MË PAK SHQIPTARË NË ITALI?

Po të shikosh numrin e përgjithshëm të shqiptarëve në Itali del në përfundimin se emigrantët, në krahasim me vitin e kaluar, janë pakësuar. Në fakt, në fillim të 2014-s shqiptarët kapërcyen gjysmë milionin (502.546), pas një rritjeje progresive në vite.

Sipas të dhënave të Istat-it italian, në fillim të vitit 2015, në Itali jetonin si rezidentë 498.419 shqiptarë. Çfarë ka ndodhur? Përse shqiptarët, pas 25 vjet emigracioni, shënojnë ulje në numër?

Përgjigjen mund ta gjejmë lehtë në disa faktorë me peshë specifike të ndryshme. Faktori kryesor është marrja e shtetësisë. Gjithnjë sipas Institutit statistikor italian, shqiptarët dhe marokenët kanë qenë dy komunitetet që kanë marrë më shumë shtetësi italiane gjatë vitit 2014, pothuajse 40% të të gjitha shtetësive. Më saktësisht, janë bërë shtetas italianë 21.148 shqiptarë.

Ky numër i jashtëzakonshëm shpjegon edhe rënien e numrit të shqiptarëve në statistikat e vendit fqinjë. Në fakt, po t’ia shtonim numrit të përgjithshëm të shqiptarëve të gjithë ata që kanë marrë shtetësi atëherë shqiptarët do të rezultonin rreth 520.000.

Arsyeja e rritjes së numrit të dhënies së shtetësive lidhet në një masë të madhe me moshën e emigracionit shqiptar në Itali. Pavarësisht se marrja e shtetësinë italiane është maratonë më pengesa (sepse duhen dhjetë vjet rezidencë për natyralizimin), shqiptarët u bënë kohë që janë në Itali dhe i kanë përmbushur kriteret më të vështira.

Nuk është rastësi që shtetësitë e marra për arsye martesore ishin deri në vitin 2008 më të shumta, ndërsa ato për rezidencë ishin më të ulëta në numër. Vitet e fundit ky numër ka qenë gjithnjë e më i lartë.

Duhet të kemi parasysh se të huajt që lindin në Itali, fëmijët e brezit të dytë të imigrantëve, mund ta zgjedhin shtetësinë italiane kur mbushin moshën madhore. Numri i përgjithshëm i kësaj kategorie është rritur mjaft gjatë vitit të fundit e kjo ndikon pa dyshim në statistikat e përgjithshme.

Kjo situatë ishte disi e parashikueshme, sepse numri i atyre që kanë lejeqëndrim me afate të gjata po rritej nga viti në vit, çka tregon drejtpërdrejt se imigracioni shqiptar në Itali është tashmë stabilizuar.

Pra në thelb mund të themi se numri i shqiptarëve po rritet në Itali edhe pse jo me ritmin e dikurshëm. Ndikojnë gjithashtu mungesa e flukseve të rregullta për punë, lejeqëndrimet e skaduara, kthimet në vendlindje dhe emigracioni drejt vendeve të tjera. Këta faktorë kanë rëndësi relative, që duhen hulumtuar ende nga pikëpamja statistikore.

Pavarësisht se në statistika shqiptarët humbasin terren, duhet të kuptojmë se marrjet e reja të shtetësisë i bën ata aktorë nga pikëpamja politike. Ndërkohë, me përjashtim të problemeve burokratike, si ripërtëritja e mërzitshme e lejeqëndrimit, një pjesë e madhe e problemeve mbeten ende në tryezë.

Ky realitet i ri me siguri do të ngjallë interesin e politikës, por edhe të shoqërisë civile, por nga pikëpamje të ndryshme. Le të shpresojmë që Shqipëria të mos tregohet indiferente.

 

* Të dhëna të tjera do të botohen nga Dossier Statistico Immigrazione 2015, që do të prezantohet në Romë, më 29 tetor 2015. Programin e plotë në italisht e gjeni këtu.

 

[Botuar fillimisht në blogun Peizazhe të Fjalës]

Advertisements
%d bloggers like this: