TË MITURIT E BRAKTISUR

Mediat italiane njoftuan për një problem shumë delikat: Braktisjen e të miturve shqiptarë nga ana e familjeve të tyre.

Lajmi i referohet situatës në krahinën Emilia Romanja e posaçërisht deklaratës së zv/Presidentes së Krahinës dhe njëkohësisht Asesores për welfare-n dhe politikën e banimit, Elisabetta Gualmini. “62% e të miturve të pashoqëruar janë shqiptarë” titullon Ansa (29 tetor 2015). “Gualmini, është një fenomen i braktisjes së familjeve në kurriz të Komunave”. Ndërsa një televizion lokal titullon: “Shumë të mitur shqiptarë të braktisur”.

Por ndoshta informacionin më shterues e jep komunikata e shtypit e vetë Elisabetta Gualmini-t. Sipas saj, kemi të bëjmë me një dukuri të braktisjes së të miturve nga ana e familjeve, një tentativë për të anashkaluar rregullat në kurriz të komunave që mezi po e përballojnë situatën. Gjatë një takimi për temën, zyrtarja e lartë jep edhe shifra alarmante: të miturit e pashoqëruar janë 565, nga të cilët 349 shqiptarë (pra 61,8% e totalit). Të gjithë këta të mitur janë strehuar në strukturat e komunave, ndonëse nuk i përmbushin kriteret.

Sipas zv/presidentes së krahinës Emilia Romanja, jemi përballë një fenomeni që nuk mund të futet në sistemin e të miturve që mbërrijnë në brigjet italiane e kanë nevojë për mbrojtje. “Këtu jemi përballë një situate të rëndë braktisjeje të të miturve nga ana e familjeve”. Në këtë pikë, Shqipëria është vendi i dytë pas Egjiptit, ndërsa për të rriturit rezultojnë vende të tjera në klasifikim.

komunikatën e shtypit (29 tetor 2015) thuhet se po shtohen shumë rastet e të miturve shqiptarë që vijnë me vizë turistike e pastaj qëndrojnë në Emilia Romanja në strukturat e shërbimit social, ku strehohen e futen në shkollë. “Në këtë mënyrë futen në sistemin e mbrojtjes së të miturve të pashoqëruar, por duke pasur familje e të afërm në Shqipëri e Itali”.

Autoritet e krahinës italiane mendojnë ta zgjidhin çështjen e të miturve shqiptarë duke i identifikuar e duke i gjetur të afërmit për t’ua besuar atyre, natyrisht duke respektuar konventën e OKB-së për të drejtat e çdo fëmije që të jetojë me familjen e vet.

Pak kohë më parë sinjalizuam problemin e krahinës së Toskanës, për trafikimin e të miturve. Tani shfaqet problemi i të miturve të pashoqëruar. Duhet të themi se është hera e parë që ky problem përballohet me tone kaq të ashpra, duke folur haptazi për braktisje të të miturve. Me sa dihet, vetë braktisja e të miturve konsiderohet si shkelje e ligjit, si vepër penale, sepse ligji mbron të drejtat e fëmijës.

As mediat e as institucioni krahinor nuk flet për përpjekje eventuale për të bashkëpunuar me Shqipërinë, vendin nga ku nisen këta të mitur. Sepse, po të shikosh numrat, fenomeni është vërtet shqetësues, e sidomos po të kemi parasysh se të miturit janë pjesa më e brishtë e shoqërisë, në mbrojtje të të cilëve janë miratuar plot ligje kombëtare e konventa ndërkombëtare. Por shqetësimi nuk mund të jetë vetëm i autoriteteve vendore italiane, sepse problemi i tejkalon kufijtë e një krahine të vetme.

 

[Botuar fillimisht në blogun Peizazhe të Fjalës]

Advertisements
%d bloggers like this: