TRAFIKIMI I TË MITURVE

Po të lexosh vetëm titullin e artikullit të botuar në Corriere della seraLa tratta dei ragazzini fantasma dal Kosovo all’Italia, in auto” (Trafikimi i fëmijëve fantazma nga Kosova në Itali me makinë), duket sikur ky fenomen i takon vetëm Kosovës, por nuk është e saktë.

Shkrimi i gazetës së njohur italiane i vjen publikut në mënyrë të pasuruar, sepse është i pajisur me intervista video të personaliteteve të ndryshme, dëshmi të të miturve, pamje të hartës që shpjegon rrugën e trafikimit.

Në Firence të Italisë, por edhe në qytete të tjera, po mbërrijnë me dhjetëra të mitur. Sillen nga të ashtuquajturit skafistë të makinës. Familjet e fëmijëve paguajnë deri 2500 euro për të siguruar kalimin nëpër kufij të ndryshëm. I sjellin tre katër vetë në një makinë dhe kalojnë nga Kosova, Serbia, Hungaria, Austria, Sllovenia, e në fund Italia.

Sipas shkrimit kohët e fundit, vetëm në Firence, po vijnë tre të mitur në ditë, çka është një numër vërtet shqetësues, po të mendosh se ka qytete të tjera dhe jo të gjithë deklarohen dhe strehohen në qendrat e bashkisë.

Kur arrijnë në qytet, fëmijët lihen pranë kuesturave ose në zyrat e policisë bashkiake. Me sa duket, si të rinjtë, ashtu edhe trafikantët e dinë fare mirë se ngaqë janë të mitur forcat e rendit e kanë për detyrë që t’i gjejnë vende strehimi dhe t’i fusin në një program integrimi, duke i regjistruar në shkollë e kështu me radhë. Në gjuhën burokratike, këta të mitur quhen “të mitur të pashoqëruar” dhe me ta merren programe e struktura të ndryshme.

Një nga dëshmitë e të miturve, që citohet nga gazeta, thotë se në Kosovë ka shumë varfëri dhe se nuk ka punë e të ardhme për fëmijët. Si rrjedhim janë të detyruar të vinë në Europë. Natyrisht udhëtimi ka rreziqet e veta dhe rreziku rritet kur je në duart e trafikantëve të paskrupuj që janë gati të bëjnë çdo gjë për fitim.

Në shkrim Shqipëria përmendet vetëm një herë, së bashku me Kosovën dhe Bosnjën, kur flitet se si janë vetë familjet që paguajnë për t’i çuar larg nga varfëria fëmijët e tyre. Mirëpo, gjatë intervistave Shqipëria përmendet disa herë, çka e bën më shqetësuese situatën.

Një operatore sociale që intervistohet nga gazeta (Marilena Macchia, shiko këtu videon në minutën e 2.28) thotë se fëmijët vinë nga Kosova e kryesisht nga Shqipëria. Ndërsa policja e bashkisë së Firences, Guasconi, hedh hipotezën se mund të ekzistojë një rrjet nga disa zona të caktuara të Shqipërisë e të Kosovës që zhvillojnë funksionin e transportit të këtyre fëmijëve. (min 0.40).

Pra, dukurisë tejet shqetësuese të emigracionit, ose ndryshe të ashtuquajtur azilkërkues, po i shtohet edhe fenomeni tjetër i emigrimit të të miturve. Ky i fundit, realizohet nëpërmjet trafikimit të të miturve, çka nuk e përjashton mundësinë që këta të mitur, për shkak të brishtësisë së tyre, të shfrytëzohen më pas nga organizatat kriminale.

Për fat të keq, përveç logjikës së postbllokut, deklaratave për shtyp dhe njoftimeve dekurajuese për kthimet e azilkërkuesve, arsyet thelbësore të largimit të shqiptarëve ende nuk po trajtohen seriozisht. Ndërkohë që situata e përgjithshme, sikurse fenomeni i trafikimit të të miturve, e bën gjithnjë e më urgjente ndërhyrjen energjike kundër autorëve të trafikut nga një anë dhe kundër shkaqeve që e nxisin emigracionin nga ana tjetër.

 

[Botuar fillimisht në blogun Peizazhe të Fjalës]

Advertisements
%d bloggers like this: