HISTORI E KEQE NË TIRANË

Titulli i romanit thotë diçka, por jo shumë. “Brutta storia a Tirana” (botuar në italisht nga Besa, 2015) është një roman i veçantë, që nuk mund të kategorizohet lehtë.

Nuk është giallo, sepse librat e këtij zhanri normalisht ndërtohen rreth një krimi, duke përshkruar personazhe dhe ngjarje që të çojnë herët a vonë në zbulimin e identitetit të vrasësit. Në këtë roman vdekjet e dhunshme nuk mungojnë, por historia nuk rrotullohet rreth tyre. Nuk mund të quhet as roman policor, ndonëse ka plot hetime të policisë shqiptare dhe italiane. Ta quash spy story do të ishte vërtet e tepërt, ngaqë nuk ka efekte spektakolare piroteknike prej agjentësh 007 dhe as përplasje superfuqish ku rrezikohet asgjësimi bërthamor i globit. E megjithatë spiunët dhe shërbimet sekrete nuk mungojnë, as në versionin ndërkombëtar.

Mund të quhej roman historik, po të mos tregonte ngjarje tepër të afërta në kohë për të pasur shkëputjen normale kohore. Në fakt, ngjarjet e rrëfyera në libër i referohen fundit të viteve 1990 e falë kapitullit me titull “Lufta e Kosovës” mund të vendosej edhe më me saktësi, po të kemi parasysh se ndërhyrja e Nato-s u bë në vitin 1999. “Brutta storia a Tirana” është sigurisht roman (fiction) i dokumentuar historikisht. Autori, Adalberto Invernizzi, e deklaron që në parathënie, duke e informuar lexuesin se, ndërsa emrat e personazheve janë të shpikura, “faktet pjesërisht kanë ndodhur në realitet e pjesërisht janë fryt i përpunimit fantastik”.

Brutta storia a Tirana-copertinaAutori i romanit është inxhinier, me përvojë pune në shumë vende të botës, midis të cilave edhe në Shqipëri. Në fakt, po të lexosh rreth njëqind faqet e romanit, dallohet menjëherë se shkruan për gjëra që ka parë personalisht e që i njeh mirë. Është libri i dytë i Adalberto Invernizzi-t, i cili tregon se di t’i shfrytëzojë njohjet e përftuara gjatë udhëtimeve të shumta nëpër kontinentet e ndryshme. Historia e treguar mund të jetë e shpikur pjesërisht, por skena ku ajo merre jetë është absolutisht e vërtetë. Jo vetëm peizazhet dhe vendet e Shqipërisë janë të vërteta, por edhe konteksti social përshkruhet me penelata realiste.

Libri fillon me udhëtimin drejt Vlorës. Inxhinier Alberti (alter ego i autorit?), i angazhuar në projekte në ndihmë të Shqipërisë në rindërtim e sipër, shoqërohet nga shoferi i tij vendas i quajtur Spartak. Alberti zbret nga makina për të admiruar Porto Palermo-n, gjirin e mrekullueshëm në bregun e Jonit. Pas pak minutash, që të dy do të futen në një vend sekret, ku inxhinieri do të takojë kapitenin e zyrës së atasheut ushtarak të Ambasadës italiane në Tiranë dhe një ushtarak shqiptar. Pikërisht atje do të kuptojë se Spartaku fjalëpakë nuk është vetëm shofer.

Para se ta fillojë flash back-un narrativ, Alberti merr vesh përsenë e vërtetë të pranisë së tij në vendin e fshehtë të Porto Palermos. Pas rrëzimit të regjimit totalitar, Shqipëria u transformua në një udhëkryq trafiqesh të paligjshme, me një territor në pjesën më të madhe jashtë kontrollit, që u bë synim i mafieve të ndryshme (italiane, turke, ruse) në bashkëpunim me kriminalitetin vendas. Në këtë far west të Ballkanit, ka edhe larje të parave të pista, sikurse tregti të mbeturinave toksike.

Por ç’hyn inxhinier Alberti me konvulsionet e Shqipërisë postotalitare? Fillimisht për dy arsye: inxhinieri italian ndjek projektin e landfill-it të madh të mbeturinave urbane të Tiranës e Durrësit e pastaj lidhi (pa dashur) një miqësi të çuditshme e të frikshme me një boss vendas nga Vlora, Pirro Ibrahimi, të cilit të gjithë ia kanë frikën. Alberti gjendet rastësisht brenda një historie sigurisht më të madhe se ai vetë, por kurioziteti, e ndoshta parimet morale, e shtyjnë të pranojnë që të bëhet nxënës 007, duke u përpjekur t’i ndihmojë autoritetet italo-shqiptare për zbulimin e rrjetit që qëndron pas trafikut të mbeturinave toksike. Historia zhvillohet mes atentatesh e vrasjesh, takimesh sekrete e mbledhjesh zyrtare, mesazhesh të qarta e në kod. Megjithatë, suspense nuk shfaqet me tension të lartë, nëpërmjet kulmeve narrative – sipas gjasës as të kërkuara prej rrëfimtarit -, por paraqitet me ton të ulët, sikur të ishte e shpërndarë gjatë të gjithë tregimit.

Lexuesit shqiptar, shpjegimet për kontekstin historik, por edhe komentet me karakter social, gjeografik dhe etnologjik, mund t’i duken hera herës si të tepërta; ndoshta në sytë e lexuesit të huaj informacionet për regjimin komunist, piramidat financiare, kriminalitetin e organizuar, korrupsionin zakonet vendase, preferencat ushqimore, vendet turistike, bunkerët, Kanunin, e kështu e radhë, e pasurojnë kuadrin e njohjeve për vendin, duke e ndihmuar t’i kuptojë më mirë ngjarjet e personazhit kryesor dhe ndërthurjet që shkojnë përtej Adriatikut. Po ta mendosh mirë, konteksti realist do t’i ndihmonte edhe lexuesit shqiptarë të gjeneratave të ndryshme që, për një motiv ose një tjetër, nuk e njohin mirë atë periudhë historike shqiptare, që nuk preket shumë nga letërsia aktuale shqiptare. E ndoshta gjendet këtu mbivlera e librit.

Galeria e personazheve nuk është e shumtë dhe as e ndërlikuar. Personazhi kryesor është me siguri i realizuar mirë. Interesant padyshim personazhi i shoferit shqiptar, i gazetarit Zef dhe i keqbërësit italian Mancuso. Për të mos folur për personazhet e planit të dytë, por që tërheqin vëmendjen për karakterin emblematik të tyre, si vajza shqiptare shumë seksi që shoqëron afaristin italian gjatë darkës me inxhinierin. Janë të gjitha personazhe me karakterizim të fortë, që evokojnë figura qendrore në jetën e Shqipërisë së viteve 1990. Pastaj është krimineli shqiptar Pirro, që mbetet efektivisht pas kuintave, por që është gjithnjë i pranishëm në ngjarjet e rrëfyera. Megjithatë, disa personazhe mund të përshkruheshin më në thellësi nga pikëpamja psikologjike. Në fakt, narratori nuk zbret në detajet e personazheve të tij.

Gjuha e romanit është e thjeshtë dhe e qartë, funksionale për tregimin e një historie me trafiqe të errëta në kryeqytetin shqiptar. Ndonjëherë, gjuha i ngjason asaj kinematografike, duke u transformuar në një lloj telekamere prej dokumentari, për të përshkruar bukuritë natyrore të Shqipërisë, historinë e saj, ose vendet kryesore.

Historia intriguese e romanit është plot me meny e restorante, ku zhvillohen disa takime të rëndësishme, me të cilat ushqehet domosdoshmërisht edhe vetë rrëfimi. Kushedi nëse bëhet fjalë për një element të futur me vetëdije nga autori, ose që ka dalë natyrshëm gjatë tregimit. Sidoqoftë, bëhet fjalë për vende gjeometrike, të domosdoshme për të treguar shoqërinë postotalitare shqiptare.

 

[Botuar fillimisht në blogun Peizazhe të Fjalës]

Advertisements
%d bloggers like this: