GISHTI MBI FLLUSKËN E SAPUNIT

Në ditën e fillimit të aksionit kundër informalitetit, nuk kishte si të mos binte në sy deklarata e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj, për uljen e çmimeve të shtëpive.

Veliaj e bëri deklaratën me rastin e një nisme të lavdërueshme, siç është ajo e dorëzimit të banesave sociale në kompleksin e Shkozës në favor të 30 familjeve në nevojë. Sipas mediave, janë këto fjalët e kryebashkiakut:

Nevojat për strehim në Tiranë janë më të mëdha ndaj i kam bërë apel shoqatës së ndërtuesve që të ulin çmimet e apartamenteve të pashitura. Është e pamundur që disa njerëz në mënyrë kapriçoze disa njerëz nuk i binden rregullave të tregut dhe nuk i ulin çmimet. Unë e di që jetojmë në kapitalizëm dhe di që shteti nuk mund t’ia përcaktojë çmimet privatit por ka disa gjëra që shteti mund t’i bëjë që t’i detyrojë privatet ti binden shtetit. Kjo është arsyeja pse ne do të propozojmë edhe në këshillin bashkiak që, taksat e pronës ta paguajnë edhe ndërtuesit e apartamenteve të pashitur. Në momentin që ai nuk paguan taksën e pronës ai mund ta mbajë apartamentin pa shitur edhe 10, 20 apo 30 vjet dhe asnjëherë të mos e uli çmimin.

Deklarata e Erjon Veliaj (videon e të cilës mund ta gjeni këtu) më duket shumë e rëndësishme për Tiranën dhe për gjithë Shqipërinë. Prej saj mësojmë zyrtarisht se: a) Tirana ka nevoja të mëdha strehimi; b) Në kryeqytet gjenden shumë apartamente të pashitura; c) Çmimet e banesave janë shumë të larta; ç) Ka njerëz që nuk u binden rregullave të tregut; d) Shteti mund të ndërhyjë për ta rregulluar ecurinë e tregut; e) Së shpejti në Këshillin bashkiak të Tiranës do të propozohet taksa e pronës edhe për ndërtuesit e apartamenteve të pashitur.

Më duket se fjalët e kryebashkiakut janë mjaft të qarta, edhe pse në media tingëllojnë sikur janë një farë kërcënimi ndaj ndërtuesve. Veliaj, i cili përmend edhe lejet e ndërtimit, duket se e ka marrë seriozisht tregun e ndërtimeve në Kryeqytet.

Që tregu i ndërtimeve, me leje e pa leje qofshin, kërkon veprim energjik e konstant – pra jo aksione – është e padiskutueshme. Mirëpo ky veprim kërkon kujdes të veçantë, sepse ekonomia shqiptare, mirë a keq, varet në një masë të madhe pikërisht nga ky sektor. Edhe apeli i sjellshëm i Veliaj – që mund të duket edhe i tepërt, sepse shteti vepron sipas ligjit dhe politikave e nuk bën apele prej xhentëlmeni – duhet parë e kuptuar në këtë këndvështrim. Kjo është aq e vërtetë, sa deklarata ka edhe një premisë ku thuhet se në çmimet e tregut kapitalist nuk varen nga shteti.

Hipoteza ime (aspak origjinale apo e re, ngaqë mendohet nga shumë vetë) është se sektori i ndërtimeve në Shqipëri përbën një flluskë ekonomike. Për fat të keq nuk mund ta provoj këtë hipoteze – ndaj do të mbetet e tillë – nëpërmjet shifrave dhe grafikëve. Fakti është se ende nuk kemi një numër të saktë të ndërtimeve me leje e pa leje në Tiranë, çka edhe përcakton tregun imobiliar. As kemi të dhëna të sakta për kërkesat e deritanishme e ato të supozuara për të ardhmen. Por nga ana tjetër, dihet nga të gjithë prej kohësh, por tani kemi si mbështetje edhe fjalët me autoritet të Kryetarit të Bashkisë, se në Tiranë ka shumë apartamente bosh e të pashitura.

Sipas dëshmive të ndryshme, këto vite krize plot kontradikta, ndërtimi nuk është ndalur, por ka ecur përpara për disa arsye, midis të cilave fakti se furnizuesit shpeshherë paguhen në natyrë, duke i dhënë një ose dy apartamente. Në këtë mënyrë pesha e humbjes shtrihet më gjerë, ndërkohë që apartamentet e pashitura shtohen dita ditës, sepse ka njerëz që duan të zhvendosen më në qendër dhe lëshojnë apartamentet e dikurshme; por ka edhe nga ata që ikin përfundimisht në emigracion; sikurse ka plot që nuk kanë mundësi ta blejnë një apartament. Ndërkohë që kërkesa nga emigracioni nuk do të jetë pafundësisht e madhe. Të gjitha këto tregojnë se ka diçka që nuk shkon në puqjen e kërkesës me ofertën.

Veliaj ka të drejtë kur thotë se një person, ose ndërmarrje, që nuk paguan taksë për një pasuri të palëvizshme siç është banesa, mund ta mbajë atë edhe për vite me radhë, sepse pret të vijë momenti i duhur për ta shitur. Nuk ka ngut, e ndërkohë vijon të ndërtojë pallate të tjera, duke e fryrë flluskën edhe më shumë. Deri kur mund të zgjasë kjo? Natyrisht, derisa të bëhet e paleverdishme që ta mbajë pronën të pashfrytëzuar.

E këtu duhet të ndërfutet veprimi i politikës. Në rast se masa është inteligjente, ajo e nxit lëvizjen e tregut, duke bërë që çmimet të ulen, pa e shkatërruar sektorin. Mirëpo në kushtet e hipertrofisë kryeqytetase, rreziku është që flluska të pëlcasë në çastin e vënies së taksës së pronësisë, duke krijuar një efekt zinxhir.

Mirëpo, që ta themi këtë, duhet të sqarohet mirë se çdo të thotë taksë e pronësisë për banesa bosh, sikundër duhen përcaktuar mirë sasitë e tyre. Nuk ka kuptim që një ndërtues të ketë me dhjetëra e qindra apartamente e të mos paguajë asnjë kacidhe si taksë. Por jo të gjitha banesat janë në duart e ndërtuesve (shpeshherë i kanë ndërmarrjet që kanë bërë punimet elektrike ose hidraulike, ose pronari i tokës) dhe jo të gjitha figurojnë në emrin e ndërmarrjes. Problemi është edhe si do të zbulohet që është apartament bosh dhe jo në emër, ta zëmë, të një emigranti. Në një vend ku po vijojnë legalizimet e banesave edhe sot e kësaj dite kjo nuk është e thjeshtë.

Por edhe të besojmë se ndërtuesit do ta dëgjojnë apelin e sjellshëm të Kryetarit të Bashkisë së kryeqytetit më duket pak utopike, sepse po të kishin dashur, e po ta kishin parë të leverdishme, do ta kishin bërë prej kohësh këtë veprim, pra uljen e çmimeve të apartamenteve në Tiranë. Si do të sillen në rast se vihet taksa? Ndërmarrjet e ndërtimit do të falimentojnë? Apo do të dinë të ndryshojnë drejt aktiviteteve të tjera, p.sh. mirëmbajtje të ndërtimeve ekzistuese dhe krijimin e hapësirave të gjelbërta? Flluska, nëse ekziston, do të shfryhet ngadalë, pa pasoja, apo do të plasë menjëherë? Njerësit pa banesë do të rendin të blejnë apartamente më afër xhepit të tyre, duke krijuar një rreth virtuoz ekonomik, apo kërkesa është shteruar prej kohësh? Kemi shumë të panjohura.

Por nëse flluska e ndërtimeve në Shqipëri pëlcet – se me Tiranën mund të nënkuptojmë të gjithë Shqipërinë – zhurma nuk është e paperceptueshme, si ajo e sapunit, sepse në këtë rast po flasim për shpërthimin e një bombe socio-ekonomike.

 

[Botuar fillimisht në blogun Peizazhe të Fjalës]

Advertisements
%d bloggers like this: