet të reagojë në kohë dhe në një mënyrë të ndryshme nga vendet e tjera, sa nuk është prekur ende nga ndonjë valë terrori”. Më konkretisht, sipas shkrimit, duhet të rivendoset dënimi me vdekje, “specifikisht për rastet e personave që janë përzier në veprimtari ekstremiste dhe terroriste dhe që mund të cenojnë lirinë dhe pronën e shtetasve të Republikës”.

Më tej editoriali propozon daljen e përkohshme nga traktatet ndërkombëtare që Shqipëria ka firmosur për ta ndaluar dënimin me vdekje:

Ndaj rikthimi i dënimit me vdekje do të ishte një masë e fortë parandaluese, pasi do të shtypte që në fillesë mendësinë e sëmurë për të shkatërruar një paqe sociale dhe fetare si kjo që ka Shqipëria. Çdo nënvlerësim i situatës do të ishte me pasoja të rënda për vendin dhe për stabilitetin e tij.

Që artikullshkruesi nuk beson tek roli edukativ dhe rehabilitues i dënimit me burg është më se e qartë, sepse e thotë shprehimisht:

Ai që i hyn rrugës së qoftëlargut, zor se kthen rrugë, ndaj duhet ndihmuar të shkojë në atë rrugë pa u marrë jetën të tjerëve. Në këtë ‘lojë’ të çmendurish, populli duhet të qëndrojë i paprekur dhe këtë siguri e krijon vetëm një ligj, sikurse është ai i dënimit me vdekje për këdo që tenton të bëjë marrëzira. Rivendosja dhe aplikimi i dënimit kapital, në mënyrë të posaçme, për personat që merren, përhapin, organizojnë dhe planifikojnë, veprimtari, sulme apo atentate terroriste do të ishte vendimi më i zgjuar i politikës shqiptare. Ky akt do të sillte më shumë siguri publike dhe më shumë stabilitet. Pasi të ndodhë marrëzia do të jetë tepër vonë. Kambanat e vdekjes ranë në Paris. Jehona e tyre s’duhet të dëgjohet edhe në Tiranë.

Editoriali nuk mund të akuzohet për paqartësi të mendimit kryesor në bazë të tij. Por si ta shohim në kontekstin aktual këtë propozim?

Siç e thamë edhe më sipër, në këtë momente pak janë ata që kanë propozuar dënimin me vdekje si zgjidhje të çështjes së terrorizmit. Sepse për këtë bëhet fjalë, për zgjidhje, madje parandaluese, të akteve të terrorizmit. Këto ditë të vështira, pas akteve të tmerrshme terroriste në Paris e tani së fundi edhe në Mali, po propozohen e po merren një sërë masash, duke filluar nga kontrolli i rreptë i kufijve, përforcimi i pranisë së forcave të rendit, fuqizimi i shërbimeve sekrete, sulmet ajrore kundër IS, e kështu me radhë. Nga ana tjetër, analistët, politologët, sociologët, psikologët, ekspertët e politikës së jashtme, institucionet vetë, po rreken ta studiojnë e ta kuptojnë në shumë nivele fenomenin e terrorizmit që u shfaq në Europë. Nuk është e thjeshtë, po të kujtojmë se autorët ishin me pasaportë europiane.

Megjithatë, nuk po flitet gjerësisht për rivendosje të dënimit me vdekje. Në këto orët e fundit, agjencitë po njoftojnë se vetë Kremlini e konsideron të parakohshme heqjen e moratoriumit (kërkuar nga Duma) të dënimit me vdekje. Përse duhet ta bëjë Shqipëria jashtë korit ndërkombëtar? Përse vendi ynë duhet të sillet ndryshe nga të tjerët? Përse duhet të dallohet në këtë pikë, kur normalisht është gjithnjë i rreshtuar me komunitetin ndërkombëtar?

Zakonisht dënimi me vdekje parashikohet, ose propozohet, për krime tejet të rënda, nga vrasja tek përdhunimi, nga aktet terroriste tek tradhtia e lartë. Por vështirë të propozohet e të aplikohet si masë preventive. Përndryshe si t’i kuptojmë fjalitë e lartcituara, kur flasin për dënim me vdekje për tentativa, madje të paspecifikuara mirë?

Nuk duhet të jesh jurist, siç është rasti im, për të kuptuar se dënimi kapital nuk mund të jepet në bazë të akuzave të përgjithshme, sikurse mund të jenë marrja ose përzierja me terrorizëm, përhapja, organizimi dhe planifikimi i veprimtarive terroriste dhe ekstremiste. Vetë ndarja e këtyre dy termave të fundit do të ishte e vështirë. As mund të konsiderohet dënimi me vdekje si mënyrë parandaluese për të shtypur një “mendësi të sëmurë”. Aq më tepër që nuk u drejtohet individëve, ose akteve të veçanta, por ofrohet si zgjidhje e një dukurie komplekse.

Debati pro e kundër dënimit me vdekje është historik dhe i artikuluar, me trajta filozofike, sociologjike e juridike, nuk mund të rimerret i gjithi në këtë hapësirë, por duhet përmendur patjetër se i ashtuquajturi “efekti deterrent” i dënimit me vdekje, nuk mund të funksionojë kundër atyre që e kanë marrë parasysh vdekjen, madje hidhen në erë për të vrarë njerëz të pafajshëm. E si mund t’i frikësojë dënimi me vdekje këta kriminelë të ekzaltuar që e konsiderojnë vdekjen si sakrificë, shpëtim e shpërblim për një jetë të përtejshme më të mirë? Në të kundërt, ka nga ata që e propozojnë dënimin me burgim të përjetshëm e me punë të detyrueshme, si ndëshkim më mizor për terroristët çnjerëzorë.

Zemërata e dhimbja që pasojnë aktet terroriste, kundër atyre që vështirë t’i radhitësh në racën njerëzore, janë të kuptueshme. Situata që po kalojmë është pa dyshim e vështirë dhe e komplikuar njëkohësisht. Pikërisht për këto arsye duhet t’u rrimë larg recetave thjeshtëzuese e të diktuara nga gjaknxehtësia. Përgjigjja më e mirë ndaj rrezikut të terrorizmit është gjakftohtësia dhe kuptimi në thellësi i dukurisë. Më tej, marrja e masave të duhura parandaluese e ndëshkuese, qofshin edhe të rrepta, por pa e humbur toruan e mbi të gjitha pa humbur vlerat demokratike e njerëzore (liria, vëllazëria, bashkëjetesa fetare, legaliteti, respekti ndaj tjetrit, etj.) mbi të cilat duam të themelojmë shoqërinë tonë. E kushedì, ta jetojmë jetën tonë normalisht, pa u çnatyruar, pa panik, siç kemi bërë deri më sot, do të ishte edhe dënimi më i ashpër që mund t’u jepej terroristëve dhe qëllimeve të tyre.

(c) Peizazhe të fjalës dhe autori. Ndalohet riprodhimi pa lejen eksplicite të një administratori të blogut.

 

[Botuar fillimisht në blogun Peizazhe të Fjalës]

Advertisements
%d bloggers like this: