FJALËT E KRIJOJNË PEIZAZHIN

Ka plot shkrime që komentohen vetë, nuk kanë nevojë as për shpjegime e as për reagime. Janë si të thuash të vetëmjaftueshme, pasi janë shumë të qarta në sytë e publikut për mesazhin që bartin. Nga ana tjetër, me natyrën e tyre bllokojnë e neutralizojnë çdo lloj hapësire për diskutim e dialog.

Një prej tyre është pa dyshim edhe shkrimi “Ardian Vehbiu si kurbetçiu i akçihaneve”, me autor Agron Gjekmarkaj, botuar sot (27 tetor 2015) në gazetën “Panorama”, sipas gjasës pas shkrimit të Vehbiut, me titull “Si të protestosh” në Peizazhe të fjalës, ku ngrinte disa probleme të rënda të mediave shqiptare.

Artikulli ta heq dëshirën e komentit, ose të replikës, sepse është një sulm i ashpër ad hominem, duke e skualifikuar veten thjesht ngaqë nuk i përmbahet temës e, për më tepër, nuk përmban asnjë argument. Pa përmendur fyerjet e rënda dhe epitetet denigruese, për të cilat është e vështirë të jepen shembuj se janë të shumtë, ngaqë i tërë editoriali është i mbushur plot e përplot, madje me një crescendo të frikshme. Por nuk mund të sillen gjithashtu, pasi do të përsërisnim aq shumë pështymë e vrer fjalësh saqë do të na vinte ndot prej vetes. Ndërkohë, çdo lloj përgjigjeje me të njëjtën monedhë do të konsiderohej si tradhti ndaj etikës profesionale dhe edukatës qytetare.

Por nuk ishte kjo arsyeja që më bëri të shkruaj këto radhë, sepse Vehbiut i këndon pena vetë dhe nuk ka nevojë për mbrojtje, aq më tepër në raste të tilla, kur zelli i tepërt i akuzuesit dëmton kauzën e vet; u detyrova të hedh dy mendime sepse në editorialin e mësipërm u përbaltua edhe blogu Peizazhe të fjalës. Në një pasazh të editorialit lexohet se Vehbiu lëshon anatemat si ‘rrufe zhgjetare’ nga akçihania e tij virtuale”; në një vend tjetër doza shtohet: “Çdokush mund ta shohë blogun e tij, i cili ngjan me një makinë fekalesh të azdisura”; e diku tjetër shkruhet ironikisht “blogu i tij zulmëmadh…” . Duket qartë se blogu Peizazhe të fjalës është në qendër të sulmit.

Tani, pikë së pari, në blog shkruajnë disa autorë, që janë shtuar me kalimin e kohës, sikurse janë rritur autorët e ftuar dhe kolegët që komentojnë rregullisht prej vitesh. Sipas logjikës së shkrimit të lartcituar, të gjithë këta, përfshirë mua, bëjnë pjesë në një “akçihane virtuale” dhe ndezin një “makinë fekalesh të azdisura”. E nuk janë jashtë loje as mijëra lexuesit e dashamirësit që e vizitojnë rregullisht.

Projekti i Peizazhe të fjalës lindi me idenë e krijimit të një hapësire të lirë dhe qytetare, ku të lëvrohej mendimi dhe diskutimi i kulturuar, edhe kur ky i fundit merr tonet e debatit. Liria e mendimit dhe e shprehjes kërkon së pari respektin ndaj Tjetrit, njohjen e tij si palë në debat, jo denigrimin totalitarist dhe asgjësimin e fjalës së tij duke e sulmuar me emër e mbiemër. Të gjitha format e argumentum ad hominem janë në thelb fashistoide, sepse synojnë mbylljen e gojës duke përdorur sharje dhe fyerje personale. Në fakt, një nga rregullat më të rrepta që ka ky log virtual është pikërisht bllokimi i çdo sulmi ad hominem, që në realitet dëshmon për dështimin e dialogut, por edhe për mungesën e forcës bindëse.

Edhe pse pa reklama dhe grante, blogu është përpjekur t’i japë një shembull tjetër modelit mediatik që është instauruar pjesërisht në Shqipëri, ku banaliteti vulgar prek shpesh shëmtinë pornografike, ku përbaltja e kundërshtarit merr trajtat e dhunës, çka krijon përzierje helmuese dhe mjedis asfiksues për komunikimin publik dhe fjalën e lirë. Në fakt, edhe në polemikat më të ashpra, në shkrimet e blogut nuk do të gjeni kurrë fyerje personale, sepse fjala e lirë ruhet e kultivohet gjithashtu duke ia pastruar vendin nga barishtet e këqija.

Nga ana tjetër, blogu është karakterizuar si një nga hapësirat virtuale shqiptare ku komentet cilësore jo vetëm respektohen dhe nxiten, por edhe vlerësohen. Një palestër e vërtetë demokracie dhe dialogu. Në asnjë rast nuk janë hequr komente që shprehin mendime të kundërta me autorin e shkrimit, sikundër ndodh sot e kësaj dite në mediat shqiptare, por janë vënë disa rregulla të përbashkëta për ta mbrojtur blogun nga trollët dhe rrugaçët. Arsyeja është se këta e kthejnë hapësirën e komunikimit të qytetëruar në mure të nevojtores publike, ku shkruajnë pisllëqe nga më të ndyrat. Ndërsa peizazhin e bukur të fjalës e ndotin me gjithfarë mbeturinash toksike. Për respekt të lexuesit të qytetëruar i duhen treguar rregullat e mirësjelljes dhe më pas pasojat e mungesës së saj.

Sa për cilësinë e shkrimeve, pavarësisht nga idetë që shprehin, nuk ka shumë diskutime. Përjashto shkrimet e autorit të këtyre radhëve, të gjitha të tjerat janë të një niveli shumë të lartë, çka pranohet pothuajse nga të gjithë ata që nuk kanë paragjykime. E nuk është mister që materialet e blogut kanë qenë minierë ari në qiell të hapur për lexues, studiues dhe media, çka ia rrit vlerën kësaj hapësire, edhe pse ndonjëherë ia nëpërkëmb të drejtat e autorit.

Ka qenë pikërisht kjo hapësirë virtuale, pra Peizazhe të Fjalës, e cila që në fillesat e veta parapëlqeu dhe zgjodhi argumentin e bazuar ndaj emrit të përveçëm, temën e trajtuar ndaj biografisë së autorit, arsyetimin ndaj akuzës, dialogun ndaj përbaltjes, respektin ndaj urrejtjes, edukatën ndaj rrugaçërisë, kulturën ndaj injorancës, ballafaqimin ndaj përplasjes. Këto kanë qenë arsyet e suksesit në rritje të vetë blogut, sikurse ka ndikuar liria që shpreh me mendimet veta, çka nuk do të thotë paanshmëri, por angazhim qytetar e të ndershëm për të mirën publike.

Sfida është e stërmadhe, sepse vështirë të qëndrosh përballë një ventilatori që ushqehet herë me baltë e herë me indiferencë, por është e vetmja rrugë për të rimëkëmbur hapësirën e ligjërimit publik në Shqipëri, qoftë duke dhënë një shembull tejet modest. E meritojnë rastet pozitive që nuk mungojnë as në media, por mbi të gjitha e kërkon Shqipëria e së nesërmes.

 

[Botuar fillimisht në blogun Peizazhe të Fjalës]

Advertisements
%d bloggers like this: