ARIU TEK MUSHKONJA

Një nga emisionet më të ndjekura radiofonike në Itali është pa dyshim “La zanzara” (Mushkonja), që transmetohet çdo mbrëmje nga Radio24. Në datën 1 shtator të këtij viti në këtë emision përmendet edhe Shqipëria, por jo për temat e zakonshme.

Një nga temat e ditës është gjuetia. Drejtuesi i emisionit kërkon të flasë me dikë për ta pyetur se çfarë ndjen gjatë gjuetisë. Merr në telefon një tip që tregon për aventurat e tij si gjuetar në Shqipëri. Rrëfimi i tij është halucinant, por më shumë për natyrshmërinë me të cilën tregon trimëritë e tij kur shkon i armatosur me pushkë me pompë. “Atje je burrë, thotë, ti përballë kafshës” dhe përmend adrenalinën që të përshkon trupin e të transformon krejt. Me sa duket, është tip që i pëlqejnë emocionet e forta.

Kur e pyesin nëse kjo gjueti është e ligjshme, përgjigjet: “Nuk është tamam e ligjshme”. Kur drejtuesit e emisionit replikojnë, sepse një veprim ose është e ligjshëm, ose është i paligjshëm, shton se “në disa zona të Shqipërisë ligji nuk shkon fare”. Sinqeritet çarmatosës.

Pastaj tregon se shkon në grup, pra është i shoqëruar me të tjerë njerëz të armatosur deri në dhëmbë, me kallashnikov. E nëse ti nuk e vret dot ariun e gjorë, është ai tjetri që e grin me breshëri. T’i ngre nervat kur shpjegon se shkojnë afër strofullave, pasi atje gjen arushat më të tërbuara, sepse duan të mbrojnë këlyshët. Çdo gjë për të siguruar adrenalinën e nëpunësit italian.

Mishin e ariut e lënë në pyll, ta hanë ujqërit. Kurse lëkurën dhe peliçen ia dhurojnë ndonjë plake vendase. Gjithsesi, marrin në makinë ndonjë pjesë të ariut si trofe gjahu. Së fundi, gjuetari “gjysmë i ligjshëm” arrin të bëjë një ftesë disi indirekte, sepse përmend faktin që për këtë gjueti mjaftojnë 150 eurot e biletës së avionit. Si të thuash, është gjueti e lehtë, pa shpenzime të mëdha. Me fjalë të tjera emocione e adrenalinë pothuajse falas. Shqipëria duket vërtet vendi i mrekullive.

Vështirë të mos jesh dakord me komentin e njërit nga drejtuesit e emisionit, i cili e cilëson si “vigliaccheria”, çka mund të shqipërohet si “paburrëri” dhe “poshtërsi”. (Emisionin mund ta ndiqni këtu nga minuta e 5,36).

Tani, nuk është se mediat shqiptare duhet të rendin pas një dëshmie të tillë, megjithatë nuk duhet ta lënë në heshtje çështjen e gjuetisë së paligjshme.

Po të shikosh aktet ligjore e nënligjore për mbrojtjen e kafshëve nuk mund të kapësh asnjë gabim, madje as drejtshkrimor. Janë të gjitha perfekte. Ja ç’lexojmë në Planin e Veprimit për Ariun e Murrmë, përpiluar nga Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave:

Status i Ligjor i Ariut. Në ligjin dhe rregulloren aktuale të gjuetisë ariu është një specie e mbrojtur. Ariu konsiderohet si lloj me status të përkeqësuar (VU), dhe është përfshirë në Librin e Kuq të Faunës së Shqipërisë (1997 dhe 2004).

Mirëpo në shtyp është dhënë prej kohësh alarmi i rrezikut të zhdukjes së ariut të murrmë. (“Shekulli”, Alarm, ariu i murrmë drejt zhdukjes, E. Lata, 7 Korrik 2013).

Reagimi i politikës normalisht duhet të na qetësonte, sepse duket se ndërmerr nisma të vendosura në mbrojtje të specieve në rrezik zhdukjeje. Në janar të vitit të kaluar u shpall moratoriumi për gjuetinë në territorin e Republikës. Ja deklarata zyrtare:

Nisur nga situata kritike e popullatave të faunës së egër në Shqipëri, dhe humbja e diversitetit të llojeve, me propozim të Ministrisë së Mjedisit dhe vendim të Këshillit të Ministrave nr 1069, date 14.12.2013, Kuvendi i Shqipërisë, me datë 30.1.2014, ka miratuar, ligjin “Për shpalljen e moratoriumit të gjuetisë në Republikën e Shqipërisë”. Nga sot, Ministria e Mjedisit, do të bashkërendojë punën me Ministrinë e Punëve të Brendshme, doganat dhe tatimet për kontrollin e armëve të gjahut për një periudhë 2-vjeçare, afat kohor ky, i domosdoshëm për inventarizimin, planifikimin, rehabilitimin dhe mbarështimin e faunës në Republikën e Shqipërisë. (Miratohet ligji “Për shpalljen e moratoriumit të gjuetisë në Republikën e Shqipërisë”, 31 Janar 2014).

Ajo që bën përshtypje është mospërputhja midis vendimeve shtetërore dhe realitetit në terren, në rastin më të mirë, dhe hipokrizia ose skizofrenia e politikës, në rastin më të keq. Sepse institucionet qendrore e vendore bëjnë deklarata në favor të kafshëve, duke treguar vëmendje ndaj tyre, si në rastin e qenve që kanë mbushur kryeqytetin. Vëmendja ndaj kafshëve është cool përballë përfaqësive diplomatike, animalistëve dhe opinionit publik. Por nga ana tjetër, në realitet, nuk ndodh asgjë, fjalët nuk ndiqen nga veprat, sikundër ligji nuk pasohet nga zbatimi i tij.

Puna është se po të vazhdojmë kështu, biodiversiteti i faunës shqiptare do të varfërohet fatalisht. Kurse ariun e murrmë, po qemë me fat, do ta shikojmë vetëm në cirk ose në televizor. Sepse ta shikosh të vetmuar, pas hekurave të kopshtit zoologjik, është vërtet trishtuese. Por në malet e Shqipërisë nuk do të jetojë më, kurse fakti se do të mbijetojë në librat për fëmijë nuk është edhe aq ngushëllues.

 

[Botuar fillimisht në blogun Peizazhe të Fjalës]

Advertisements
%d bloggers like this: