AKSION KUNDËR ÇORODITJES

Pas ndërrimit të buxhetit, shifrave alarmante të rënies së mbledhjes së taksave dhe rezultatet zhgënjyese në dogana, qeveria ka ndërmarrë një nismë politike kundër informalitetit dhe evazionit fiskal.

Para, por edhe pas, takimit që Kryeministri shqiptar Edi Rama zhvilloi me drejtues të sistemit doganor dhe tatimor, u shtuan pa masë deklaratat, apelet, analizat, shifrat, parashikimet, etj. nga anëtarë të qeverisë dhe funksionarë të lartë të shtetit, lidhur me luftën që do të zhvillohet në shtator kundër informalitetit dhe evazionit fiskal.

Në takimin e lartpërmendur, Kryeministri ftoi edhe qytetarët blerës që të mos paguajnë për mallin pa marrë kuponin tatimor.

Dallohet pa vështirësi, në këtë manovër të qeverisë, një farë “paniku” për shifrat e reja të ekonomisë. Ndoshta ndikojnë edhe disa polemika të nëndheshme politike, përderisa aleati tjetër i qeverisë sugjeron masa të ndryshme për rimëkëmbjen ekonomike.

Në media e në publik, nisma e re politike e qeverisë nuk po perceptohet drejt, ndoshta për faj të rrëmujës dhe karakterit emergjent me të cilën po shoqërohet ajo. Thirrjet për të marrë kuponët tatimorë dhe ato për regjistrimet të aktiviteteve pranë QKR rrezikojnë të ngatërrohen, sidomos kur ngatërrohen me evazionin dhe tatimet, edhe pse të interesuarit direkt mund ta kenë pak idenë se përse po flitet.

Pikë së pari, informaliteti dhe evazioni fiskal janë dy fenomene që janë të lidhura bashkë, por i dyti mund të ekzistojë pavarësisht nga i pari, çka nuk mund të thuhet për të kundërtën. Një ndërmarrje e rregullt, pra e regjistruar sipas ligjit, mund të bëjë evazion fiskal, ndërsa ajo informale e bën me përkufizim, sepse nuk ka Nipt, ndaj edhe nuk i paguan asgjë shtetit. Pastaj, ka evazion fiskal, por ka edhe bishtnim të detyrimeve fiskale.

Nuk duhet të jesh ekonomist për të kuptuar se në ekonomi ka ngjyrë të zezë, të bardhë, por edhe gri. P.sh. një ndërmarrje mund të jetë e regjistruar, mund t’i paguajë taksat e tatimet, por mund të mos jetë e rregullt me pagesën e sigurimeve shoqërore të punonjësve. Në mënyrë të tërthortë, ajo dëmton edhe shtetin, për sa kohë një pjesë e madhe e buxhetit të ISSH (i cili paguan pensionet) financohet nga buxheti i shtetit. Mirëpo, nuk kam dëgjuar asnjë fjalë për këtë pikë.

Për sa i përket fjalëve që përdoren në media e në publik, vazhdon të mbijetojë heroikisht fjala “aksion”, por jo për meritë të saj, por falë psikologjisë së aksionit, që nuk është diçka e re në politikën shqiptare. Para disa ditësh kështu titullonte Gazeta Shqip: “Rama: Në shtator nis aksioni për uljen e informalitetit, bizneset të regjistrohen”. Por për hir të së vërtetës, është përdorur edhe fjala operacion, që të paktën duket më i gjerë se sa aksioni, pavarësisht se jemi larg veprimeve me karakter strategjik. Sepse nuk mund ta mohojmë se synimi i qeverisë është pozitiv, por informaliteti dhe evazioni fiskal janë plagë kronike dhe të rënda të ekonomisë shqiptare, që kanë të bëjnë me veprimtarinë e shtetit, praktikat e bizneseve dhe psikologjinë e popullatës, ndaj edhe nuk mund të shërohen me ndonjë aksion, pra vetëm me jod dhe pambuk.

Pastaj aksioni ka diçka të përbashkët me shiun e verës, vjen me hov, por ashtu edhe ikën. Ndërkohë që dukuritë e mësipërme kërkojnë një veprim konstant e afatgjatë, pa llogaritur ndërveprimin me aspekte të tjera parësore si korrupsioni dhe drejtësia, që mund ta neutralizojnë aksionin qeveritar.

E meqë jemi tek strategjia, nuk mund të harrojmë se tema madhore si ajo e ekonomisë informale – sot Ministri i Financave, Shkëlqim Cani ka deklaruar se deri më tani në Shqipëri janë mbi 100 mijë biznese aktive dhe rreth 33% e tyre ende nuk është fiskalizuar – kërkon detyrimisht edhe një farë dialogu me opozitën, në mënyrë që masat e sotme e të nesërme të hyjnë në strategjinë e vendit e të mbështeten nga të gjitha forcat politike. Por nga deklaratat e deritanishme duket hapur që mazhoranca dhe opozita “flasin” vetëm me deklarata dhe facebook. Por jo njëra tjetrës.

 

[Botuar fillimisht në blogun Peizazhe të Fjalës]

Advertisements
%d bloggers like this: